Legjionarët kuqezi duket se e kanë nisur mbarë sezonin, teksa nuk kanë munguar golat. Në Turqi, Bodrumspor barazoi 1-1 në udhëtim kundër Sivasspor në javën e dytë të Ligës së Parë. Golin për miqtë e shënoi Taulant Seferi.

Në Skoci, Rangers fitoi 4-2 kundër Alloa për 1/8 e Kupës së Ligës, ndërsa te supergoli doli Nedim Bajrami. Sa u takon legjionarëve të tjerë, Marash Kumbulla pritet të prezantohet te Mallorca në La Liga, ndërsa Kristjan Asllani i ka thënë 'po' Bolognas duke lënë Interin në mënyrë përfundimtare.

Taulant Seferi shënon golin e parë sezonal me Bodrumspor në Turqi

Taulant Seferi e ka nisur mbarë sezonin e ri në Ligën e Parë turke, duke gjetur rrugën e rrjetës për skuadrën e Bodrumspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 20-të të sfidës ndaj Sivassporit, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Goli erdhi pas një aksioni personal, ku Seferi shpërtheu në krahun e majtë të sulmit dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin me forcë në rrjetë. Ky ishte goli i parë sezonal për 27-vjeçarin, që synon të jetë protagonist në kampionatin turk.

Përveç Seferit, pjesë e skuadrës Bodrumspor është edhe mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Arlind Ajeti, i cili këtë sezon do të kërkojë gjithashtu të ndihmojë ekipin drejt objektivave.

Nedim Bajrami shënon supergol në Skoci

Rangers fitoi 4-2 kundër Alloa dhe kalon në turin e radhës të Kupës së Ligës. Ndeshja u zhbllokua pas vetëm 13 minutave lojë. Duhej një perlë e Nedim Bajramit nga jashtë zone që vendasit të merrnin kryesimin.