Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj i ftuar në Report Tv analizon gjendjen në Partinë Demokratike dhe lëvizjen e Ervin Salianjit që ka trazuar situatën brenda në parti. I ftuar në Report Tv, ish-deputeti demokrat kthehet pas në kohë fillimisht duke kujtuar se ky grup që sot është kundër Berishës, ishte grupi që në 2021 e mbështeti dhe e ndihmoi t’i kthente kuotat brenda partisë dhe ta çonte atë në gjendjen që është sot.  

“Këta individë nuk janë pak me çfarë kam parë, kërkojnë që ajo që quhet PD sot, të mos vazhdojë të bjerret gjithmonë e më shumë siç e kanë treguar rezultatet e zgjedhjeve por edhe shumë qëndrime që kanë mbajtur gjatë kësaj periudhe. E drejtë, por më duhet të pohoj edhe faktin tjetër, individët që përbëjnë këtë lëvizje, ishin ata që kur para 4 vitesh në PD ndodhi një përplasje mes dy kaheve antagoniste. Nga momenti i parë politik që kërkonin të njëjtat gjëra kundër atij që është kryetari i PD, Berishës, me kalimin e kohës kaluan në krah të Berishës dhe e mbështeten. Kontribuuan që ai të merrte kuotat brenda PD dhe të sillte situatën në këtë gjendje ku është sot, siç këta pretendojnë parti pa meritokraci, një subjekt që është larguar nga pritshmëria që ka pasur për të ardhur në qeverisje”, thekson Alibeaj.

Në emisionin Sot Live në Shqipëri me gazetarin Nertil Agalliu, ish-ligjvënësi thotë se arsyeja përse PD ka degraduar në pikën ku është sot, është modeli i berishizmit që mbizotëron në parti. Ai thotë se PD është një parti private e Berishës, ku askush nuk mban përgjegjësi për humbjen dhe mbijetesa varet nga flirti me partinë në pushtet.

“Nuk kam parë platformë, ose disa qëndrime, ose disa teza që këta individë do duhet të mbajnë. Sipas imagjinatës sime, shkaku kryesor i kësaj situate ku PD ka degraduar është vetëm një, modeli i berishizmit që mbizotëron në parti, modeli që partia është pronë private, që askush nuk mban përgjegjësi edhe pse ndodhin humbje të herëpashershme, modeli ku ciklimi i të rinjve ka ngecur, modeli ku mbijetesa e një subjekti partiak vazhdon të garantohet prej flirteve me pushtetin, duke u shndërruar në parti të kontrolluar prej pushtetit. Më ngel të arrij në konkluzionin që lëvizjet e brendshme janë lëvizje për ripozicionim në hierarkinë partiake të individë me idenë që në zgjedhjet e radhës të jenë nën mëshirën e Berishës që ai të mund t’i emërojë si deputetë në të ardhmen. Nuk dua të bëj Kasandrën, por deri tani shoh këtë gjë”, vijoi Alibeaj.

Për Berishën shprehet se e vetmja gjë që i intereson është që të ruajë “status quo-në” dhe të mos sfidohen nga asnjë lëvizje e re politike. Por, nuk duket aq optimist për lëvizjen e Ervin Salianjit, të cilën deri më tani e sheh thjesht si një lëvizje për ripozicionim në hierarkinë partiake me shpresën që të futen në listat e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Duke nxjerrë mësime nga e shkuara, Berisha nuk bëri gjë tjetër veçse ia preu kokën maces që në fillim, nuk e di nëse ja ka arritur apo jo, por nervozizmi i Berishës duket edhe tek ky pozicion i tij. Ajo parti, private, për interesa private, shkëputur nga ajo se çfarë do duhej të ishte, nisur nga momenti se si lindi 35 vite më parë, shkon në një bjerrje pafund”, tha Berisha.

Gjithsesi, Salianjit i propozon që të shohë edhe jashtë gardhit të PD dhe të shkojë deri tek elektorati gri, pasi fundin politik të PD e parashikon me fundin politik të Berishës.

“Flasim për një parti private të Berishës, që mësa duket fundin e saj do ta ketë së bashku me fundin politik të Berishës. Në situatën aktuale ku është vendi, ku kërkohet gjithë e më tepër angazhime të reja politike, e udhës është të mos shihet vetëm brenda gardhit të PD, por të dilet në publik, baseni më i madh i votave sot është publiku shqiptar i papërfaqësuar as nga Rama as nga Berisha. Ky është shërbim i madh publik që i bëhet Shqipërisë”, thekson Alibeaj.

Kritik nuk është vetëm me PD, por edhe me Partinë Socialiste të Edi Ramës. Për të dyja subjektet politike thotë se po vjen fundi i ciklit politik dhe këtë e bazon në dy argumente: Tek vetërefuzimi i shqiptarëve për ti votuar dhe tek goditjet e SPAK si majtas dhe djathtas.

“Është jo vetëm një fund i ciklit të PD, por një fund si cik politik përfshirë edhe PS. Ka simptoma të qarta që dy elementë janë duke e goditur këtë kastë politike. E para, vetërefuzimi i natyrshëm, i vonuar, i shqiptarëve. Është edhe goditja frontale që sistemi i drejtësisë po i jep kësaj kaste politike për shkak të korrupsionit qeveritar. Segmenti i drejtësisë që targeton korrupsionin qeveritar, i ka preku, po i prek de do ti prekë të gjithë drejtuesit historik edhe të njërës edhe të tjetrit subjekt. Duke qenë se janë dy subjekte që janë mësuar në mënyrë autoritare, goditja e kupolës së njërit ose tjetrit, do sjellë shpërbërjen e kësaj klasë politike”, përfundoi Alibeaj.