Në të thuhet se, nëse Shqipëria nuk do t’i japë një zgjidhje të shpejtë konfliktit me CEZ-in, atëherë kjo situatë do të ndikojë negativisht në fushën e investimeve të huaja dhe hapave drejt BE-së.
“Mosmarrëveshja me CEZ-in ka të ngjarë të çojë në probleme të mëtejshme në sektorin problematik të energjisë në Shqipëri. Nëse ky konflikt nuk zgjidhet shpejt, situata do të ndikojë negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj.
Ky fakt ka zemëruar edhe Republikën Çeke, duke ndikuar në krijimin e marrëdhënieve negative mes dy vendeve. Më 2009, kur CEZ bleu aksionet e kompanisë energjetike, shumë vëzhgues e komentuan këtë blerje si një stimulim politik të marrëdhënieve, pasi në atë kohë Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat, në momentin kur presidencën e BE e mbante Çekia.
Kërkesa për anëtarësim, deri tani, është refuzuar. Komisioni Europian është në pritje te zbatimit te reformave, duke përfshirë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, shrkauhet në analizën e “The Economist”.
Problemi ende i pazgjidhur me CEZ-in, sipas revistës britanike, mund të dëmtojë shanset e Shqipërisë për t’u afruar në BE. “The economist” thekson se tregu energjetik në Shqipëri është problematik. Korporata Elektroenergjetike po subvencionohet nga shteti në mënyrë të vazhdueshme, duke shteruar financat publike.
“Tarifat e energjisë elektrike janë një çështje e diskutueshme. Ato kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2009. Për të zbutur këtë ngrirje çmimesh, Enti Rregullator ndërhyri në rregullimin e tyre brenda kompanive energjetike. Por CEZ refuzoi të kryejë importin e energjisë deri sa kompanitë shtetërore të paguanin detyrimet e prapambetura.
Më pas, marrëdhëniet mes Entit Rregullator dhe CEZ-it u prishën, pasi ERE i refuzoi CEZ-it marrjen e një kredie për të paguar importet dhe kryerjen e investimeve. Në këtë moment, klima e biznesit u bë e paqartë.
Vendimi i ERE-s për t’i hequr licensën kompanisë e vuri këtë të fundit në një pozitë të vështirë. Shpresa e vetme e CEZ-it është tani tërheqja e garancisë nga Banka Botërore prej 60 milionë eurosh. Kjo e fundit do të pranojë vetëm një aplikim nga administratori i përkohshëm i kompanisë”.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)