Zoti Gjana Shqipëria është në pritje të një vendimi nga vendet e BE-së për statusin kandidat. Sa shpresa mendoni se kemi për një përgjigje pozitive këtë herë?
Kemi vite që presim, e disa herë kemi pritur e stërpritur për fajin tonë. Duke u kapur te detajet e politikës së brendshme kemi harruar se porta e BE-së jo gjithmonë është e hapur kanat më kanat. Tani që ne jemi gati pozitë-opozitë, BE-ja ka problemet e veta edhe pse shpresoj që edhe në këto kushte përgjigjja do të jetë pozitive, sepse shanset janë më të larta sot pasi sapo u mbyllën zgjedhjet në BE. Por, cilado qoftë përgjigja që do të marrim nga Brukseli, besoj se kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë do të vështirësohen në muajt dhe vitet në vazhdim dhe, kjo më shqetëson pasi krahas plotësimit të kushteve të përgjithshme për marrjen e statusit të vendit kandidat, nuk është bërë sa duhet progres në shumë fusha që prekin drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve.
Mendoni se fitorja e euroskeptikeve mund të ndikojë negativisht?
Ndikon pa dyshim. Edhe pse shumë eurofilë shprehin krejt të kundërtën, euroskepticizmi vështirëson integrimin e vendeve jo-anëtare apo jo kandidat-anëtarë të BE-së. Megjithatë, me një euroskepticizëm që pritej të ishte më i lartë, situata nuk është as e bardhë e as e zezë, por një gri e çelur. Së paku unë kështu e shikoj, apo dëshiroj ta shikoj.
A e ka bërë politika punën e nevojshme për një vlerësim pozitiv, mazhoranca dhe opozita, duke qenë se çdo herë kryefjala e ndërkombëtarëve është bashkëpunimi?
Nëse ka një muaj ku bashkëpunimi pozitë-opozitë është në shkallën më të lartë ky është muaji qershor. Ka pasur jo pak raste ku mund të kritikohej njëra palë se po pengon tjetrën dhe anasjelltas, aq sa ishte krijuar përshtypja në disa zyra të BE-së se politikanët shqiptarë nuk e kishin seriozisht vullnetin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por qëndrimet e z. Rama dhe z. Basha kohët e fundit kanë qenë në sintoni sa i përket qëndrimit të përbashkët të tyre: “Shqiptarët e meritojnë integrimin". Dhe kjo është për t’u vlerësuar. Më mirë vonë se kurrë.
Si e vlerësoni politikën opozitare në kuadër të integrimit?
Nisur nga gjetja e gjuhës së mirëkuptimit pozitë-opozitë në qershor në lidhje me statusin, është një veprim për t’u vlerësuar e nxitur në të ardhmen.
Po për sa i përket opozitarizmit në rolin e monitoruesit, kritikuesit apo dhe nxitësit të qeverisë për t’i bërë gjërat më mirë?
Opozita, kushdo qoftë ajo, ka në dorë vetëm qëndrimin kundërshtues-konstruktiv ndaj politikave qeverisëse. Aq më tepër kur në numra, kjo opozitë është e mangët, goxha madje. Kjo besoj se ka ndikuar në rritjen e tonit të zërit apo gjestikulacioneve për të kundërshtuar këtë apo atë qëndrim qeveritar. A ka pasur raste të teprimit të reagimit dhe të shkeljes flagrante të normave të etikës së komunikimit? Nuk mund të thuhet jo për secilën palë. Ashtu siç është më e vështirë të thuhet se çdo nismë qeveritare ka qenë e kthjellët si kristali. Edukimi më kulturën e parlamentarizmit do pak kohë sa të sintonizohet me ato të homologëve evropiane. Mos harrojmë se mentaliteti totalitar dhe gjuha e diktatit janë ende të pranishme në fjalorin e politikanëve, si për të na bërë me dije se të hedhësh kokëposhtë një monument diktatori, nuk është njëlloj si të hedhësh kokëposhtë mentalitetin e diktaturës. Do kohën e vet.
Opozita e drejtuar nga demokratët duket se që në hapat e parë të qeverisë së re e nisi me 'sulme', fillimisht protesta, mbështetje për greva apo dhe një numër shumë i madh nismash për komisione hetimore. Është kjo rruga e duhur?
Sigurisht që ishte një opozitë e tkurrur në numër. Një opozitë që kërkonte të gjente kauzë në çdo nismë qeveritare. Fillimisht më duhet të them se edhe koalicioni i gjerë pozitar shprehet me fjalë a me sjellje, me një lloj krenarie të tepruar, ndonjëherë edhe shenja të arrogancës, dhe kjo u vë re menjëherë, që në fjalorin e përdorur kur krahasuan fitoren me “1 milion shpulla’. Protestat dhe grevat janë elemente të demokracisë, mjaft që me to të mos abuzohet. Për shembull, greva e të persekutuarve realisht politike është e bazuar, pasi pati një premtim që për mendimin tim u zvarrit (nisur nga premtimi i bujshëm). A përfitojnë në këto greva edhe pseudo të persekutuar apo edhe nëpunës administrate krejt të paaftë, që për mendimin tim ishin edhe një nga shkaqet kryesore që elektorati ndërroi qëndrim? Jam i mendimit që po; ndoshta disa syresh mund të përfitojnë të parët madje. Por kjo nuk do të thotë se greva e të persekutuarve realë dhe të administratorëve civilë që e kanë marrë statusin e nëpunësit edhe me provime të institucioneve ndërkombëtare (kryesisht bij të ish të persekutuarve politike), të mos ketë të drejtë morale dhe ligjore. Këtu është e vështirë të ndahet shapi nga sheqeri, por jo e pamundur. Nëse mbizotëron vullneti i mirë dhe dëshira për të kryer reforma institucionale dhe jo thjesht për të këmbyer disa militante me disa të tjerë.
Jeni ju pro Aleancës opozitare kundër trafikut të drogës, keni qenë në tryezë por pa u bërë pjesë e diskutimeve?
Jam pro çdo lloj aleance opozitare kur objekti i bashkimit të qëndrimeve është me bazë jo fallso dhe kur bëhet fjalë për kauza. Në këtë rast droga është çështje mjaft e rëndësishme për t’i dhënë zgjidhje, se ndikon drejtpërdrejt në jetën e bashkëkombësve shqiptare, pa dallim sigle a ngjyre partiake.
Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme?
Nëntë muaj s’janë as pak dhe as shumë. Qeveria e mori me rrëmbim zgjidhjen e problemeve që kishte premtuar në fushatë, por, si çdo gjë e rrëmbyer, nuk korr suksesin e dëshiruar. Kujtoj mbylljen e lojërave të fatit, që më pas rezultoi ndryshe... Shëndetësia dhe legalizim falas, të cilat në këndvështrimin tim nuk janë edhe aq falas sa u premtua. Një tolerancë e tepruar me fqinjët, aq sa u përfitua nga mikpritja dhe më pas z. Rama ia kujtoi një pseudo miku se kishte abuzuar me mikpritjen shqiptare. Një shembull ky, që për hir të marrjes së statusit, nuk duhen bërë lëshime në çështje jetike dhe investime strategjike të Shqipërisë. Në këtë kuptim, qeveria aktuale nuk duhet të gabojë me tolerancën e tepruar të ish-mazhorancës së djeshme me CEZ-in, helikopterët francezë, apo shelfin detar. Kjo qeveri nuk duhej të lejonte shovinizmin serb të merrte revansh më 1 qershor në mes të kryeqytetit, nuk duhej të lëshonte pe ndaj Athinës, aq sa z. Bollano dhe ndjekësit e tij të ngrejë zërin për të kërkuar qiqra në hell.
Çfarë duhet të ndryshojë në qëndrimin opozitar apo atë të mazhorancës për të pasur vërtet institucione në shërbim të qytetarit?
Për të pasur institucione sa më pranë qytetarit duhet që punonjësi i administratës ta ndjejë veten si shërbestar dhe jo si kaposh ndaj qytetarit të thjeshtë. Nëse administrata funksionon jo mbi bazë të imunitetit partiak të punonjësit, por mbi bazë përkushtimi dhe droje ndaj zërit të qytetarit, atëherë mund të them se institucionet kanë nisur të hedhin hapa më të qëndrueshëm. Për mendimin tim, është e domosdoshme që administrata të depolitizohet dhe të krijohen mekanizmat ligjorë për ti parandaluar partitë dhe politikën që të fusin duart në administratë dhe ta konsiderojnë atë si rezervat militantësh pasi kjo praktikë ka dhënë provën gjithkund se e ul cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, rrit arrogancën e disa punonjësve të administratës dhe vë në rrezik besimin që qytetarët duhet të krijojnë ndaj administratës dhe shtetit. Nëse institucionet funksionojnë në jetën e përditshme të qytetarit, atëherë edhe shteti do te funksionojë. Dhe për të ndryshuar diçka në drejtim e duhur, mendoj se të gjithë qytetarët janë dakord se kjo është barrë e mazhorancës.
Reforma territoriale, jo favorizime për minoritetet
Reforma territoriale është konsideruar me rëndësi jo vetëm nga politika shqiptare por dhe ajo ndërkombëtare ndërkohë që opozita nuk u bë pjesë e saj. Mendoni se kushtëzimi opozitar, politik për sa kohë që duket se PD nuk është kundër reformës në thelb, cenon kryerjen e reformave të nevojshme për qytetarët?
Për reformën territoriale, ne i bashkohemi atij qëndrimi opozitar ku ndarja territoriale të mos favorizojë elemente të minorancës joshqiptare, duke krijuar precedentë që në të ardhmen mund t’i shkaktojnë telashe truallit shqiptar. Këtu ne e vëmë theksin. Në rastet e tjera, kur nuk qëndron ky lloj shqetësimi të truallit kombëtar, reforma territoriale është e pranueshme nga ne në çdo lloj ndarjeje e cila mundëson një administrim sa më efikas, duke ulur numrin e qendrave administrative, por jo duke shkuar në ekstrem sa të pamundësohet edhe kontakti i qytetarit për hallet e tij të përditshme me administratën, e cila mund të jetë mjaft larg. Sigurisht që i takon mazhorancës që të japë të gjitha garancitë dhe argumentet se kjo reforme nuk po përdorët edhe për llogari elektorale dhe presim një transparencë të plotë në këtë proces. Për fat të keq, shkalla e dyshimit dhe mosbesimit ndërmjet palëve është shumë e lartë dhe në këto kushte do të jetë e vështirë të kryhen reformat e duhura me koncesus ose kompromis. Mendoj se sinjali i parë duhet të vijë nga mazhoranca e cila duhet të sigurojë opozitën dhe qytetarët se çdo reformë bëhet në mënyrë të paanshme dhe vetëm në interes të qytetarëve dhe shtetit dhe, pastaj besoj se edhe opozita do të dijë të veprojë me arsye.
Marrë nga "Shekulli"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)