5 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në kryeqytet janë arrestuar për shpërdorim detyre. Sipas policisë në pranga kanë përfunduar Artur Skela, Robert Dauti, Erind Mlloja, Erald Dino, Erald Maci.
 
Sipas burimeve në kërkim janë dhe katër ish punonjës të ALUIZNI-t. Nga hetimet ka rezultuar se këta ish-zyrtarë kanë legalizuar 8 objekte mes Gardës dhe Universitetit Politeknik.Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se legalizimi i këtyre objekteve është bërë duke falsifikuar dokumentet.
 
Ish-zyrtarët e ALUIZNI-t të arrestuar

Artur Skela, 45 vjeç, me detyrë ish-specialist pranë ALUIZNI-t, dega Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Erin Mlloja, 32 vjeç, me detyrë ish-specialist pranë ALUIZNI-t, dega Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Ermal Dino, 27 vjeç, me detyrë ish-specialist pranë ALUIZNI-t, dega Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Erald Maçi, 36 vjeç, me detyrë ish-specialist pranë ALUIZNI-t, dega Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Robert Dauti, 31 vjeç, me detyrë ish-specialist pranë ALUIZNI-t, dega Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

4 ish-drejtues dhe specialistë të kësaj të ALUIZNI-t të shpallur në kërkim: F.H., K.B., R.D. dhe shtetasi T.B.

Hetimi i Prokurorisë

Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), për disa ish- zyrtarë të ALUIZNI-t, për të cilët janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë dhënë leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, ku vetëm në 16 raste është konstatuar një dëm për shtetin në total në vlerën e mbi 20 milionë lekëve të reja; Nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, të cilët kanë legalizuar, në kundështim me ligjin, disa objekte tregtare (lokale) në Korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në sheshin rreth tij.

Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, bazuar në materialin e referuar nga KLSH, janë:

Deri në këtë fazë të hetimit janë shqyrtuar 16 raste, nga të cilat rezulton se;

Janë legalizuar tre objekte me faturë financiare me vlera shumë më të vogla se sa parashikon ligji dhe aktet nënligjore. Nga veprimet e kundërligjshme të ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, dëmi financiar që i është shkaktuar shtetit në këto 3 raste është është rreth 8.6 milionë lekë të reja. Në njërin prej këtyre rasteve, është kryer legalizimi, pavarësisht se pagesa nuk është kryer

Është legalizuar në një rast një objekt 4-katësh, i cili në momentin e aplikimit nga poseduesi i saj ka qenë një kat. Ndërsa, deri në shqyrtimin e dosjes nga ALUIZNI, objekti ka vijuar ndërtimin në 4 kate dhe ALUIZNI, në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë lejen e legalizimit.

Janë legalizuar 4 objekte brenda vijës së verdhe, në kundërshtim me ligjin, zonë e cila është kane vepruar në kundërshtim me ligjin nr.9482, datë 03.04.2006, përkatësisht me nenin 2/4, sipas të cilit: “Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtime pa leje të ngritura brenda vijës së verdhë...”.

Në një rast, është pezulluar shqyrtimi i legalizimit, në kundërshtim me vendimin e gjykatës

Është legalizuar, në kundërshtim me ligjin, e njëjta parcelë, me sipërfaqe rreth 800 m2 në dy emra të ndryshëm (të cilët rezultojnë të jenë bashkëshortë), ndërkohë që aplikimi duhet të bëhej për një parcelë. Nga ky veprim i kundërligjshëm, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 2 milionë lekëve të reja. (Shënim: Sipas ligjit, “për efekt legalizimi, parcela ndërtimore, nuk i kalon 500m2”)

Janë legalizuar 3 objekte, për të cilat aplikimi ka qenë për banesa, por në fakt rezulton se gjatë gjithë kohës, këto objekte kanë pasur si qëllim objektin tregtar (lokal). Duke qenë se vlera financiare e legalizimit për objekt tregtar është disa herë më e madhe për m2 se sa e objekteve të banimit, rezulton se nga legalizimi i kundërligjshëm në këto 3 objekte, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 12.5 milionë lekëve të reja.

Janë legalizuar tre objekte shërbimi (lokal), në kundërshtim me ligjin, në zonën që ndodhet brenda vijës së kufirit administrativ të qytetit Tiranë, dhe brenda zonës së Parkut të Liqenit të Tiranës.

Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, bazuar në materialin e referuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, janë:

Janë legalizuar 7 objekte tregtare, të cilat përfshihen në zonën brenda aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, të shpallur Monument kulture me VKM 180, date 13.04.2000. Ato ndodhen pikërisht brenda kufirit të përcaktuar nga VKM përkatëse, ku në pikën 2 të tij, përshkruhet: Përfshihet zona... “përgjatë rrugës që përfshin stadiumin “Qemal Stafa”, duke përfshirë 100 m në thellësi në jug të rrugës përpara Universitetit Politeknik, përpara Gardës së Republikës”.

Sipas nenit 39 te ligjit nr.9482/2006, “Për legalizimin.....”, ...“Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cënojnë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor nëinfrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Paragrafi i parë i këtij neni e shtrin fuqinë e tij për të gjitha ndërtimet pa leje”.

Nga hetimi konstatohet se, nga legalizimi në kundërshtim me ligjin i këtyre objekteve, i ka ardhur një dëm i konsiderueshëm interesave të ligjshem të shtetit, i cili në vitin 2014, për interesa publike, ka dëmshpërblyer personat dhe subjektet që kanë legalizuar objektet e tyre në këtë zonë.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)