Legisi: Të pathënat e tryezës së
PS me aleatët, Dule do jetë me ne

Legisi: Të pathënat e tryezës së<br />PS me aleatët, Dule do jetë me ne
TIRANE - Sekretari për koalicionet në PS, Ndre Legisi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” zbardh detaje të reja të tryezës së opozitës, ku sipas tij ka pasur konsensus për gjithçka. Ai thotë se u kërkua prag më i ulët votash, por u vendos për variantin e bërë publik. Marrëveshjen e cilëson jo për vende pune por për pozicione politike. Ai është optimist për Dulen, ndërsa s’preferon të komentojë ku do kandidojë vetë më 23 qershor.

Çfarë u vendos në tryezën e partive opozitare disa ditë më parë?
Marrëveshja e plotë politike bëhet mes kreut të PS Edi Rama dhe kryetarit të çdo partie aleate, në të cilën janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar të gjitha detyrimet dhe përfitimet në bazë të kontributit të secilës parti, në partneritet të plotë mes tyre. Në tryezën e para disa ditëve të partive të opozitës është rënë dakord për marrëveshjen tip, ku të gjitha partitë ishin dakord në përgjithësi me të gjitha pikat që ishin përcaktuar aty.

Bëhen fjalë për bashkëqeverisjen në nivel qarku dhe në nivel kombëtar sipas votave që do marrin më 23 qershor. Ngjela bëri një propozim, që çfarë detyrimi buron nga palët në rast se njëri nga subjektet politike nxirrte deputet. Iu la zotit Ngjela të bëjë propozimin e duhur që të futet si amendament në marrëveshjen mes palëve.

Por ka pasur debate për këtë marrëveshje....?
Na duket qesharak debati që zhvillohet mes disa analistëve kur komentojnë këtë marrëveshje. Vetë partitë vijnë në pushtet mbi bazën e numrit të votave. Rasti i fitores së manipuluar të zotit Basha në Tiranë me 80 vota është i mjaftueshëm për të justifikuar bashkëqeverisjen me çdo parti aleate, në varësi të kontributit që ajo jep.

Si mundet që një person me vota të manipuluara sot qeveris Tiranën, ndërsa një subjekt politik që i afron koalicionit mbi 1 mijë vota të mos ndjehet bashkëqeverisës në nivel qarku, ose në rastin kur jep mbi 10 mijë vota në rang kombëtar si subjekt politik i koalicionit.

Konkretisht çfarë u kërkua përtej marrëveshjes nga aleatët...?
Unë ndjehem mirë përsa kohë ishin më shumë se 30 burra, kryetarë të subjekteve politike që me sugjerime shumë minimale miratuan këtë projektmarrëveshje. Që konsiston në forcimin e bashkëpunimit partnerial mes PS e partive aleate, në funksion të maksimalizimit të votës, motivimit të gjithë koalicionit por dhe për përfitimin e partive aleate nga ky bashkëpunim.

Pavarësisht se një pjesë e krerëve aleate kërkuan që të ulin akoma më shumë pragun e numrit të votave më 23 qershor për pjesëmarrjen në qeverisjen e ardhshme të koalicionit opozitar, u ra dakord që të ruhet serioziteti dhe përfaqësimi i subjekteve politike në këto raporte.

Ishte marrëveshje për vende pune pati akuza. Komenti juaj...?
Ajo që dua të theksoj është se marrëveshja e PS me partitë aleate për zgjedhjet e 23 qershorit, s’është marrëveshje për vende pune në administratën publike, sepse me këtë punë sipas ligjit merret departamenti i Administratës Publike që përcakton dhe statusin e nëpunësit civil, por për postet politike.

Do doja të thosha se ky është një keqkuptim i madh pasi PS s’është si PD e aleatët e saj që negocion për koalicionin dhe për punonjësit e administratës sipas përqindjeve të caktuara, që sipas ligjit është kompetencë e DAP. Këtu bëhet fjalë për pozicionet politike që shtrihen në nivel prefekture deri në atë të qeverisjes qendrore.

Ka pasur dhe keqkuptime siç është rasti i Zogajt, që pas komunikimit që patëm me të u sqarua plotësisht. Mund të them se marrëveshjet dypalëshe janë ekskluzivitet i zotit Rama e kryetarëve të partive përkatëse. Punën time e të sekretariatit për koalicionet e shoh të kryer me konsensusin e arritur. Mund të them që askush prej aleatëve nuk bëri ndonjë propozim që prek thelbin e marrëveshjes së propozuar nga PS, të cilën e pranuan të gjithë dhe ishin shumë entuziastë.

Po koalicioni me PBDNJ, shpresohet në një aleancë...?
Unë e vlerësoj PBDNJ si një parti shumë serioze dhe me vlera e kontribut të padiskutueshëm në koalicionin opozitar. S’dua të besoj se zoti Dule me gjithë këtë eksperiencë politike që ka të mund të ndryshojë rrugë në prag të fitores së opozitës.

Besoj se dhe ai do jetë pjesë e koalicionit tonë e do marrë për këtë gjë vlerësimin e duhur në përputhje me kontributin që ka dhënë gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në opozitë. Qëndrimet e ndryshme nga PS në Kuvend apo publik, i japin PBDNJ individualitetin e saj dhe nuk dëmtojnë aspak marrëdhënien e shkëlqyer që ka ekzistuar mes PS dhe PBDNJ ndër vite.

Po për vete a keni menduar ku do të kesh në listën e kandidimit?

Për mua ka shumë rëndësi fitorja e PS dhe e koalicionit opozitar në zgjedhjet e qershorit, si e vetmja rrugë për të larguar nga pushteti qeverisjen e korruptuar të Sali Berishës. Pozicioni i një individi cilidoqoftë ai, për mua nuk përbën bazë për një diskutim serioz.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten