TIRANË- As rreziku përballë COVID 19 nuk i ka frenuar shqiptarët në kërkesat e tyre për azil jashtë vendit. Ndonëse patëm një rënie ne muajt e izolimit, lehtësimi i masave ka gjallëruar edhe kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian.
Në maj 2020 do të kishim vetëm 90 aplikime nga shqiptarët, por shifrat kanë ndryshuar menjëherë në muajin qershor. Në muajin kur u lehtësuan masat, kanë aplikuar për 334 shqiptarë për të fituar azil. Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Azilantëve janë rreth 228 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil ne shtetet e Bashkimit Evropian dhe 106 ishin riaplikime.
Rënia e aplikimeve nisi në fillim të vitit, kur në janar ishin 913 aplikues nga mbi 1300 që ishin në dhjetor. Ndërsa në total në 6 muaj, janë bërë 3334 aplikime nga shqiptarët për azilantë, nga të cilat 688 ishin riaplikime, ndërsa pjesa tjetër kërkesa për herë të parë.
Përsëri Shqipëria renditet e para nga vendet fqinje për kërkesat për të ikur nga vendi, e ndjekur nga Kosova me 185 kërkesa për azil. Më pas vjen Serbia me 134 kërkesa, Bosnja me 97, Maqedonia me 44 aplikime dhe në fund është Mali i Zi 10 aplikime.
Po ashtu nga të dhënat vihet re se më shumë se 90% e aplikimeve marrin përgjigje negative.
Raporti i fundit vijon më tej duke thënë se protokollet e rrepta dhe masat parandaluese shëndetësore ka të ngjarë të kenë vazhduar të kufizojnë numrin e aplikimeve që mund të paraqiten.
Në total në muajin qershor u bënë rreth 31 500 aplikime për të fituar statusin e azilantit në shtetet e Bashkimit Evropian. Ndërsa për 6 muajit e parë të vitit në total janë rreth 212 100 aplikime për azil ose 37% më e ulët sesa një vit më parë. Sirianët, afganët, venezuelasit dhe kolumbianët vazhduan të paraqesin më shumë aplikime për azil.