Leida Sheshaj, krenaria
shqiptare në “La Scala”

Për Enkeleida Sheshajn, ose Leida siç e thërrasin të gjithë, më flasin të entuziazmuar tre gazetarë italianë: “Eshtë violiniste e mrekullueshme e La Scala di Milano. Violininë e parë”.
Në gjithë këto vite që udhëtoj mes Italisë dhe Shqipërisë, vetëm lajme të mira më japin kolegët gazetarë të vendit fqinj. Lajme të bukura për bashkëatdhetarët tanë të talentuar që me shumë punë, sakrifica, respekt e përkushtim arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre. Tamam si Leida, sot në tempullin e muzikës botërore, në La Scala të Milanos.
Komunikimi me Leidën nuk ishte i vështirë, energjia pozitive e kësaj artisteje, preket që në fjalët e para. Ka shumë për të treguar në këtë intervistë për të përditshmen Shqiptarja.com, por dhe ka shumë shumë për të falenderuar, sidomos motrën e saj të çmuar Dhuratën, por dhe tre mësuesit e saj shqiptarë Mira Cara, Shkëlqim Harizi e Roland Xhoxhi. Këta tre heronj “të heshtur” që përmes dashurisë, profesionalizmit të shpërndarë mes notave e pentagrameve, kanë ndihmuar të nisin rrugën e tyre në jetë Enkeleidën, por dhe shumë instrumentistë shqiptarë të talentuar.

Eshtë kënaqësi e rrallë të mësosh që një vajzë shqiptare arrin të bëhet violinë e parë e teatrit me famë botërore "La Scala" të Milanos. Si ishte ky rrugëtim për ju Enkeleida?

“Mbërritja ime në Teatrin “La Scala” tempulli i lirikës botërore nuk ndodhi rastësisht pasi ëndrra ime fëmijërore ka qenë gjithmonë e lidhur me këtë Teatër...Çdo hap të studimeve të mija ka pasur gjithmonë një pikësynim të ndjeshëm drejt këtij teatri. E ardhura në Milano, por sidomos vendimi për qëndrimin definitiv këtu ka qenë e dëshiruar dhe e ëndërruar.”


Shtypi italian ka shkruar për historinë tuaj dhe çdo gjë nisi me takimin me maestron Marcello Abbado, kompozitor dhe pianist i mrekullueshëm italian. Ju atëherë ishit vetëm 16 vjeçe dhe ai takim ndryshoi rrjedhën e jetës suaj. Si e kujtoni?

“Takimi me M°Abbado ndodhi gjaë një konkursi internacional në Sondrio ku unë konkurroja dhe ai ishte president komisioni. Me shumë dashamirësi më mori pranë për të më folur mbas mbrëmjes së finalistëve ku unë isha prezente si fituese e çmimit të tretë dhe më dha idenë për të vazhduar studimet në Milano, në Konservatorin ku ai ishte në atë kohë drejtor. Edhe pse afati i nënshkrimit në Konservator kishte përfunduar ai më ndihmoi shumë për të pasur mundësinë të kisha një komision për të bërë provimin e hyrjes në këtë institucion me një juri të posaçme të mbledhur pikërisht për mua.Gjatë këtij provimi bëra njohjen me M°Daniele Gay që ka qenë gjithmonë pranë meje, edhe sot e kësaj dite duke më ndihmuar vazhdimisht edhe me nxënësit që ndjekim së bashku.”

E megjithatë fati i një takimi të rëndësishëm, është ndihmuar nga puna e gjatë dhe me sakrifica për violinën. Si eci karriera juaj në Itali? Hasët vështirësi?

“Gjatë përgatitjes së diplomës e më tutje bëra shumë konkurse internazionale me çmime të rëndësishëm të fituar dhe ndërkohë vazhdoja dhe kurse të rëndësishme perfeksionimi me violinistë të famshëm me M°Gulli e M°Accardo etj. Ndërkohë fitova konkursin e Akademisë së La Scalës si Violinë e parë dhe ndërkohë fillova të punoj rregullisht në orkestrën G.Verdi të Milanos, me orkestren OCI te M°Accardo. Në të njëjtën kohë fillova të ndiqja shumë nxënës që kërkonin vazhdimisht dedikimin tim. Përvec eksperiencës në orkestër dhe si soliste në grupe dhome ekperienca e violinës për mua ka qenë shumë e rëndësishme edhe në mësim dhënie.
Vështirësi të mëdha nuk kam pasur, pasi fati im më i madh ka qenë që këtu nuk u shperngula e vetme, por pikërisht për moshën e re që kisha më ndoqi fillimisht motra Dhurata (që për mua është mamaja dhe që më ka rritur si fëmijën e vet, pasi kam ngelur jetime në moshën 9-vjece) e më pas familja e saj. Sakrificat e familjes bënë që unë mos të kisha stresin e pagesës së banimit e të ngrënies, vështirësi shumë të larta për kolegë të tjerë të huaj si unë.”

