L’Echo de Paris (1916)/ Intervista me Esat Pashën para se të nisej për vizitë në frontin e luftës franko-gjermane: Jam armiku i Austrisë

L’Echo de Paris (1916)/ Intervista me Esat Pashën para se të nisej për vizitë në frontin e luftës franko-gjermane: Jam armiku i Austrisë

“L’Echo de Paris” ka botuar, të enjten e 6 prillit 1916, në faqen n°4, intervistën me Esat Pashë Toptanin, para se të nisej për të vizituar frontin e luftës franko-gjerman, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Esat Pasha u nis për në front

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, kreu i qeverisë shqiptare që i rezistoi sulmit austriak në rajonin e Durrësit, dhe që aktualisht ndodhet në Francë, po niset sot në mëngjes për një vizitë në front. Ai shoqërohet nga z. de Fontenay, ministër i Francës në Shqipëri, dhe nga z. Krajewski, delegat i Francës në komisionin e kontrollit për Shqipërinë. Ai na priti dje dhe na tha :

“Unë jam armiku i Austrisë. Unë mbroj kundër saj, ashtu si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare. Austria vazhdimisht ka kërkuar të aneksojë popujt fqinj, duke mbjellë ndarje midis tyre, me qëllim instrumentimin dhe rekrutimin e trupave të saj në mesin e tyre. Ajo praktikoi këtë system në Bosnje dhe Hercegovinë dhe dëshiron ta praktikojë po ashtu në mesin e shqiptarëve.

E kam vënë re menjëherë pas luftës së parë ballkanike, kur ajo dëshironte të impononte si sovran një gjerman, Princin e Urach-it, të martuar me një arshidukeshë. Agjentët austriakë me kontaktuan me të gjitha mënyrat dhe më kërkuan të mbështesja kandidaturën e tij. E kam luftuar pasi e di se si të luftoj dikë.

Na imponuan Princ Vidin, një gjerman tjetër që nuk merrte vesh pretendimet e popullit që do të udhëhiqte. Austria e kishte zgjedhur atë si të tillë që të mbretëronte nën emrin e tij.

— A do ta instalojë ajo sërish në Durrës ?

— Dyshoj shumë. Ajo nuk ka më nevojë për këtë “kukull”.

— Kë mori si guvernator ?

— Një kushëri timin të largët, i cili ishte menaxheri (shërbëtori) im në fshat.

— Ajo do të preferonte të ishit ju ?

— Nuk më kanë munguar ofertat.

— Si merret vesh ajo me bullgarët ? Sepse edhe ata kanë pretendime në Shqipëri.

Esat Pasha buzëqesh në mënyrë djallzore :

— Këto janë pretendime të parealizueshme. Austria i ka lënë bullgarët të vijnë deri në Elbasan dhe Peqin, me shpresën për t’i stërvitur kundër trupave italiane në Vlorë. Por bullgarët nuk do të marshojnë kundra Vlorës.

— Ata mblodhën në Sofje një kongres të shqiptarëve...

— Këta shqiptarë nuk kanë as toka, as shtëpi, as dyqan në Shqipëri. Çfarë dëshironi që ata të përfaqësojnë ?

Esat Pasha e tha këtë me një lloj krenarie. Na duket sikur shohim në sytë e tij imazhin e pasurive të mëdha që ai zotëron në diell, atje. Sidoqoftë, insistojmë :

— Pra, këto ambicie bullgare ?...

— Të paarritshme, po ju them. Më së shumti ka në Sofje një njeri që mendon të marrë Shqipërinë, ashtu si Vilhemi II do të dëshironte të merrte shumë gjëra.

— Do të shihni, në front, se Vilhelmi II nuk ka gjasa të arrijë qëllimet e tij ?

— Oh! u përgjigj qetësisht Esat Pasha, nuk kisha nevojë të shkoja në front për të dyshuar për të!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët