“Si i shpëtova jetën Sali
Berishës kur e arrestuan”


Kam bërë një veprim shumë të mirë. Jo vetëm pse i shpëtova jetën Sali Berishës dhe të tjerëve atë natë, por edhe pse shmangëm një kasaphanë”. Bajram Hidri e kujton mirë natën e 28 nëntorit 2000, kur bashkë me 10 persona të tjerë ishin brenda selisë së PD-së, e cila ishte rrethuar nga dhjetra forca speciale të nisur me urdhër të ishkryeministrit Ilir Meta, që të ndalohej me çdo kusht Sali Berisha. Momenti vendimtar ishte kur dy persona të armatosur donin të dilnin nga selia blu për tiu përgjigjur me armë policisë speciale, por në këtë moment, Bajram Hidri, arrin t’i ktheje mbrapsht, duke shmangur gjakderdhjen.

Pse ishe me 28 nëntor 2000 te PDja?
Unë bashkë me militantë tjerë të PD-së isha për të protestuar për vjedhjen e votave të zgjedhjeve vendore, që ishin mbajtur në tetor. Aty mora vesh se është vrarë Syl Lusha, miku im dhe ai u vra ndërsa kishte veshur këmishën time, që ia kisha dhënë që kur ishim në një birucë te burgu 313, sepse ma kërkoi ngaqë i pëlqente shumë. Madje edhe sot i ati i Sylës e mban varur te shtëpia dhe thotë: “Është këmisha e Bajramit”. Natën e 28 nëntorit 2000 isha brenda në PD-në e rrethuar nga forcat policore që kishte dërguar aty kryeministri Ilir Meta. Unë rrija te zyra e ndjesë pastë Pjetër Arbnorit dhe atë natë fjeta të kolltuku i Pjetër Arbnorit.

Sa njerëz ishit brenda?
Ishim rreth 10 vetë dhe të gjithë po mendonim se kur do të hynim brenda forcat e policisë dhe të na vrisnin. Ishin dhjetra forca policore me autoblinda, ndërsa Sali Berishën e mbajtën dy orë të rrethuar te "Ushtari i panjohur". Niko Brahimaj i komunikoi akuzën: "Akuzohesh për kryengritje të armatosur ndaj shtetit". Truprojat e Berishës i morën nëpër xhipa. Por atë natë unë i kam shpëtuar jetën Sali Berishës.

Si ia shpëtove?
Ja shpëtova se në momentin që forcat speciale u afuan te PD-ja, dy shokët e mi dolën të armatosur për tu kundërpërgjigjur. Por unë u dola përpara dhe i ndalova ata të dy, njëri prej të cilëve, pak kohë më parë shoqëroi edhe Edi Ramën në Tropojë, kur shkoi për takime. Pra ishte ndërhyrja ime, që iu shpëtua jeta Sali Berishës dhe drejtuesve të tjerë në PD, ndryshe do të ishte bërë kasaphanë. Por kjo ndodhi atëherë, sepse tani Berisha është bërë ortak me ata që donin ta vrisnin, ndaj sot p.sh. PD-ja në Elbasan merr vetëm 8 mijë vota, aq sa nuk ka marrë as në vitin 1997. Sot duhet t'i gjuash me armë PD-së që të marrësh ndonjë post, siç janë bërë drejtorë ata që e gjuajtën me armë në 1997-ën.

Çfarë bëtë brenda në PD, në kohë kur Berisha ishte dërguar nga forcat policore në Drejtorinë e Policisë?
Mbaj mend se u morën në telefon disa prej udhëheqësve të huaj të asaj kohe. Gjatë kësaj kohe ne ishim të rrethuar, dhe skena të tilla unë nuk kish parë as në filma. Ne ishim brenda me drita të fikura, sepse nga tarracat e pallateve na ishin drejtuar armët me rreze lazer me pikë të kuqe, që të diktonin sapo të nxirrje kokën. Kemi patur një ankth të paparë. Me dhjetra njerëz u masakruan vetëm pse kaluan në ato orë afër selisë së PD-së. Sot me vjen keq pse luftuam për disa horra, që nuk e dinin se ku ishte selia e PD-së.

Z.Hidri cila ishte lidhja jote me Azem Hajdarin?
Azemin e kam patur mik shtëpie. Me të jam njohur që në fillim të viteve '90, kur vinte në Elbasan për organizimin e mitingjeve dhe këtë shenjën e qepjes në gishtin e madh (tregon njërën dorë të operuar) e kam nga mitingu i madh që u bë këtu, kur u thye xhami i madh i kinemasë "11 nëntori" dhe hëngra shkopinjtë e policisë në kurriz. Aty ishin edhe Arben Demeti, Azem Hajdari, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, pra shumica e nismëtarëve të krijimit të PD-së. Azemi ishte një prej idhujve të mi në politikën shqiptare. Ai nuk është më, sepse politika kështu qenka: në momentin që ngre kokën të këpusin, të vrasin. Sepse në momentin që Azemi ishte për të luftuar korrupsionin në PD, ata e përjashtuan, derisa pastaj i vunë dajakun, derisa e vranë.

