TIRANE- ALUIZNI ka bërë publike procedurat dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin subjektet për legalizimin e ndërtimeve në zonat turistike. Përmes një njoftimi zyrtar, Dega numër 4 e Tiranës së ALUIZNIT theksonte se subjektet kanë 60 ditë kohë për të paraqitur pranë zyrave të saj kërkesën për pronësinë e truallit në zonat me përparësi turizmin, ndërkohë që tarifa e aplikimit do të jetë 25 mijë lekë. “Kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, në përputhje me ligjin nr.10186, datë 05.11.2009 ‘Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin’, i ndryshuar, të paraqesin pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t, Tirana (4), brenda 60 ditësh dokumentacionin e mëposhtëm”, theksonte në njoftim Agjencia.