Legjenda Uran Kostreci, u dënua tre herë, vuajti: 22 vjet, 10 muaj, 6 ditë burgim

Legjenda Uran Kostreci, u dënua tre herë, vuajti: 22 vjet, 10 muaj, 6 ditë burgim

Uran Kostreci

Ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 83 vjeçare, një prej legjendave të qëndresës antikomuniste ndër vite, Uran Kostreci. Në vitin 1957 mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasani, por për arsye të biografisë nuk iu dha mundësia të vazhdonte arsimin e lartë, pavarësisht se doli mirë me mësime. Shërbeu si arsimtar: në vitet 1957-1959 në Rrethin e Vlorës; më 1959-1960 në Tunjë të Gramshit dhe më 1960-1961 në Mollas të Elbasanit. Më 1981-1983 punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit Elbasan. Më 1983-1986 u internua në Kurtaj të Peqinit. Më 1991-1992 themelues dhe kryeredaktor i gazetës së ish të përndjekurve politikë “Liria”. Më 1992-1994 ishte kryetar i Partisë Demokratike, Dega Elbasan.

Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:

1961-1981: 19 vjet, 10 muaj, 8 ditë

1986-1989: 2 vjet, 11 muaj, 28 ditë

Dënimi i parë

U arrestua më 5.8.1961 në tentativë për arratisje. Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Elbasan, me vendimin nr.171, datë 28.10.1961, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 64/10 (tradhtia ndaj atdheut) të Kodit Penal dhe e dënoi me 15 vjet burgim dhe konfiskimin e pasurisë. Në këtë vendim, midis të tjerash thuhet: “Vepra e kryer nga i pandehuri është shoqërisht shumë e rrezikshme për arsye se në veprime të tilla, dëmtohen interesat e shtetit e popullit tonë, vihet në rrezik siguria e jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe i shërbehet propagandës armike. I pandehuri Uran Kostreci dhe si person paraqet rrezikshmëri. Ai vjen nga një familje që ka zhvilluar aktivitet armiqësor kundër pushtetit dhe që i është dënuar i ati që në vitin 1946 për punë armiqësore. Prandaj izolimi i tij nga shoqëria është i domosdoshëm për edukim për një kohë të gjatë”. U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.138, datë 11.12.1961.

Për t’u shënuar është se teksa vuante dënimin në Repartin nr.303 i cili punonte për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Elbasan, më 9.5.1965 rreth orës 15.20 orvatet të largohet. Copat e plumbit i mbajti në kokë deri në fund të jetës.

Dënimi i dytë në burg

Kur i kishin mbetur për të vuajtur edhe një vit, 5 muaj e 4 ditë, ridënohet. U arrestua më 13.6.1973 teksa vuante dënimin në Burrel. Arsyeja ishte një grevë urie dhe sepse kish parë shtrembër fotografinë e Enver Hoxhës në zyrën e drejtorit të Repartit nr.321, Hajri Leskaj. U akuzua në bazë të neneve 73/1, 241/1 dhe 241/2 (fyerja e përfaqësuesit te pushtetit). Gjykata e Rrethit të Matit, me vendimin nr.24, datë 28.6.1973 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet burgim. Në vendimin e gjykatës, midis të tjerash thuhet: “Vërtetohet se në këtë moment i pandehuri kishte drejtuar sytë nga fotografia e shokut Enver. Mirëpo ky shikim, i kishte bërë përshtypje të dëmtuarit Hajri dhe iu drejtua me pyetje të pandehurit që pse e shikonte me vërejtje apo nuk i pëlqente”. U lirua më 13.6.1981.

Internimi dhe ridënimi

Me vendimin nr.16, datë 3.12.1986 të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, u internua për 5 vjet në fshatin Kurtaj në Peqinit. Pas disa vitesh qëndrimi aty, largohet më 4.2.1986 në drejtim të Tiranë. Pa u vënë re nga askush, niset me tren në drejtim të Vlorës, me synim që pas takimit me disa miq të arratisej jashtë vendit. Në tren pikaset nga një civil, i cili e dorëzon në Degën e Punëve të Brendshme Fier. Arrin të largohet nga kjo degë, por nuk mund më shumë se një ditë dhe u arrestua më 16.2.1986 Gjykata e Rrethit Elbasan, në bazë të nenit 117 të Kodit Penal, e dënoi maksimalisht me 3 vjet burgim, të cilin e vuajti duke punuar në bujqësi për hapje tarracash. U lirua më 14.2.1989.

Vendet e vuajtjes së dënimit sipas viteve:

1961-1963, Reparti nr.303 Tiranë

1963, Reparti nr.309 Tiranë

1963-1964, Reparti nr.321 Burrel

1964, Reparti nr.309 Vlorë

1964-1965, Reparti nr.309 Laç

1965, Reparti nr.303 Elbasan

1965-1981, Reparti nr.321 Burrel

1986-1989, Reparti nr.305 Përparim

Përshtypje

Uranin e takoja shpesh në vendin e tij të dashur te “Piazza”. E meta e vetme e tij ishte se kurrë nuk shkroi për vete. Arrita t’i marr me shumë mundim disa të dhëna biografike për një libër që kam për personat që kanë vuajtur më shumë vite burgim. Bashkëlidhur fotoja e burgut.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbi 10 mijë emigrantë u mbytën këtë vit në tentativë për të shkuar në Spanjë

Mbi 10 mijë emigrantë u mbytën këtë vit në tentativë për të shkuar në Spanjë