“Si e manipuloi Dalan Shapllo
‘autokritikën’ e Ismail Kadaresë”

TIRANE- Një rast i dokumentuar i censurës që lidhet me emrin e Ismail Kadaresë në festivalin e Artit të Ndaluar në BunkArt që transmetohet nga “Report TV”. Në vitin 1982 u mblodh Pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtë plenium e drejtuan Ramiz Alia, sekretar i Byrosë Politike dhe Dritëro Agolli, kryetari i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve. Dëshmitarët e kohës flasin se “Pleniumi u mbajt enkas për Ismail Kadarenë”. Dihej se Kadare kishte qëndrimet e tij që nuk i shkonin shumë për shtat regjimit dhe me sa duket regjimi kishte vendosur që Kadare duhej të bënte një autokritikë, gjë që ai s’e bëri gjatë diskutimit të tij në plenium.

Po çfarë ndodhi në atmosferën e këtij Pleniumi. Si u detyrua shkrimtari më i rëndësishëm i kohës i kohës nga atmosfera e pleniumit, që të bëjë një autokritikë të cilën s’e kishte shkruar vet. Nomeklaturat e larta kishin vendosur që një autokritikë me emrin e Ismail Kadaresë do të botohej patjetër, edhe pse ata që ishin të pranishëm në pleniumin e 18 Marsit të vitit 1982 e dinin mirë se Kadare nuk bëri asnjë autokritikë për veprat e tij gjatë fjalimit...

Po çfarë ndodhi më pas. Të gjitha diskutimet do të mblidheshin për t’u botuar në gazetën letrare më të rëndësishme të kohës, “Drita”. Fjalimi që mbajti Kadare në Plenium, nuk kishte asnjë autokritikë. Nuk kishte arsye ta bënte, sepse askush s’e zuri në gojë emrin e tij, edhe pse rrethi i ngushtë i artistëve e shkrimtarëve e dinte se “për kë binin kambanat” e atij pleniumi.

Kryeredaktori i gazetës “Drita”, Xhevat Lloshi u detyrua nga sekretari politik i LSHA-së, Dalan Shapllo, që botonte një “autokritikë” të manipuluar. Gazeta “Drita“, në orën 11.30 të natës ditën e shtunë do të digjte rreth 6 mijë kopje. Ishte një dëm i madh material për shtetin, për hir të një “autokritike” që do të shitej tek publiku sikur e kishte shkruar Kadare. Xhevat Lloshi, në atë kohë ish kryeredaktor i gazetës letrare “Drita” rrëfen se çfarë ndodhi me të vërtetë pas atij pleniumi dhe si vepronte mekanizmi i censurës për artin e ndaluar.
 
Zoti Lloshi, çfarë ka ndodhur në të vërtetë pas Plenumit të  1982-shit. Si ishte dhe çfarë ishte censura në atë kohë?
Më lejoni t’ju them diçka të përgjithshme për kuptuar censurën. Kanë kaluar 25 vjet që ndodhën ndryshimet rrënjësore në Shqipëri, por janë 45 vjet që kemi pasur regjim diktatorial. Problemi kryesor është ky, në Shqipëri u vendos një regjim diktatorial, që nuk duhet menduar se erdhi befas, se ra si një rrufe. Në botë i studiojnë etapat, si u vendos dhe si evoluon një regjim i tillë, çfarë zhvillime ka dhe si përfundon. Shkenca, politika, arti, nëse zbërthejnë këtë mekanizëm nxjerrim përfundimet për shoqërinë e sotme. Pra shoqëria e sotme i ka nxjerrë tashmë mësimet sesi kalohet në diktaturë. Ky studim nuk është për interes historik, po lidhet me të sotmen. Me të parë gjurmët e para sesi mund të kalohet drejt diktaturës, shoqëria moderne merr masat të mos përsëritet. Nuk duhet menduar se censura u vendos befasisht.

