LECCO - “Të dashura, Simona, Keisi e Sindi. Eshtë babai juaj ai që ju shkruan me zemrën të mbytur nga dhimbja. Nuk e kuptoj. Nuk jam ende në gjendje ta bëj, por nuk dua të gjykoj nënën tuaj. Na mungoni të gjithëve, prindërve dhe miqve, neve që nuk kuptuam dhe imagjinuam dot që diçka e tillë mund të ndodhte.

Nëpërmjet dhe rreth e rrotull jush shihnim vetëm një dashuri të madhe, dhe mundoheshim të bënim të pamundurën, por kjo nuk mjaftoi. Do të na mungojë gjithçka e juaja. Buzëqeshjet, ëndrrat dhe hareja juaj. Ju lutem të na doni nga qielli. Atje ku jeni tashmë, dhe shpresojmë të na falni atë dashuri që ne këtu nuk ditëm t’jua japim. Atë të ardhme që ëndërronit e që nuk mundëm t’jua falim"

Kjo është letra e lamtumirës që Bashkim Dobrushi, ia shkruan vajzave të tij, Kejsit, Sindit e Simonës. Në Bazilikën e qytetit të Leccos në Itali, pranë banesës ku jetonin dhe iu pre jeta në mes tre vajzave, dje u mbajt një meshë. Mbi tre arkivolët e bardhë shumë lule fotot e tre ëngjëjve që fshehin tragjedinë që jeta i rezervoi mbrëmjen e 9 marsit 2014, në shtëpinë ku mendonin se ishin më të sigurta se askund tjetër. Bashkimi lexoi letrën në fund të meshës.

Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj, në një prononcim për “A1 Report” rrëfeu momente nga kjo ceremoni.

“Kjo vdekje ka goditur gjithë komunitetin shqiptar dhe komunitetin banues në Lecco. Autoritetet e vendit kanë bërë përshëndetjen përfundimtare edhe ceremoninë e përcjelljes së trupave në atdhe. Ceremonia ishte jashtë mase e goditur. Autoritetet e Leccos sot kishin ditë zie në orën 12:00 ku u mbajt edhe 1 minutë zi dhe u ndërpre çdo lloj aktiviteti në orën 19:00. Morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Lecco-s që ka qenë jashtë mase afër komunitetit dhe familjes çdo ditë. Në ceremoni ishin si pjesëtarë të familjes së babait edhe të nënës që dhimbja i ka bashkuar të gjithë”, tha .

I gjithë qyteti i Leccos sot mban zi dhe është solidarizuar me dhimbjen e familjes Dobrushi, por dhe për t'i dhënë mundësi kujtdo që t'i japin lamtumirën e fundit Sindit, Keisit dhe Simonës.

Mëngjesin e së shtunës trupat e pajetë të tre motrave pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit. Më pas do të drejtohen drejt Kukësit, pasi do të përcillen për në banesën e fundit në fshatin e babait të tyre, Dobrush.

Gjithashtu sot, rreth orës 19:00, janë zhvilluar homazhe edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Prefekti i Lecco-s, Presidenti i Provincës së Lecco-s Daniele Nava dhe Kryebashkiaku i Lecco-s Virginio Brivio.

LECCO I JEP LAMTUMIREN E FUNDIT SINDIT, KEISIT DHE SIMONES
Edhe dje qindra qytetarë, por mbi të gjithë fëmijë i kanë dhënë lamtumirën e fundit 3 motrave Dobrushi. Homazhet u zhvilluan në qendrën e pritjes “Casa sul Pozzo”, përballë xhamisë në Lecco. Një fotografi gjigante e tre vajzave ishte vendosur në hyrje të dhomës. Pranë ishte ulur babai i tyre i rrethuar nga të afërmit. Në hyrje ndodhej edhe një poster i madh ku poshtë fytyrave të Sidnit, Keisit dhe Simonës, shkruhej “Lamtumirë!”.

Shumë prej shokëve të shkollës kishin lënë mesazhe ngushëllimi, vizatime, fotografi dhe zemra të ngjyrosura. “Na vjen keq për ju që nëna juaj ishte e sëmurë”, thoshte një prej të pranishmëve.

Gati të gjithë kishin sjellë buqeta me lule të bardha dhe vizitat e qytetarëve, shqiptarë dhe italianë vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes.

LECCO NE DITE ZIE PER 3 MOTRAT DOBRUSHI
Edhe gazeta e qytetit Lecco në Itali "Lecconotizie.com" ka vendosur fjongon e zezë në shenjë zie ndaj 3 motrave të cilat u vranë nga nëna e tyre.
lecco notizie
(Foto/"Lecconotizie.com" me fjongon e zezë në shenjë zie për 3 motrat Dobrushi)

DOBRUSHI: NESE EDLIRA DO KISHTE FOLUR KJO S'DO KISHTE NDODHUR 
Familja Dobrushi është myslimane, por vajzat kanë ndjekur katekizmin dhe ishin afër Karitasit. Cermonia ishte kërkuar nga babai dhe xhaxhai i tri vajzave.

“U thashë se vajzat do të shkojnë në parajsë. Ishte një tragjedi  e tmerrshme si rezultat i mungesës së dialogut. Kam bindjen se nëse nëna do të kishte bashkëbiseduar, ndoshta asgjë nga e gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur"

vajza itali
(Në foto: Ceremonia mortore dhe 3 vogëlushet e vrara nga nëna e tyre) Foto të tjera
 
Redaksia online
(a.k/e.s/ac/shqiptarja.com)