TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka reaguar për pamjet e publikuara sot në media, ku duket deputeti Spartak Braho, duke hyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të tatimeve.

Me anë të një njoftimi për median, prokuroria ka bërë të ditur se, është duke bërë hetime të plota për rastin e “serverit të Tatimeve”, ndërsa nuk ka në dosje pamjet.

Në lidhje me çështjen që po hetohet, sot në media është shfaqur një video ku duket deputeti i LSI-së, Spartak Braho bashkë me disa persona të tjerë që hynin në tek Tatimet.

Partia Demokratike ka akuzuar se, deputeti i LSI-së, ka qenë bashkë me Ermal Beqirin dhe grupin e auditit që kanë hyrë në drejtorinë e Tatimeve dhe kanë marrë të dhënat nga serverat.

Nga ana e saj, Drejtoria e Tatimeve ka denoncuar disa javë më paë në prokurori, IT e Tatimeve, Renald Rista, i cili akuzohet për ndërhyrje në server. Në lidhje me videon e bërë publike, Ministria e Financave, ka bërë të ditur se "kjo çështje ështe ende duke u hetuar me qëllim sqarimin e saj".

Në orët e mbrëmjes, për pamjet filmike të publikuara në media, ka reaguar edhe vetë deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Ky i fundit ka deklaruar se, "në ditët në vijim do t’ia hap petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut".

ORA 21:00 BRAHO: DO JA HAP PETET BYREKUT TE BERISHES
Deputeti i LSI-së, Spartak Braho ka reaguar pas publikimit të disa pamjeve televizive ku ai shikohet duke hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Është e vërtetë që kam qenë tek tatim-taksat si deputet dhe si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si tillë unë kam të drejtë të shkoj kudo ku shikoj se cenohet siguria e vendit dhe, në rastin konkret, siguria financiare e strukturave të shtetit.
 
Dhe kam konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim unë do t’ia hap petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut.
 
Gjithsesi, e gjithë kjo aferë financiare është denoncuar dhe po hetohet nga prokuroria. Prandaj zotërinjtë e PD-së, të kenë durim, ta lënë prokurorinë rehat, se nuk i shpëton dot as Shkëlzen Ternova, etj”, ka thënë në deklaratën e tij, deputeti Spartak Braho.

PROKURORIA: VIDEO NUK GJENDET NE DOSIER HETIMORE
Në një njoftim për median, Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se, është duke vazhduar “hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, parashikuar në nenin 293/b të Kodit Penal, pas kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve”.
 
Prokuroria bën të ditur se, në bazë të materialit që i është referuar prokurorisë, institucioni kallëzues ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj një ish-punonjësi të saj, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dyshon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e saj elektronik.
 
“Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen verifikimet e nevojshme, si edhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar pranë Policisë Shkencore”, thuhet në njoftimin e bërë nga Prokuroria e Tiranës.
 
“Në të njëjtën kohë, organi i Prokurorisë ka ndjekur pamjet filmike në një televizion, të publikuara sot ditën e sotme, në të cilat paraqiten disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedure e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë. Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore dhe do të që të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë për “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, ka bërë të ditur Prokurroia e Tiranës.
 
FINANCAT: ÇËSHTJA ËSHTË ENDE NËN HETIM
Me një reagim të saj, qër pamjet e transmetuara në media, Ministria e Financave ka bërë të ditur se, “pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të shfaqura në një prej televizioneve shqiptare, nuk janë as më shumë e as më pak se sa vazhdimi i shfaqjes mediatike të nisur muaj më parë rreth kësaj çështjeje”.
 
“Problematika shqetësuese e të dhënave në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është konstatuar dhe bërë publike nga drejtoria e DPT. Ka qënë pikërisht DPT, përmes drejtores, që këtë ndërhyrje flagrante e ka paditur në Prokurori. Kjo çështje është aktualisht nën hetim dhe Ministria e Financave është në pritje të zbardhjes së plotë nga organet hetimore të problematikës së konstatuar prej nesh”, thuhet në njoftimin e bërë nga ministria.
 
Në njoftimin e shpërndarë për median, Ministria e Financave siguron të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjen private se, “problematika në fjalë nuk cënon aktivitetin e përditshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe as privatësinë e të dhënave në fjalë”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)