“Urbanika”, nëna rome humb fëmijën
3-javësh, rrezikohet nga kanceri

“Urbanika”, nëna rome humb fëmijën<br />3-javësh, rrezikohet nga kanceri
TIRANE- Kanceri i gjirit dhe sistemi shëndetësor është tema në fokus të emisionit “Urbanika” në “A1 report”. Muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit i inicuar nga “A1 Report” e “Shqiptarja.com” ka dhenë efekte të jashtëzakonshme tek ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të kryer kontrolle pranë mjekëve. Por një grua rome e cila ka zbuluar gjëndra në gjirin e saj, pretendon se rasti i saj është neglizhuar nga mjekët pranë ambulancës së lagjes në Shkozë të Tiranës. Ajo ka kërkuar ndihmën e emisionit “Urbanika” në “A1 Report”, që rasti i saj të ndiqet nga mjekët onkologë deri në fund.

Gruaja rome, Kozeta Berati 32 vjeç, nënë e tre djemve, humbi fëmijën e saj të katërt në mars të këtij viti si shkak i të ftohtit dhe kushteve të vështira ku ajo dhe familja e saj jetojnë në varfëri ekstreme në Shkozë të Tiranës. Sapo ka parë grupin e emisionit “Urbanika” të “A1 Report” në baraket e romëve një ditë më parë, teksa trajtohej emisioni për strehimin e këtij komuniteti, ajo ka kërkuar ndihmë për shqetësimin dhe dyshimet e saj për një kancer gjiri.

Kozeta ka zbuluar gjëndra në gjirin e saj, të cilat shfaqen dhe zhduken herë pas here. 32-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e mjekëve në ambulancën e lagjes në Shkozë, por siç thekson ajo, ka hasur në neglizhencë dhe diskriminim. Edhe pse ka kërkuar kontroll të imtësishëm të gjirit, Kozeta thotë se është përcjellë vetëm me një matje tensioni.

Sapo është njoftuar nga gazetarët, Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë Thanas Goga dhe Drejtori i Shëndetit Publik pranë kësaj ministrie Gazmend Bejtja kanë dhënë porositë që rasti i 32-vjeçares rome të merret përsipër nga Shërbimi i Onkologjisë Paliative, i cili kryen vizita në familje.

Mjeku Henrik Zotaj i Shërbimit të Onkologjisë Paliative, është paraqitur bashkë me ekipin e tij për vizitë në barakën e 32-vjeçares rome duke u përpjekur fillimisht ta qetësojë atë nga shqetësimi për një kancer gjiri.

Pasi ka kontrolluar gruan rome, mjeku Zotaj, ka theksuar se rezultati nëse kemi të bëjme me një kancer gjiri ose jo, pritet të dalë pas analizave të rekomanduara pranë Poliklinës së Specialiteteve dhe ekos së gjirit që Kozeta do të kryejë.

Nëse do të jetë e nevojshme ajo do t’i nënshtrohet edhe një mamografie për të patur rezultate më të qarta. Tashmë, pas kësaj ndërhyrje nga emisioni “Urbanika” pranë instancave të Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që në ditët vijim, 32-vjeçarja rome t’i nënshtrohet një liste të gjatë analizash, ekos së gjirit dhe mamografisë për të vërtetuar dyshimet për një kancer të mundshëm gjiri.

Rasti i saj dhe tematika e Kancerit të Gjirit janë trajtuar gjërësisht në emisionin “Urbanika”.

Mjeku Zotaj u ndal gjithashtu edhe tek problematikat me të cilat përballet komuniteti rom sa i takon marrjes së shërbimit shëndetësor, pasi ata nuk janë të pajisur me libreza shëndetësore.

Sipas Drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Arsimit, Gazmend Bejtja, komuniteti rom përballet me një sërë problematikash sa i takon marrjes së shërbimit shëndetësor, duke theksuar se duhet të hartohen politikat e nevojshme për këtë kategori.
 
Sipas Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, kjo kategori përballet me probleme të ndryshme sociale e shëndetësore, duke theksuar se nevojitët më shumë përkujdesje.

Përfaqësuesja nga Shoqëria Civile, Dona Godja, tha se është i rëndësishëm një ndërgjegjësim më i madh i shoqërisë sa i takon rrezikut nga kanceri i gjirit. Sipas Dona Godja, gratë duhet të ushtrojnë në mënyrë vetjake kontrolle të herëpashershme të gjoksit të tyre, në mënyrë që në rast se dallojnë ndonjë ndryshim në të, t’i drejtohen mjekut të familjes.

Ndër më tej, përfaqësuesja e shoqërisë civile, tha se nevojitet thyerja e disa tabuve shoqërore, në mënyrë që gratë shqiptare të mos penalizohen nga komplekset shoqërore, dhe të mos i drejtohen mjekut në kohën e duhur.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ S'ka mrekulli në 'Elbasan Arena', Egnatia eliminohet me penallti nga Borac Banja

Champions League/ S'ka mrekulli në 'Elbasan Arena', Egnatia eliminohet me penallti nga Borac Banja