TIRANE - Tifozat e futboll klub Tiranës kanë ndërmarrë sot një bllokim paqësor të fushës, në vazhdim të protestës që kanë nisur ditën e dielë.

“Tirona Fanatics” janë të revoltuar për gjendjen ku ka mbërritur ekipi i Tiranës vitet e fundit dhe shkak sipas tyre është bërë keqadministrimi i klubit dhe papërgjegjshmëria në drejtimin e tij.

“Keqadministrimi i klubit, amatorizmi dhe papërgjegjshmëria në drejtim kanë katandisur klubin nga elitar dhe dominues në një klub të rëndomtë. Për këtë, vlen të përmendet vetëm fakti që lojtarët zgjedhin ekipe periferike përpara Tironës legjendare. Të gjitha këto kanë sjellë paraqitje të mjerueshme në fushë dhe shpërfytyrim të identitetit dhe shpirtit që gjithmonë ka karakterizuar ekipin. Për më tepër, përpjekja për të fashitur protestën në stadium dhe moslejimi i hyrjes së tifozave në ndeshjen me Kukësin ishte një sjellje e ulët dhe meskine.
Përgjegjës për këtë bëjmë të gjitha hallkat drejtuese të klubit, duke filluar nga bordi drejtues, administratori dhe deri te stafi teknik”, shprehen tifozët.

Më tej tifozët kanë kërkuar ndryshim sa më të shpejtë të situatës, duke paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në Bashkinë e Tiranës.

“Veprimet e deritanishme, mosveprimet, mosmarrëveshjet midis personave që paguhen për mbarëvajtjen e klubit janë të papranueshme në një klub profesionist. Jemi këtu për t’i kërkuar të gjithë faktorëve të klubit ndryshimin sa më të shpejtë të situatës. Në të kundërt protesta jonë do të vazhdojë duke iu drejtuar edhe pronarit të ligjshëm që është Bashkia Tiranë.
Mendojmë që këtë qëndrim ndajnë me ne, të gjithë tifozët e tjerë të Tironës, si edhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për këtë fanellë të shenjtë ndër vite”, thanë “Tirona Fanatics”.

(eç/shqiptarja.com)