Nuk është kështu. Censura fillon në mënyra krejt të tjera. Së pari, censura nisi menjëherë në ‘45-n me shtetëzimin e shtypshkronjave. Nuk kishte më shtypshkronja private. Shtypshkronjat i merr në dorë shteti. Pra, letrën e shtypur nuk mund ta bëjë më një njeri. Kjo shkon më tej, zhduken shtëpitë botuese private, ngelen vetëm shtëpitë botuese shtetërore, si Shtëpia e Librit Shkollor, e librit artistik “Naim Frashëri”, e Librit Politik. Edhe ushtria kishte shtëpinë e vet botuese dhe askush tjetër nuk mund të botonte. Marrin një element, që sot duket i çuditshëm; makinat e  shkrimit. Nuk kishte makinë shkrimi që të mos ta kishte ditur shteti.

Të gjitha numrat janë regjistruar në organet e Sigurimit të Shtetit dhe asnjë nuk mund të shtypte dot një letër pa e ditur sigurimi se e kujt është letra, sepse makinat e shkrimit janë si puna e ADN-së. Më tej u zhduk nga qarkullimi edhe letra e shkrimit A4, nuk mund të shkoje në dyqan dhe të blejë letër sa të duash. Kështu nisi kontrolli dhe rriten mundësitë e kontrollit të shtetit për fjalën e shkruar. Nisi të kontrollohej edhe fjala e folur. Në studiot e radios rrinte një njeri pranë që nëse fliste dikush diçka që nuk shkonte, ia mbyllte menjëherë. Edhe manjetofonë nuk mund të blinte njeri pa autorizimin zyrtar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
 
Të rinjtë e sotëm kur i dëgjojnë këto fakte habiten...
Pra, pasi u vendos censura u krijuan edhe organet, shtëpitë botuese. Shtëpia botuese ishte organ që censuronte ato që do të dilnin në shtyp. Dhe ne kishim në krye dikë që na kontrollonte. Redaktorët në gazeta apo në gazetën “Drita”, që isha unë, duhet të kontrollonin dhe censuronin, por edhe vetë ata që sillnin artikuj për botime duhet të ishim shumë të përgjegjshëm për ato që botonin. Unë isha kryeredaktor, kisha gazetarët e mi dhe unë. Nëse e miratoja një shkrim, do të dilte dikush dhe do thoshte se gazeta “Drita” ka bërë këtë gjë. Çoheshin analizat e të dhënat në Komitetin e Partisë, nëse vepra nuk përshtatej. Si romani i Dhimitër Xhuvanit “Tuneli” që u pezullua dhe shkrimtari çohet me dënim me punë prodhuese në Cërrik. Shkruan për Xhuvanin letra në Komitetin Qendror se është botuar një libër antirevolucionar dhe shikonin të merrnin masa kundër shkrimtarit, nëse nuk ishte në vijën e realizmit socialist. Pastaj Xhuvani u kthye nga dënimi dhe sigurisht shkroi një roman që paraqiste “rimëkëmbjen” e tij.
 
Të kthehemi te Kadareja. Ky është një rast që në mos nuk është përmendur fare, është lakuar shumë rrallë....
Jemi në vitin 1982, …ku censura është vendosur në të gjitha strukturat, ku janë dënuar shumë raste dhe shkrimtarë dhe në mënyra të ndryshme të gjithë e dinin mekanizmin që ishte vendosur. Secili shkrimtar ishte i vetëdijshëm për atë që duhej të shkruante. Mekanizmi ishte vendosur. Por çfarë ndodhi me Ismail Kadarenë. Në atë kohë Kadareja kishte shkruar një varg veprash që ishin me temë nga e kaluara, nëpërmjet këtyre veprave ishin “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Nënpunësi i pallatit të ëndrrave”, dhe te kjo e fundit ata që e vunë re, panë se ishte një përshkrim i plotë dhe i ngjashëm me ndërtesën e Sigurimit të Shtetit që ishte pas Ministrisë së Brendshme.

Dhe sigurisht të gjithë këta “njerëzit e zellshëm” u sulën kundër Kadaresë. Gjithashtu, Ismail Kadare bëri atë poemën që u bë e famshme “Pashallarët e kuq”, e cila u botua vetëm tani në 2002-shin. Pra një analizë e thellë u bë për disa vepra të Kadaresë që kishin probleme me metodën. Atëherë si do të zbatohej censura me një rast të tillë, me një shkrimtar që i di këto norma dhe i shkel. Dhe u bë një plenium më 18-19 mars, 1982, që u bë enkas për Kadarenë.
 
Pra ju e konfirmoni që u bë për Kadarenë?
Sigurisht që u bë enkas për Kadarenë. Mos prisni prej meje të mbaj në gojë njeri, por do them disa të vërteta. Fjalën e parë e mbajti Ramiz Alia, në Pallatin e Kulturës në Katin e tretë dhe foli për detyrat e letërsisë sonë që të merrej me realitetin e mos të merrej me të kaluarën, por në fjalën e Ramizit nuk u përmend asnjëherë Kadareja. Asnjë nuk ia përmendi emrin, por u nënkuptua se të gjitha veprat e Kadaresë ishin me temë nga e kaluara. Dhe të gjithë e nënkuptonin se “Pallati i ëndrrave” dhe “Pashallarët e kuq” ishin bërë çështje. Pasi mbaroi fjalën Ramiz Alia, unë i thashë shoqëruesit të tij të më jepte tekstin.

Nuk ma dhanë tekstin, por më thanë se do ta marrësh më vonë. Të nesërmen teksti u botua në “Zërin e Popullit” dhe mua më dërguan një kopje të pastruar. Pra nuk më dhanë tekstin ta botoja, edhe pse ata në plenium e dëgjuan, e morën shënime. Por vetëm pasi morën vërejtjet e botuan në “Zërin e Popullit”. Dhe Ramiz Alia vetë, që e kishte organizuar këtë gjë, nuk e çoi fjalimin menjëherë në shtyp, por e pa edhe njëherë se mos i kishte shpëtuar ndonjë gjë. Ja ç’do të thotë vendosja e një censure. Aty mbajti fjalën e tij dhe Dritëro Agolli, por nuk e zuri në gojë emrin e Kadaresë. Por çfarë ndodhi, unë do t’ju tregoj gjëra interesante. Kjo që kam në dorë është gazeta “Drita”...
 
Pse Kadare u detyrua të bënte botimin e diçkaje që nuk e ndjente?
Të enjten, të premten u bë pleniumi, të shtunën referati i Dritëroit u botua në “Zërin e Popullit”, por Dritëroi vet ma kishte dhënë mua referatin dhe unë duhej ta botoja në gazetën “Drita”. E kam këtu të daktilografuar prej tij. Unë do të botoja referatin e Dritëroit, por të shtunën referati ishte botuar në “Zërin e Popullit” dhe të dielën unë s’e botoja dot siç është ky, por duhet ta bëja në përputhje me “Zërin e Popullit”. Unë duhej të ndiqja detyrimisht variantin në “Zërin e Popollit”, se po ta shihnin ndryshe në do bëhej nami. Atëherë çfarë ndodhi. Në referatin e Dritëroit që unë e botova në gazetën “Drita” sipas asaj që u botua në “Zërin e Popullit”, ishin shtuar Odise Paskali, dhe ishin hequr Kel Kodheli, Zef Shoshi, Bashkim Ahmeti dhe Foto Stamo. Emrat e këtyre njerëzve u lexuan në plenium dhe censura i hoqi. Edhe kryetari i Lidhjes tjetër lexoi atje dhe tjetër u detyrua të botonte në “Zërin e Popullit”, se Zef Shoshi është kritikuar në atë kohë, edhe më vonë.
 
Shkojmë te Kadareja....
Në plenium diskutoi edhe Kadareja. Pra, jemi te gazeta e datës 21 Mars që ka botuar referatin e Ramiz Alizë, referatin e Dritëro Agollit dhe kishte edhe diskutime. Diskutimin e Ismail Kadaresë e mbajta shënim se duhej botuar menjëherë. Nuk kishte kohë. Më 21 mars diskutimi është përmbledhur prej meje mbi bazën e fjalëve të tij dhe u botua. Ishte e shtunë dhe unë do të botoja për ditën e dielë referatin që e mbajta shënim nga diskutimi që është përmbledhur prej meje. Kadareja ka të drejtë të thotë që ky nuk është teksti im, se e kam bërë unë, megjithëse ishin fjalët që tha ai. Megjithëse e dija se pleniumi po bëhej pse Kadareja nuk ka trajtuar aktualitetin, unë nuk mund të hiqja dorë nga Kadareja dhe atë ditë kjo gazetë bashkë me diskutimin në një faqe ka dhe një shënim për romanin e Helena Kadaresë.

Dhe sigurisht, të nesërmen, Dalan Shapllo që ishte sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve më tha: “-S’e kuptove pse u bë pleniumi, pse botove për Helena Kadarenë”. Dhe njëkohësisht siç shihet në gjithë gazetën e datës 21 mars nuk kishte asnjë shenjë autokritike dhe unë nuk kam thënë se Ismail Kadare bëri autokritikë.

Më thirrën dhe më thanë: “-Aty s’ka asgjë për kritikën e Ismailit. ”Unë u thashë se i mbajta shënim ato që ai tha. Pas kësaj u vendos të botohej materiali i përgatitur për pleniumin nga Ismail Kadareja. Ismaili ma dha këtë material.
Ja pjesa kur Kadare flet në plenium dhe që më pas i shtohet një autokritikë:

“Pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve që u mbajt në muajin mars të këtij viti, shqyrtoi gjerësisht edhe këtë problem: Ne krijuesit kuptojmë drejt kritikat që u bënë në këtë plenium, në lidhje me atë shproporcion që u vu re kohët e fundit midis temës së kohës e asaj historike në krijimtarinë e disa autorëve; shproporcion që ne e kemi për detyrë ta korrigjojmë sa më shpejt në dobi të temës së kohës.

Për ne janë të vlefshme e të rëndësishme të gjitha vërejtjet racionale dhe objeksionet të cilat kanë për qëllim zhvillimin në rrugë të drejtë të letërsisë sonë, sidhe orientimin e drejtë të krijimtarisë së çdo shkrimtari. Kërkesat për një trajtim sa më materialist të subjekteve, për një qartësi sa më të madhe në veprat tona, qartësi që lidhet drejtpërdrejtë me vlerën e tyre ideo-artistike. Zgjidhja e drejtë e problemit të raportit midis aktualitetit dhe historisë, siç u shtrua me të drejtë në Pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve do të ndikojë pozitivisht për një jetë të gjallë bashkëkohore të letërsisë sonë” Po ta vini re, Kadare nuk thotë unë, duket si një hollësi gjuhësore, por nuk është aspak gjuhësore.
 
Do ta botonit këtë në “Drita”? 
Po, do të botohej në 18 prill fjala e Ismail Kadaresë. Ky që kam më dorë është materiali i Ismail Kadaresë që e kishte përgatitur për ta lexuar në plenium dhe ma solli për botim në gazetë. Dhe kur pa se atmosfrera nuk ishte në të mirë të tij, u kujdes për ndryshimet dhe unë do të vë në dukje ndryshimin. Rikthehemi tek “Nënpunësi i Pallatit të ëndrrave” që fliste drejtpërdrejtë se çfarë bëhej në zyrat e Sigurimit të Shtetit. Ismaili kishte shkruar “Lexuesi punëtor e ndjen veten që është zot në këtë vend, është në këtë pushtet, prandaj do të dijë se ç’bëhet në vend”, etj, dhe e ka fshirë me dorën e tij dhe e ka thënë vetëm me një fjalë të shkurtër, dhe e ka zëvendësuar “në çdo skaj të jetës”. Kështu e ka shkruar këtë fjali. Unë do ta botoja, duke hequr atë që kishte hequr ai dhe duke shtuar këtë.   
 
Pra çfarë ndodhi me materialin shtesë që u shkrua nga Dalan Shapllo, si e mori vesh Shapllo për shkrimin?
Atëherë Ismaili më dha këtë material me ndryshimet e tij. Gazeta “Drita” kishte 36 faqe. Ne shtypnim në fillim 8 faqet e brendshme, sepse për faqet e jashtme deri në 11.00 të natës, ditën e shtunë, asnjëri nuk e dinte se çfarë ndodhte, sepse tetë faqet e jashtme ishin në lëvizje. Atëherë unë shkrimin e Kadaresë e dhashë në shtyp, se duhej të fillonte shtypja. Dhe pikërisht në këtë moment ku unë, ja e ku e kam variantin e Ismailit të shtypur, në orën 23.30 ja ku është shkruar këtu, punëtori më tha materialin dhe ishte gati dhe të fillonte shtypja. Ja ku e kam materialin e shtypur në variantin e parë. Më thërret Dalan Shapllo: “-Xhevat, si do ta paraqesësh, si do ta botosh?”. “-Siç ma dha Ismaili”, -i thashë. “-Në asnjë mënyrë”,-tha. “-Si, në asnjë mënyrë?!, -i them. “-E para, duhet ta shkruash këtu, fjala e mbajtur në plenium” dhe e dyta në fillim këtu duhet ë vësh patjetër autokritikën e tij”-tha Shapllo. Dhe në materialin e Ismail Kadresë nuk kishte asnjë autokritikë...Ja si u shtua autokritika:
 
“Detyrë e letërsisë dhe arteve tona

Duke folur për kompletimin e tablosë së epokës së socializmit në Shqipëri, pra për trajtimin e gjerë të aktualitetit të veprave letrare, do të dëshiroja të thosha në fillim se unë i kuptoj drejt kritikat që u bënë në Pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shqipëri, lidhur me trajtimin e temës historike në letërsinë tonë dhe në disa novela të miat konkretisht.

Pa u ndalur në hollësi, dua të them se për mua, ashtu si për gjithë krijuesit, janë të vlefshme vërejtjet racionale dhe objeksionet që kanë për qëllim zhvillimin e rrugëve të drejta të letërsisë sonë, si dhe orientimin e drejtë të krijimtarisë së çdo shkrimtari. Kërkesat për një trajtim sa më materialist të subjekteve, për një qartësi më të madhe në veprat tona, qartësi që lidhet drejtpërdrejtë me vlerën e tyre ideoartistike. Për sa i përket shproporcionit të krijimit në letërsi midis temës së kohës dhe asaj historike, shproporcion që u vu re, me të drejtë edhe në botimet e mia kohët e fundit, unë si krijues jam duke bërë gjithë përpjekjet që në krijimtarinë time ky shproporcion të korrigjohet, bile shumë shpejt në dobi vetëm të temës së kohës e cila në botimet e mia të ardhshme, si dhe planet e mia të ardhme krijuese zë vendin dominues”.  Po ta vini re këtu Kadareja thotë ne. Nuk jam unë që kritikohem. Duket si një hollësi gjuhësore, por nuk është aspak hollësi gjuhësore.

Pra unë e lashë tek ora 11.30 e së shtunës. Më kërkoi sekretari i Partisë Dalan Shapllo dhe shkuam bashkë në shtëpinë e Dritëro Agollit dhe u vendos që nga ajo pjesë që ishte e Ismailit të vihej autokritika. Gjithashtu m’u kërkua të hiqeshin dy të tretat e shkrimit dhe të lihej një e treta. Dhe unë u detyrova të shkoja në shtypshkronjë ku duhej të jepja urdhër që të digjej e gjitha gazeta “Drita”. Ishte urdhër, nuk bëhej shaka në raste të tilla. Rreth 5 mijë -6 mijë kopje të gazetës u dogjën të gjitha. Unë e ruajta këtë kopje se u hodhën shumë para dëm dhe si dihej ç’më ndodhte një ditë. E ruajta këtë kopje të vetme që kam dhe kopja që u ribotua është kjo. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen