Diego, fituesi i Festivalit të këngës për fëmijë
Vetëm gjysëm ore më parë, ne ishim në shtëpinë e një prej nxënësve të këtij instituti; në atë të Diego Zelkës, nxënës i klasës së tetë. Ai ishte zgjuar dhe, para se të pijë gotën e qumështit, para se të bëjë gati çantën e shkollës, nuk harron të kujdeset për miqtë e tij të zemrës: për macen Kiti dhe dy kanarinat në oborr. Pasi ka folur me gjuhën e zogjve me dy miqtë e tij të bukur, kanarinat, macja i ulet në prehër dhe pret edhe ajo karamelen e saj të mëngjesit. Pastaj vjen mami nga kuzhina.
Diego merr mëngjesin, mbledh në çantë gjithçka i duhet për në shkollë, fillon vesh edhe këpucët i ndihmuar nga mami Mirela. Dhe dalin, krah për krah. Diegos gjithçka i mjegullohet para syve. Nuk sheh dot. Nuk shquan dhe dallon pothuajse asgjë dhe, kur vijnë vijat e bardha dhe mami ndal, ai i shpjegon asaj atë çfarë kanë mësuar në shkollë nga mësuese Geraldina për orientimin e objekteve në hapsirë. Mami Liljana e di këtë fakt dhe qesh. Kur vijnë në shkollë, oborri i saj gumëzhin nga zërat e miqve të mëdhenj të Diegos.
Ai ndahet me mamin, përqafohen të dy dhe ai, me porosinë “kujdes të keqen mami…ec vetë, drejt, drejt… dhe marsh dy dhjeta sot” djaloshi shkrihet mes grupeve të fëmijëve në oborrin e shkollës. Bie zilja dhe në orën e parë të mësimit, fëmijët e klasës së 8-të kanë lëndën e biologjisë. Një lëndë shumë interesante, që kërkon një vëmendje të veçantë. Këtu, në kabinetin e biologjisë, unë shoh skelete kafshësh dhe njerëzish, objekte të shumta të përgatitura ndryshe nga ato të shkollave të zakonshme.
Por mbi gjithçka, libra të mëdhenj në formë hartash me relief, shkruar me alfabetin e veçantë dhe special Braille. Që fëmijët, me anë të gishtrinjve të lexojnë atë çka është shkruar në librat e mëdhenj. Mësuese Fiqiretja bën më të mirën, që ora e mëesimit të jetë sa më atraktive; që fëmijët të hyjnë në punë të pavarur dhe të prekin me sytë e mendjes dhe me gishtrinjtë e tyre të vegjël gjithçka ka lidhje me orën e mësimit dhe ate çka është shkruar në libra. Kur vjen radha e kontrollit të detyrave të shtëpisë, Diego përqëndrohet, hap fletoren dhe vendos gishtrinjtë në fletët e shkruara ashtu, me shenja krejt të veçanta gdhendur mbi fletore: një tërësi pikash rreshtuar si në teletajpet dhe si në alfabetin Mors.
Gishtrinjtë lëvizin të sigurt, të shpejtë mbi to dhe Diego flet për mikro-organizmat njëqelizore, sikur t’i kishte ato përpara syve, nëpër gishtrinj. Me anë të këtyre mësimeve special, thotë mësuese Fiqiretja, ne u mësojmë fëmijëve të mbrohen nga mikrobet dhe të marin një kulturë të përgjithshmme mbi botën që na rrethon. Ora e mësimit vazhdon e bukur, me përgjigje edhe të 6 nxënësve të tjerë po këtu në klasën e 8-të. Pasi bie zilja, fëmijët ngrihen dhe, të lidhur dorë për dore, dalin në korridoret e shkollës.
Ndërrohen kabinetet, klasat. Diego, së bashku me tre shokë, nisin të zbresin shkallët një e nga një. Atij i duhet të shkojë në orën e dytë në studion e pianos. Atje e pret mësuese Desdemona, një tjetër pedagoge e përkushtuar në punën e saj me nxënësit me aftësi të kufizuara në shikim, por që kanë një lavë të zjarrtë në shpirt: lavën e artit, të muzikës. Enkas për fëmijët, drejtoria e shkollës ka sjellë në studio një piano dhe disa instrumenta të tjerë muzikore.
Dhe, kur Diego vjen këtu, duke trokitur më parë në derën e bardhë të studios, mësuese Desdoma e puth në faqe, e sistemon në karrige dhe ata nisin të flasin për ushtrimet e Diegos në pjano. Fillimisht vendosja e gishtrinjve mbi tastierat e pjanos; disa tinguj të pastër dhe…studio mbushet me muzikë. “Për Elizën…” luan në piano Diego. Shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm… Mësuese Desdemona buzëqesh e tëra dhe, kur Diego ndalon, bën kujdes dhe i shpjegon nxënësit të saj të mirë si mund të arrihet në mënyrë perfekte loja e ushtrimit në pjano.
“Kujdes dorën e djathtë; kujdes harmoninë; kujdes lëvizjen e shkathët të gishtrinjve, që bien mbi tastier…” Pastaj, ajo thotë se Diego vitin e kaluar ka marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër dhe se aty, ai ka fituar çmimin e I-rë me këngën “Motrës sime.” Një kompozim i Xhavit Ujkanit. Ah, nuk mbaron këtu, tek pianoja mrekullia. Mësuese Desdemona i propozon Diegos të këndojë për ne vetëm një strofë nga kënga dhe Diego është gati. Me zërin e tij si ujvarë, ndërsa mësuesja luan në pjano, ai “shkrihet” i gjithi në tingujt e bukur. Është shumë i emocionuar…
Klasa e I-rë, mësuese Dhurata
Dhurata Mullisi është një nga mësueset më të vjetra në Institutin e fëmijëve që nuk shikojnë. Drejtori i këtij Instituti, Xhemal Xhafa, thotë se në klasën e parë, ku ajo jep mësim prej më shumë se 20 vjetësh, kanë mësuar me mijra fëmijë të verbër. Se pikërisht në atë klasë nis udhëtimi dhe mësimi i alfabetit Braille; nis udha e bukur drejt dijeve edhe për këtë kategori fëmijësh me aftësi të kufizuara. Grupi ynë i xhirimit shkon në klasën e parë. Ah, sa bukur. Një grumbull fëmijësh të vegjël, si zogjtë, cicërijnë me zërat e tyre reth mësuese Dhuratës.
Nëpër bangat e gjithësecilit mësuesja ka vendosur abetaret e veçanta Braille; kuti lapsash me ngjyra; kuti lapsash me maja të veçanta, me të cilat nxënësit mësojnë të shkruajnë me pikat dhe shenjat e tjera të alfabetit special, gërmëzat e para: A-n, B-n, C-n, deri tek Zh-ja. Në kabinet, apo në klasë, janë vendosur edhe disa monitoprë të vegjël, disa si I-PAD-e të mëdhenj, ku mësuese Dhurata ka vendosur sipas një program krejtësisht special, gërmat e alfabetit, shoqëruar me figura dhe vizatime, të prekshme vetëm përmes syve të mendjes dhe të zemrës.
Mësuese Dhurata kalon bangë më bangë, u mëson vogëlushëve sit a mbajnë dorën në fletore; sit ë shkruajnë, si të prekin me sytë e mendjes dhe të zemrës gërmat e shikruara në abetaret me relief. Dhe ata nisin të cicërojnë; M dhe A – MA; M dhe I – MI; MA-MI… Kamera jonë fikson çaste magjike. Të papërshkrueshme. Unë emocionohem, si fëmijë…
Instituti, problematika me fëmijët që nuk shikojnë.
Në drejtorinë e shkollës takohemi me profesor Xhemal Xhafën. Një burrë i qetë në pamje, tepër i matur dhe i thjeshtë; tepër i përkushtuar në punën e tij për drejtimin e Institutit “Ramazan Kabashi”. Pasi na fton të bëjmë një vizitë nëpër dhomat e konviktit për të parë kushtet ku jetojnë fëmijët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, ai na shpjegon se problematika e fëmijëve të verbër nuk është këtu, në Institut.
Por në fshatra dhe qytete, ku nuk ka informacion për ekzistencën e Institutit. Dhe se, kur prindërit kërkojnë t’i sjellin në Tiranë fëmijët e tyre të lindur me aftësi të kufizuara në shikim, abuzohet mjaft nga na e drejtuesve të pushteteve vendore e lokale.
Të cilët, për një raport të posaçëm mjeksor, që evidenton fëmijën si të verbër, kërkojnë nën dorë 20 deri 30 mijë lekë të reja. Ndërsa ligji parashikon që për këta fëmijë të gjitha shërbimet të kryhen falas. Më pas ai na falenderon dhe na fton të marrim pjesë në Festën tradicionale të Vitit të Ri, ku vetë fëmijët kanë përgatutur një koncert të mrekullueshëm dhe ku dhuratat për ta do të jenë të shumta, të pafundme… E falenderojmë Xhemalin dhe nxitojmë sërish mes klasave dhe kabineteve të mësimit. Për të zbuluar të tjera sekrete për fëmijët e mirë, që shohin jo me sy, por me zemër…
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)