Kur u takuat për herë të fundit me Azem Hajdarin?
Ishte 12 shtatori 1998, ditën e mitingut në Fier. Isha me katër shokë të tjerë. Aty u bë mitingu më i madh që ishte bërë ndonjëherë dhe PD-ja po riorganizohej dhe ashtu pushteti i PS-së nuk do ta kishte të gjatë. PD-ja e kishte afruar sërish Azemin se nuk kishte çfarë të bënte, duhej afruar më i miri. Pas mitingut në Fier, unë hipa në makinën e Azemit, deri në Rrogozhinë, në një "Alfa Romeo" të blinduar. Me atë makinë kishim hyrë edhe në Vlorë, në 3 prill 1998, të të bërë mitingun e parë, pas rebelimit të vitit 1997.

Çfarë ndodhi pas mitingut të Fierit?
Pas mitingut të Fierit unë zbrita në Rrogozhinë. Azemi më tha që të zbrisja sepse vetë do të vazhdonte për në Tiranë. Të nesërmen mora vesh, sepse askush s'më tregonte, që Azemin e kishin vrarë. Në mëngjes herët u nisa për në Tiranë dhe kam ndenjur aty.

Pyete se si ishte vrarë Azemi?
Pyeta dhe më thanë: "E nxorën në pritë".

Kush e kishte nxjerrë?
E kishin nxjerrë nga brenda PD-së. E kishin marrë në telefon dhe i kishin thënë: "Dil Azem se është një benz i bardhë". Del Azemi dhe vritet bashkë me rojen, shokun tim Besim Çerja. Ishte kurth, sepse është sikur e ke nxjerrë nga shtëpia. U di kaq e nxorrë në pritë, e vranë, dhe tani e qajnë. Ti ishe njëri prej 24 të arrestuarve për 14 shtatorin.

Kur të arrestuan?
Mua më arrestuan me datën 7 janar 1999 me akuzën për kryengritje të armatosur kundër shtetit. Sot ajo që më bën mua të ndihem shumë keq është se prokurori i asaj kohe është ministri i sotëm Nasip Naço. Mua më arrestuan në Elbasan, me forcat Renea. Më vunë thesin në kokë, tre "Iveco" me 30 policë me skafandra vetëm për mua, a thua se unë isha Xhevdet Mustafa, armik i popullit. Më çuan direkt para kryeministrisë dhe aty një nga shefat e policisë, më tha: "Z.Bajram Hidri, çfarë të premtoi Sali Berisha, që do të të bënte shef krimesh?". Jo ia ktheva, unë
mora pjesë në varrimin e Azem Hajdarit, që e vratë ju". "Ashtu o kriminel-më thadre më çuan në rajonin numër 3, ku më priste Nasip Naço, prokurori më i tmerrshëm që kam parë në jetën time. Aty më erdhën forcat e policisë dhe me shkopa dhe këmbë karrikesh më rrihnin. Ata ishin tamam banditë dhe sot ata janë në krye të shtetit. Më treguan ca pamje filmike dhe më pyesnin: A je ti këtu? Më treguan disa pamje filmike, në një tank ku ishin 200 vetë. Aty dolën 5 tanke nga garda që i morën njerëzit, hipa edhe unë lart, kaq ishte problemi.

Ju e keni marrë pafajësinë?
Jo, sepse edhe sot pas kaq vitesh procesi gjyqësor nuk ka mbaruar akoma, dhe jemi bërë më keq se në gjyqin e Hagës. Kurse Ilir Meta, me një video me 700 mijë euro, po merr pafajësinë. Sot Sali Berisha është bashkuar me horrat, me banditët. Ne që i ruajtëm jetën jemi hedhur te koshi i plehrave. Të paktën të mbyll çështjen tonë, nuk i kërkojmë gjë tjetër. Unë ende nuk kam marrë dënimin, edhe pse kam
ndenjur 13 muaj në birucë, dhe 26 ditë në grevë urie për afatet e paraburgimit, në burgun 313, në një birucë me Syl Lushën, derisa mu mbush goja me push. Ndërsa gardianët e burgut na thonin: " Ore kriminelë, akoma s'keni vdekur ju?". Qëndrova
në grevë urie derisa më çuan me urgjencë në spital forcat e Reneas.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik