Leje legalizimi vetëm
për 10 % të objekteve

Leje legalizimi vetëm<br />për 10 % të objekteve
TIRANE- Procesi i aplikimit për legalizim të ndërtimeve informale si fenomen, startoi në janar të 2005, referuar ligjit të 2004, nëpërmjet njësive të qeverisjes vendore. Këto të fundit, bazuar në ligj, organizuan mbledhjen e formulareve të vetëdeklarimit si dokument. Në vitin 2006, sic dihet, u miratua ligji i ri “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve/zonave informale”. Kjo bëri të rihapej procesi i vetëdeklarimit si element identifikimi, për legalizim të këtyre ndërtimeve informale pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo procedurë u krye në rrugë manuale dhe më pas u hodh në format dixhitale.

Sipas Drejtores së Drejtorisë së ALUIZN-it, Tirana 1, Orjeta Myzeqari-“Rezulton, sipas regjistrave, të jenë bërë rreth 36.000 aplikime vetëm për territorin e Bashkisë Tiranë për kategorinë “objekte”, dmth përjashtuar shtesat. Zonat me numrin më të madh të vetëdeklarimeve janë në njësinë bashkiake nr. 11, njësinë bashkiake nr. 6 si dhe njësinë nr. 2. Fakt është se një pjesë ndërtimesh pa leje, kanë mbetur të papërfshira në proces, për arsye të mungesës së informimit, të prezencës fizike të vetë poseduesit në Shqipëri dhe për shumë arsye të tjera objektive apo subjective”. Drejtorja e Aluizn-it, Tirana 1, shton se-“Në kushte të mosveprimit nga njësitë e qeverisjes vendore,dhe në zbatim të nenit 10 të ligjit, për këtë kategori objektesh, kompetenca për vijim të procedurës së legalizimit, ju dha Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t.

Kjo e fundit ngriti drejtoritë rajonale, në funksion të strukturës së re të miratuar. Së bashku me gjithë kompetencat, u trashëgua dhe u bë kalimi fizik i aplikimeve (vetëdeklarimeve). Ky ka qenë një moment i vështirë, probleme prej të cilit mbart edhe sot procesi. Kjo përkthehet në mungesë koordinimi të materialit të përcjellë fizikisht krahasuar me listat e dërguara gjithashtu zyrtarisht prej njësive. Dorëzimi i tyre, i kryer në mënyrë të pakontrolluar në drejtorinë qëndrore apo ato rajonale, ka sjellë mungesa materiali sot si në numër dosjesh ashtu edhe listash emërore të pasakta”.”Por pjesë integrale e këtij procesi”,thotw Orjeta Myzeqari-“ ka qenë edhe evidentimi i periudhës së ndërtimit informal, nëpërmjet fotografimit ajror, të njohur ndryshe edhe si Ortofoto.

Qëllimi ishte pozicionimi i saktë i pasurisë mbi të cilën është ndërtuar”. Më tej Myzeqari thotë-“Që prej emerimit tim në detyrë, si drejtore e drejtorisë së Aluiznit – “Tiranë 1”, u bë i mundur listimi fizik i të gjithë praktikave të trashëguara në arkivën e drejtorisë. Kemi evidentuar raste të mungesës së dosjeve fizike, dhe kjo si rrjedhojë e transferimit dhe administrimit të pa përgjegjshëm nga minibashkitë dhe zyrat e Aluiznit, aktualisht kemi emra në regjistrat manuale të përcjellë nga njësitë vendore, për të cilat mungojnë dosjet fizike dhe anasjelltas”.

 U desh një punë e konsiderueshme, për të bërë të mundur evidentimin dhe regjistrimin e dosjeve fizike që u gjendën në institucion. Gjendja e trashëguar, ishte e vështirë përsa i takon identifikimit të problematikave për secilin rast, pasi edhe dokumenta të cilat duhet të ishin pjesë përbërëse e dosjeve, kanë qenë menaxhuar në mënyrë të çrregullt. Gjatë vitit 2013, u hap një tjetër fushatë aplikimi për vetëdeklarimin e ndërtimeve informale, ku rezulton të jenë depozituar rreth 900 aplikime. Megjithatë, edhe kjo ndërmarrje tjetër, nuk rezulton e plotë pasi nuk u publikua fort dhe nuk u bë mediatike, mënyrë kjo për të njohur popullsinë me këtë hap.  

Drejtorja e drejtorisë së ALUIZN-it, Tirana 1, thotë se-“Që prej vitit 2005, kur nisi procesi i vetëdeklarimit të ndërtimeve informale e deri më sot, janë pajisur me leje legalizimi rreth 10 përqind e subjekteve aplikues për territorin e Bashkisë Tiranë. Krahasuar me numrin e vetëdeklarimeve, kjo shifër e përafërt, është tepër e ulët për periudhën 9 vjecare”. Nga i gjithë totali i objekteve të vetëdeklaruara, rreth 8 përqind e tyre, pas evidentimit në terren dhe kritereve të parashikuara në aktet e legjislacionit përkatës, konsiderohen si objekte të skualifikueshme, kryesisht se bien ndesh me rrjetin infrastrukturor.

Drejtorja Myzeqari thekson-“ Nga numri total i aplikimeve, në rreth 10 përqind të rasteve, është bërë pagesa, detaj ky që ka lidhje me detyrimin financiar për cka ndërtimi pa leje i detyrohet pronarit të ligjshëm të truallit të zënë, qoftë ky i fundit privat apo shtet”.” Këto javë, është kryer një test me specialistët e përditësimit në terren, prej Drejtorisë së ALUIZNI-t - Tirane 1”- thotë Drejtorja e Aluizn-it, Tirana, duke shtuar se-“Është tentuar të bëhej  verifikimi i 60 objekteve në terren ku ka rezultuar se në 30-35 përqind të rasteve nuk gjenden personat në shtëpi. Ka patur raste kur specialistëve i është refuzuar hyrja për matje në objekt, për arsye të humbjes tanimë të besimit se ky proces do të finalizohet.

Për procesin në vijim, jemi në finalizim të ndryshimeve ligjore, të cilat do të shkurtojnë konsiderueshëm procedurën dhe afatet për legalizim të ndërtimeve informale. Për këtë qëllim, po punohet me prioritet për një bashkepunimin të fortë institucional i cili deri dje, ka përbërë vonesë dhe zgjatje pa fund në proces”.Dhe së fundmi ajo shton se –“ Do doja të shprehja mbështetjen time si dhe të stafit të kësaj drejtorie, për t’i dhënë fund sa më shpejt kësaj “dhimbje koke” për popullatën, të paktën për qytetarët e Tiranës”.


Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak