Gojëdhënat thonë se një vajzë e re nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, nuk mundi të martohej, sepse lumi Mat i ndante rrugën. Atëherë vendosi të ndërtonte një urë me të ardhurat e saj dhe, sipas legjendës, prej saj mori emrin edhe Ura e Vashës, një nga monumentet më të veçanta të zonës së Klosit.

Pamje nga ky destinacion ndau sot në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi Urën e Vashës si një prej vendeve më të bukura dhe më të vizituara, ku në ditët e fundit të gushtit shumë turistë vendas e të huaj zgjedhin të freskohen në ujërat e lumit Mat.

E njohur edhe si Ura e Vashës, ajo ndodhet mes fshatrave Klos dhe Guri i Bardhë dhe për vite me radhë ka qenë e vetmja lidhje mes dy brigjeve të lumit në rrjedhën e sipërme të Matit. Monumenti prej guri, me harkun karakteristik, vazhdon të jetë një nga atraksionet më të spikatura të zonës, ndërsa me ndërtimin e Rrugës së Arbrit pritet të tërheqë edhe më shumë vizitorë.