“Tomka dhe shokët e tij”
në Amerikë për restaurim

“Tomka dhe shokët e tij”<br />në Amerikë për restaurim
TIRANE - Tomka dhe shokët e tij ngelet ende një nga filmat më të bukur shqiptarë për fëmijë. Ky film edhe pse u krijua në kohën e kinemasë së realizmit socialist pati nuancat e filmave neorealistë europianë. Kështu shprehen studiuesit e kinematografisë për këtë film të regjisores së talentuar për fëmijë, Xhanfise Keko. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” prodhuar 36 vjet më parë nga Kinostudioja së shpejti do t’i nënshtrohet një procesi restaurimi.

“Filmi do të restaurohet nga laboratorët më të specializuar për materiale audiovizuale në Amerikë”, pohon për median shefja e redaksisë së filmit në Arkivin e Filmit, Eriona Vyshka. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është realizuar nga një grup intelektualësh të talentuar shqiptarë: regji të Xhanfize Kekos, skenar të Nasho Jorgaqit, muzikë të Aleksanër Lalos dhe dirigjim të Ferdinand Dedës.

Në qendër të filmit është Tomka interpretuar nga aktori Eno Zhegu, ai është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak, që është vendosur në fushën e tyre të dikurshme të lojës. Filmi “Toka” që së shpejti do të nisë restaurimin, vjen në vijim të prodhimeve kinematografike shqiptare që janë restauruar dhe më herët, si filmi “Nëntori i Dytë”.
 
INTERESI MOTIVOHET ME VLERAT ARTISTIKE
 
Edhe pse ka 36 vjet që është xhiruar ky film, nuk ka munguar asnjëherë interesi i fëmijëve dhe i shikuesve të rritur. Ky interes motivohet me vlerat artistike, sepse filmi “Tomka dhe shokët e tij” i ka të gjithë elementët e duhur që përbëjnë një vepër cilësore kinematografike për fëmijë, përfshi edhe elementët që lidhen me psikologjinë dhe fantazinë e fëmijëve; ku shfaqen aventurat, rreziku, shoqërizimi, loja, marrëdhënia me kafshët, kureshtja dhe lëvizshmëria.

Edhe pse filmi është prodhuar në një sfond të indoktrinuar psikologjik, talenti i regjisores Xhanfise Keko e ka bërë të atillë aventurën filmime që të përvetësohet nga fëmijët si një mision në formë loje. Një çast mbresëlënës i tillë aventuresk është kur Tomka dhe shokët e tij shkojnë në kërkim të armëve te kalaja, dhe ata me naivitetin e tyre mendojnë se do t’u bëjnë sfida të mëdha nazistëve.

E gjithë veprimtaria e tyre është fokusuar në lojën fëmijërore. Hilet dhe djallëzitë e zakonshme fëminore përdoren në këtë film kur ata mendojnë sesi do ta mposhtin qenin e zi dhe të frikshëm të nazistëve. Filmin “Tomka dhe shokët e tij” e bënë gjithnjë e më të dëshirueshëm për fëmijët pjesëmarrja në aksion, e cila është një strategji gjithëkohore edukimi. Vetë struktura e filmit është ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i përshtatet më së miri psikologjisë fëmijërore.

Kritikët e filmit shprehen se “regjisorja Xhanfise Keko ka qenë e detyruar të tëhuajësonte disa ndikime ideologjike të kohës si tallja me ballistët, përshëndetja komuniste në gojën e ushtarit italian”, por me kalimin e kohës këto detaje mbeten shumë të zbehta dhe artificiale, ndërsa loja aktorëve fëmijë, gjallëria dhe intensiteti i xhirimeve artistike e kanë bërë një nga filmat më jetëgjatë dhe të admirueshëm edhe sot për fëmijët.
 
ZBRAZËTIA E KINEMASË PËR FËMIJË
 
Vlerat e filmit “Tomka dhe shokët e tij” mbeten akoma edhe më të ndritshme së bashku me imazhin e regjisores Xhanfise Keko, edhe për faktin se aktualisht kinemaja për fëmijë po përjeton një zbrazëtisë të madhe dhe të parikuperueshme. Kjo zbrazëti ka ngërthyer si sasinë edhe cilësinë e filmave shqiptarë për fëmijë, të cilët shohin vetëm filma të huaj të dubluar ose ndonjë telenovelë të përshtatur, pa asnjë cilësi artistike.

Ndërkohë kritika gjithmonë e ka vlerësuar filmin “Tomka dhe shokët e tij”, sepse i ka të gjithë elementët e duhur që përbëjnë një vepër cilësore kinematografike për fëmijë. Disa elemente arketipale si aventura, fantazia, rreziku, grupi, ëndrra, sekreti, kafshët, energjia, kureshtja, gjenden në të gjitha veprat cilësore për fëmijë. Kërkimi i armëve te kalaja, sfida kundër nazistëve, mposhtja e qenit të zi, pjesëmarrja në aksion, hakmarrja me shpërthim…”. Pra ky film ngjall tek fëmijët emocione dhe pasionet të panumërta, ndërkohë që nuk mungojnë edhe batutat gazmore si “o Guri, o trim me fletë, hahahha!”. Sa për bardhezinë e këtij filmi, nëse vërejmë cilësinë artistike, nuk ke ç’të thuash, mjafton të shohësh disa nga fotot e këtij filmi...

Fragment nga filmi Tomka dhe shokët e tij
(Në foto: Fragment nga filmi Tomka dhe shokët e tij)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'