TIRANË - Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e ri për kalimin e pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të ndërtimeve informale, që i hap rrugën legalizimit të shumë ndërtimeve pa leje në rrethe të ndryshme të vendit.

Emrat e qytetarëve përfitues pasqyrohen në listën që vijon në këtë faqe. Ata janë 649 kryefamiljarë, të cilët kanë ndërtuar pa leje, kryesisht në truall me pronësi shtetërore, por ka edhe nga ata që kanë zënë pa leje toka që janë në pronësi të pronarëve të tjerë. Në rastin e fundit, shteti duhet të paguajë pronarin e mëparshëm për shpronësimin faktik që i bëhet pronës së tij.

Të gjithë qytetarët që gjejnë emrin në listën e mëposhtme duhet të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për të tërhequr faturën e Parcelës Ndërtimore dhe për të lidhur kontratat e fitimit të pronësisë së truallit. Ata mund të përfitojnë një zbritje në masën 20% të vlerës së parcelës ndërtimore, në rast pagese të menjëhershme brenda 45 ditëve nga data e njoftimit. Mbas 45 ditësh nga data e njoftimit, vlera e parcelës ndërtimore do të paguhet e plotë.

Gjithashtu, ata do të përfitojnë edhe një zbritje 10% të vlerës së parcelës ndërtimore si garanci për pagesën në mënyrë të rregullt të energjisë elektrike. Menjëherë pas likuidimit të faturës së parcelës ndërtimore do të bëhet pajisja e qytetarëve me leje legalizimi.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)