“Zog, pse ike?” Pushtimi i Shqipërisë
dhe dinakëria e një mbreti

“Zog, pse ike?” Pushtimi i Shqipërisë<br />dhe dinakëria e një mbreti
Rreth librit “Zog, pse ike” të Ylli Polovinës, në muajin dhjetor të vitit të shkuar revista e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Hungarisë botoi një recension të albanologut dhe njëkohësisht diplomatit György Dr. Réti (për disa vite edhe zv.ambasador i vendit të vet në Tiranë).
Shkrimi i studiuesit bashkëkombës Harillaq Kekezi, që po botojmë sot, është recensioni i dytë për këtë libër të Polovinës. Ai sapo është publikuar në faqet 107-113 të revistës shumë të njohur kulturore hungareze “Klio”.
 
KUR FAKTET FLASIN VETË
(Rreth librit të Ylli Polovinës“Zog, pse  ike?”)
Mbase në rrethana të tjera pyetja përse mbreti Ahmet Zogu i Shqipërisë e braktisi vendin, kur Italia fashiste  e pushtoi atë më 7 prill 1939, nuk do të paraqiste ndonjë interes të veçantë për opinionin publik hungarez, në qoftë se pikërisht ky mbret të mos ishte i martuar me konteshën e hijshme Geraldina Apponyi, me baba hungarez dhe nënë amerikane. Autori i librit “Zog, pse ike” Ylli Polovina për këtë mbretëreshë shkruan se mirësinë e pati të qëndisur në fytyrë. Ajo ishte simboli i Evropës dhe i qytetërimit perëndimor, mesazh i çiltër i tyre.

Polovina, autor i njëzetë e dy librave në shqip dhe i tre në italisht nuk pretendon të paraqitet tërësisht historian, por më tepër një publicist, që sjell fakte konkrete për t'i dhënë mundësinë lexuesit të nxjerrë edhe vetë përfundime dhe të ballafaqojë pikëpamjet e tij me ato të autorit dhe të interpretuesve të tjerë të ngjarjeve, që lidhen me pushtimin fashist të Shqipërisë dhe me sjelljen e mbretit Zog në ato momente historike.

Sipas mendimit të autorit, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 mund të ndodhte edhe sikur në krye të shtetit të saj të mos ishte Ahmet Zogu,  sepse këtë fatalitet e përmbanin rrethanat ndërkombëtare të kohës. Mirëpo kjo nuk e shmang Ahmet Zogun nga gjykimi i përhershëm i këtij momenti.
Gjatë mbretërimit të tij Zogu tentoi pa ndërprerje të destabilizonte marrëdhëniet italo-jugosllave. Ai frikësohej se mos mbretëria e tij transferohej në një protektorat të njërit apo tjetrit shtet. Nga njëra anë,  për një kohë iu përmbajt marrëveshjes së fshehtë të gushtit 1924, që nënshkroi me kryeministrin serb Nikolla Pashiç në këmbim të ndihmës së serbëve për të luftuar qeverinë demokratike të Fan Nolit, nga ana tjetër, prej vitit 1927 punoi për lidhje me Italinë dhe mbështetja e saj e bëri mbret me 1928, por, kur erdhi koha që të çlirohej nga lidhjet me Italinë, ajo e pushtoi më 7 prill 1939.
....
Ylli Polovina në punimin e tij u referohet dy alternativave të shprehura në atë kohë për ikjen e Zogut: E para, të qëndronte me popullin e tij, të godiste pushtuesin nga malet, duke fituar kështu adhurimin e botës dhe mirënjohjen e popullit; e dyta, të qëndronte në vend, të pranonte zbarkimin paqësor te trupave fashiste italiane në portet dhe pikat strategjike të Shqipërisë dhe të shfrytëzonte garancitë e Musolinit për “ruajtjen e dinjitetit  dhe mbrojtjen e sovranit dhe të dinastisë së tij.” Pra, të ndiqte rrugën, që ndoqi mbreti i Danimarkës Christiani X, i cili në vitet 1944-45 filloi formimin e grupeve klandestine antinaziste, duke u bërë simbol i rezistencës daneze dhe pas luftës e rifitoi fronin legjtim të tij. Zogu nuk e bëri këtë, sepse e gjykonte  kurth për ta shfarosur butësisht.

Autori sjell prova, që vërtetojnë se Zogu e kishte vendosur ikjen para se të shtrëngohej realisht prej zbarkimit të trupave fashiste italiane. Ai  kreu  transferimin e Thesarit nga Banka Kombëtare në duart e tij. Ai mori andej 183 kg flori dhe në ikje kishte me vete një kamion me 18 arka flori. Të dy thesaret, atë të Kurorës Mbretërore dhe Thesarin e Shtetit i përfshiu në pasurinë e tij personale. Zogu nuk e bëri publik vendimin  për ikje, sepse kjo do të dekurajonte jo vetëm ushtrinë e tij dhe popullin e indinjuar nga agresioni, por edhe do të nxiste kundërveprimin më të fortë të italianëve dhe të kundërshtarëve të tij politike. Kjo do ta vështirësonte ikjen e tij.

Zogu iku fshehurazi, sepse druhej  nga revolta dhe përbuzja e merituar e njerëzve të thjeshte.  Zogu iku, por grupe patriotësh shqiptarë, midis të cilëve Mujo Ulqinaku me shokë, bënë rezistencë aktive dhe nuk ka asgjë të vërtetë se fashistët  hynë në tokën shqiptare të pritur me lule. Vete Zogu nuk shpërndau armë për masën e protestuesve, por vetëm besnikëve të tij personale, që kishin zgjedhur ëjo misionin e  mbrojtjes se atdheut, por të Zogut, të familjes së tij  dhe të klasës politike të lidhur me të.
Me të drejtë autori Ylli Polovina në punimin e tij shtron pyetjen përse mbreti Zog iku? Si duhet vlerësuar ikja e tij dhe braktisja e vendit në një moment tepër kritik për të? A ishte tradhtar kombëtar apo mbret me merita kombëtare?

Ai është i mendimit se në rastin e pushtimit fashist italian Zogu bëri një përllogaritje dinake:  synoi të krijonte përshtypjen se ishte me shqiptarët dhe iu drejtua me radio nënshtetasve të vet të luftonin kundër italianëve deri në pikën e fundit të gjakut dhe bashkë me ta do të vishte opingat e do të dilte në mal për të luftuar. Ai llogariste gjithashtu të bëhej aq rezistencë sa opinioni publik ndërkombëtar të merrte vesh se Shqipëria u pushtua dhe se ai e la vendin aspak me dëshirën e tij, por i dëbuar padrejtësisht. Duke u hequr si viktimë, ai mbetej kështu edhe i ligjshëm të pretendonte që në një kohë tjetër, pas luftës, të rikthehej në Tiranë, në fronin e tij, me mbështetjen e Anglisë, sepse edhe për këtë jo pa qëllim  u strehua aty.

Përfundimi i dytë i autorit është se për monarkun shpëtimi i vetes ishte më me përparësi se ai i atdheut. Në këtë synim atë e ndihmuan edhe rrethanat. Boshti fashist e kishte paracaktuar pushtimin e Ballkanit  si objektiv të parë gjeostrategjik të ekspansionit te vet. Në këtë plan autori  u referohet edhe mendimeve të disa interpretuesve të veprimit të Zogut, kryesisht studiues italianë, anglezë dhe amerikanë, të cilët kanë theksuar se monarku shqiptar zgjodhi mospërplasjen ushtarake me fashistët për shkak të Geraldina Apponyit, e cila  me fëmijë të vogël dy-tri ditësh pas një vit martese, ka qënë motivim për të mos prishur qetësinë e jetës së tij familjare. Geraldina dhe trashëgimtari i Shqipërisë së nesërme qenë tashmë për të busulla e jetës.

Për autorin në mes të shqiptarëve mbetet perceptimi i përgjithshëm se Ahmet Zogu është më shumë  i mospëlqyer se i respektuar. Nje sondazh, që u bë në fundin e vitit 2012, në kulmin e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së shtetit shqiptar, tregoi se 54% e pjesëmarrësve mendonin se Ahmet Zogu qe hajdut dhe vrasës, 15% - ishte një udhëheqës sa i  mirë, aq edhe i keq. Po 15 % u shprehën se ai ishte
udhëheqës në kushte të vështira dhe 15 % mendonin se përfaqësonte një lider të shkëlqyer.

Ylli Polovina shpreh mendimin se cilësimi i Zogut si tradhtar ka qënë më i vjetër se dita e pushtimit fashist italian. Ky cilësim i është bërë nga Fan Noli që kur Zogu u strehua ne Jugosllavi pas Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 dhe e mori pushtetin në Tiranë pas gjashte muajve, kur ishte organizuar në tokën jugosllave dhe kishte nënshkruar  marrëveshjen e fshehtë me Pashiçin, në bazë të së cilës i fali atij tokën shqiptare të Shën Naumit.
Pas 7 prillit 1939 është Faik Konica, publicist i shquar, Ministër Fuqiplotë i Zogut në SHBA për 13 vite rresht, që do të deklaronte se mbreti e tradhtoi vendin, ndërsa bashkëpunëtori shume i ngushtë i monarkut Çatin Saraçi në librin e tij “Zogu i shqiptarëve” e përmbyll me deklaratën: “Unë Çatin Saraçi të akuzoj ty, Ahmet Zogu, si tradhtar t, atdheut, si vrasës e hajdut!”

Ylli Polovina me  librin e tij  na informon se pikëpamja për Zogun si tradhtar i vendit të vet nuk gjendet  si opinion mbizotërues në interpretimet e historigrafisë perëndimore. Në Itali formulimi më i përhapur dhe më i pranuar për sjelljen e Ahmet Zogut në 7 prill 1939 është “ikja”, 'braktisja” apo “e la vendin”, “duke mos iu bindur tutelës së Romës”, sepse ai “frikësohej mos mbretëria e tij transformohej në një protektorat.” Ndërkohë,  Italia mbetet edhe vendi, që ka formuluar për herë të parë për monarkun e Tiranës fjalën “tradhtar”. Ambasadori i Romës në Londër Guido Krola, zbulon për herë të parë Polovina, në takimin që pati më 8 prill 1939 me Ministrin e Jashtëm anglez, lordin Halifaks, i deklaroi atij se “tradhtia e Zogut ndaj popullit shqiptar ishte provuar nga ikja e tij, edhe pse Duçja i ofroi një marrëveshje që e ruante pavarësinë e Shqipërisë”.
....
Për sa i përket qëndrimit të historigrafisë hungareze Ylli Polovina vë në dukje se studiuesit hungarezë, ndërsa pritej prej tyre që për hir të konteshës Geraldina Aapponyi si bashkëkombëse të  tregoheshin dashamirës ndaj Ahmet Zogut, ata e vlerësuan më  rreptë në krahasim me disa studiues të vendeve të tjere. Për të vërtetuar këtë ai sjell si provë deklaratën e ambasadorit hungarez në Romë, baronit Frigjyes Villany, dhe shkrimin e korrespodentit të gazetës “Pesti Hirlap” Andras Mihaly, i cili me 1939 shkruante: “Në rast se ky vend e ka një fjalë kyç, kjo është hakmarrja...Ahmet Zogu ka qëndruar në pushtet me nje seri të tërë hakmarrjesh”.

Në kohën e sotme, albanologu hungarez Gyorgy Reti, autor i  shkrimit “Geraldina - mbretëresha hungareze e fronit shqiptar”, botuar në revistën  e ilustruar historike të Hungarisë “Rubikon”, numër 2, 2011, ka shprehur opinionin  se  Zogu nuk mund të pranonte ultimatumin italian, “por në vend të rezistencës zgjodhi ikjen”. Në përgjigje të një kërkese të autorit të këtij libri Gyorgy Reti shkruan se Ahmet Zogu “më  duket se nuk ishte  një tradhtar, por as edhe një burrë shteti e patriot i madh. Ai duhej (ose të paktën e kish për detyrë) të zotëronte nga Roma informacione për agresionin që po përgatitej dhe kështu të mund të organizonte rezistencën e vendit të vet. Nuk e bëri këtë gjë, zgjodhi ikjen, dhe,  në rast se është e vërtetë, mori me vete edhe një pjesë të madhe të thesarit bankar të Shqipërisë. Kështu ai u soll jo si një burrë i vërtetë shteti dhe ca më pak si një hero, por si një egoist dhe aventurier, ashtu siç edhe qe gjithë jetën e tij.”

Në Shqipëri jo vetëm  ndër historianët e mirëfilltë, por edhe  në radhët e intelektualëve të tjerë e të shtresave të gjëra të popullit është rrënjosur mendimi se Ahmet Zogu ka qëne  tradhtar i vendit. Për autorin Polovina pohimi tjetër se Zogu nuk është aspak i tillë gjeti përherë e më shumë hapësirë pas vitit 1990, kur shoqëria shqiptare u çlirua nga trysnia e propagandës së regjimit komunist totalitar. Kështu që në Shqipërinë e sotme është krijuar një polarizim i madh i dy qëndrimeve të anasjellta. Në këtë drejtim, thekson Ylli Polovina, ka  ndikuar ndërhyrja e politikës.

Nuk e di se për çfarë  arsye autori nuk shtjellon në këtë kuadër faktin se në procesin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë u zhvillua debati rreth raportit të politikës së sotme me historinë e historianët, debat, që u shoqërua me kërkesa konkrete për të rishikuar vlerësimin e disa prej figurave, që kanë luajtur rolin e tyre të madh për shpalljen e Pavarësisë apo për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar në periudhat  e mëvonshme. Në këtë mënyrë u lanë në hije figurat qendrore me Ismail Qemalin në krye dhe u glorifikua Ahmet  Zogu, duke i veshur merita që nuk i pati.

Nga Franca u sollën eshtrat e Ahmet Zogut dhe u rivarrosën me ceremoni të madhe më 17 nëntor 2012. Në këtë ceremoni Presidenti i Shqipërise Bujar Nishani deklaroi se Zogu është figura me e rëndësishme
në historinë njëqindvjeçare të shtetit, ndërsa  ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi atë si njeriun që e ka jetësuar  pavarësinë e Shqipërisë.
Sikurse shkruan në librin e tij “Integrimi dhe nacionalizmi” Prof. Servet Pëllumbi, glorifikimin e Ahmet  Zogut Berisha e çoi dhe më tutje me ngritjen në piedestal të shtatores së  tij pikërisht më 24 dhjetor 2012, ditën e përmbysjes së Qeverisë Demokratike të Fan Nolit dhe të ardhjes së Zogut në fuqi me ndihmën e serbëve dhe të bjellogardistëve rusë. Berisha nuk ngurroi t'i quante patriotët më të mirë   Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Stavro Vinjaun, Shefqet Korçën, Bajram Currin e të tjerë ”një grusht aventurierësh, që organizuan kundër Zogut grushtin e shtetit”!

Sjellja e eshtrave të ish-mbretit Zog në Shqipëri shkaktoi një ndarje të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri për sa i përket vlerësimit të mbretit Zog. Në Shqipëri ndryshe e vlerësojnë figurën e Zogut socialistët, ndërsa në Kosovë Kryeministri Hashim Thaçi, një ditë para ceremonisë së rivarrimit të tij, deklaroi në Kuvend se Ahmet Zogut nuk ia kanë parë fort hajrin shqiptarët, sikurse nuk ia kanë parë Pashiçit, Karagjorgjeviçit, Titos e të tjerëve. Ndërkaq, krejt ndryshe u shpreh Presidentja Atifete Jahjaga në fjalimin, që mbajti në ceremoninë e rivarrimit Ajo tha se mbreti i Shqipërise ka merita të mëdha për ndërtimin e Shqipërisë ligjore, ashtu edhe për kosovarët dhe kombet e tjera, që ishin të rrezikuara në kohën e tij.

Unë bashkohem me mendimin e Prof. Servet Pëllumbit se arsyetime dhe veprime të tilla, që synojnë të rishkruajnë historinë jo mbi bazë të dokumenteve, siç bëjnë historianët, por mbi bazë parapëlqimesh subjektive, të interesave krahinaliste e të politikës së ditës janë të mbarsura me përcarje të rrezikshme kombëtare.
 
* Studiues, anëtar i Institutit të Sociologjisë, Tiranë

Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në suplementin Rilindasi te gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh