Do t’i vinte "Rruspën" gjithçkaje që i dilte përpara. Nga ato që ishin bërë me leje, e pa leje. Nga ato që duheshin legalizuar, apo të tjera që nuk do ta kishin këtë fat. Do t’i vinte rruspën turqve që kishin marrë "Albtelekomin", do t’i vinte rruspën edhe gjermanëve që kishin marrë Aeroportin. E mandej i vuri me gjithë mend rruspën një projekti gjigand të "General Electric" me trenin ekspres që do të lidhte Tiranën me Durrësin, por që rruspa e tij i kushtoi shumë shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë.
Tetë vjet pas, "Rruspa" rikthehet në fjalorin tonë. Tani me ngjyrat e Rilindjes. Kryefjala e kësaj jave, është prishja e ndërtimeve pa leje, pas një konference për shtyp që kryeministri në pritje Edi Rama, zhvilloi nga bregdeti i Vlorës të dielën e kësaj jave.
Thënë shkoqur, do ishte mirë që në territor të vihej paksa rregull. Kur e sheh Shqipërinë nga google earth, apo nga dritaret e avionit, të vjen aq keq për ato parcela të zëna vend e pa vend, pa asnjë plan, pa asnjë projekt uji të pijshëm apo kanalizimesh, pa asnjë kriter ndërtimi e zhvillimi me cerdhe, kopshte, shkolla, rrugë, kënde lojrash, gjelbërim e ndriçim. Banojnë në to me dhjetëra e dhjetëra familje. Të gjithë flasin për procesin e legalizimit, e sidomos pas premtimit të qeverisë së PS e LSI se do të bëhen legalizimet pa para.
Një miku im piktor, që banon te Komuna e Parisit, m’u ankua disa ditë më parë se në katin e 11 të pallatit ku banonte, disa zyrtarë të veshur me pushtet nga ky pushtet në ikje, po ndërtonin hyrje të reja në pallatin që kishte kohë që kishte përfunduar punimet. Gjithë banorët e pallatit ishin mbledhur dhe kishin bërë peticion. Ishte një letër që në fund të fundit, po binte në vesh të shurdhër. Sot, aty në katin e 11 të atij pallati, janë ndërtuar me shpejtësi marramendëse tre hyrje me nga 130 metra katrorë secila. Dhe normalisht qytetarët duhet të lirohen nga kjo barrë, në pallatin e tyre, atë të hipotekuar që prej kohësh, por që për këtë qeveri në ikje, ka akoma njerëz që duan të abuzojnë me pushtetin e zyrat ku janë ulur.
Po ashtu, prej tre ditësh, shqiptarja.com nëpërmjet fotove ka treguar për dy ndërtime dymujore në Ballkonin e Llogarasë dhe të Dhërmiut. Në një kohë rekord, duke shfrytëzuar situatën parazgjedhore dhe postzgjedhore, pronarët e tokave nuk kanë pritur leje, por kanë filluar ndërtimet që shkaktuan fillimisht revoltën e turistëve në rrjetet sociale, e mandej edhe revoltën e medias.
Por nuk ndalet këtu. Le të fillojnë prishjet. Pamjet e bregut të Vlorës, pikërisht aty ku Edi Rama kryeson listën e deputetëve të maxhorancës, tregojnë qartë se vazhdohet me gërryerje për ndërtimin e pallateve majë kodrave që Zoti e di sesi do të qëndrojnë në këmbë. Në shumë pjesë të tjera janë hapur kantiere ndërtimi.
Nëse nisma do të ndalet vetëm në disa shtëpi apo biznese të vogla rreth dy kilometra larg bregut, kjo do të jetë joefikase dhe vetëm me një efekt postelektoral. Pastrimi i bregut dhe një plan i mirëkordinuar urbanistik për ndërtimin e turizmit elitar në zonën jugore të vendit, do të ishte zgjidhja për zhvillimin e integruar jo vetëm për zonën, por edhe për gjithë potencialin turistik që ajo ka.
(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)