Si ju lindi dhe si e kultivuat pasionin për violinën? Çfarë këshilloni për fëmijët e të rinjtë që kanë talent sot?

“E njëjta Motër Dhurata, që kur isha në moshë të mitur më afroi shumë me muzikën duke më çuar në pallatin e pionierit në Tiranë, atje zbuluan që unë kisha prerje për muzikë dhe vesh të duhur për ndonjë instrument dhe kështu ideja e violinës pasi ishte më e thjeshtë për ta pasur në shtëpi për të studiuar. Më tutje, e njohura me mësuesen time të parë, Mira Cara, profesoreshë e paharruar, bëri që hapat e mia në violinë të ishin të zhdërvjellta...Prania e saj per 4 vitet e para dhe e afruara e saj me mua bënë që unë të dashuroja këtë instrument kaq të vështirë. Sot që jap mësim mendoj gjithmonë mënyrën e rreptë dhe të dashur në të njëjtën kohë që ajo më ka transmetuar dhe me nxënësit e mij mundohem ta "imitoj", duke i ftuar në shtëpinë time për të kaluar edhe momente të ndryshme që nuk janë vetëm muzikore, por edhe dëfryese, ashtu sic më mbante zysha ime pranë.
Takimi im i dytë shumë i rëndësishëm në rrugën e vështirë të violinës ka qenë me M° Shkëlqim Harizi, tek shkolla Kongresi i Permetit.Afrimi që ai më bëri me muzikën ishte pikërisht ëndrra që sot kam realizuar në jetën time profesionale. Ai më ftonte në Teatrin e Operas ku ishte violinist në orkestër dhe më dha "shtyllat" e para të muzikes "dal vivo" në një teatër, me koncertet, operat dhe baletet që per fatin tim shkoja shpesh të ndiqja duke banuar shumë afër me Teatrin e Operas. Presor Çimi (kështu e quanim ne nxënësit) jo vetëm më dha bazat e tjera të patundshme në realizimin e shumë projekteve muzikore por më ndihmoi në moshën më delikate të largimit prej çdo lloj aktiviteti të rëndë që çdo fëmijë ndjek e në një moment kritik së bashku me familjen time (motra + i shoqi Gezim) bëri që me forcën e tyre dhe me respektin që kisha për ata, te mos leja definitivisht studimin e thellë të violinës.
Më pas në Liceun artistik J.Misja takimi me profesor Roland Xhoxhin më hapi njohuritë mbi repertorin e vështirë dhe njohuritë mbi hapësirat muzikore dhe stilistike të autorëve të ndryshëm botërorë. Me shumë mall kujtoj leksionet e gjata rreth 3-4 ore mbi nje faqe të sonatës se Bach, ose shumë e shumë episode të tjera mbi mënyrën e interpretimit të repertorit të gjithanshëm. Pasionin dhe dashurinë për transmetimin e thellë të njohurive të tij unë e kam të skalitur në zemrën e në kokën time....
Këshilla ime për fëmijët që zbulojnë të kenë talent është shumë e thjeshtë: të kenë fatin e një familje që ti ndjekë në hapat e vështira të studimit që ndonjeherë mund të hasin në momente trishtimi dhe forcën që familja të jep në shtyrjen e vështirësive dhe në tejkalimin e tyre. Natyrshëm që studimi ditor i vazhdueshëm sidomos në vitet e para që janë baza e gjithë jetës dhe fati i takimeve të duhura me profesorët që duan e dinë të japin maksimumin e tyre profesional dhe shpirteror.”



Si e shihni nga larg Shqipërinë dhe çfarë mendoni për artin shqiptar të orkestrimit? Shumë talente shqiptarë kanë spikatur në opera, balet apo si instrumentistë në shtete të ndryshme, ju si do t'i inkurajonit artistët e rtinj të talentuar të realizojnë ëndrrën e tyre?

“Shqipëria më ka dhënë shumë e do i jem gjithmonë mirënjohëse, pasi bazat e mija janë formuar në Tiranë. Eshtë e vërtetë që ky bagazh kaq i fortë që kemi çuar në vendet e huaja ka bërë që shumë e shumë artistë kanë "zaptuar" teatret më të famshëm të botës. Ndoshta shkolla dhe studimi kaq i rreptë dhe i fortë ka bërë që nga Shqipëria e vogël të rriten shumë talente.
Inkurajimi im për artistët e rinj që dëshirojnë të ndjekin ëndrrën e realizimit profesional, është të studiojnë pa lodhje e mërzi duke ndjekur me pasion këshillat e profesorëve dhe të kenë pikësynime të duhura në arritjen dhe mbikqyrjen e njohurive dhe zhvillimin e vazhdueshëm të tyre duke ndjekur gjithmonë spektakle si koncerte sinfonike, muzike dhome e opera....” (am/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik