Numri më i lartë i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është regjistruar në Vlorë me 58 leje ndërtimi të miratuara. Pas qarkut të Vlorës renditet qarku i Tiranës me 40 leje ndërtimi të miratuara. Në qarqet e Beratit, Dibrës, Fierit, Korçës dhe Lezhës nuk kemi asnjë leje ndërtimi të miratuar në vitin 2012.
Përsa u përket sipërfaqeve të ndërtesave të reja në vitin 2012 në qarqe, vlera më e lartë e sipërfaqes është regjistruar në qarkun e Tiranës në një shifër prej 389.626 metrash katrorë dhe pas saj regjistrohet qarku i Vlorës me një sipërfaqe prej 164.672 m2.
Në vitet 1995–2012 viti me vlera minimale është 2012-a. Numri më i lartë i lejeve të miratuara për totalin e ndërtesave është 6.835, dhënë në vitin 1996. Numri më i ulët i lejeve për totalin e ndërtesave është 447, dhënë në vitin 2012. Kjo shënon 28% më pak leje ndërtimi të miratuara sesa në vitin paraardhës.
Përsa i përket numrit të lejeve të miratuara për ndërtesa për banim, numri më i lartë i lejeve të miratuara është 2.618 në vitin 1995, ndërsa numri më i ulët është shënuar në vitin 2012 me 411 leje ndërtimi të miratuara.
Vëllimi i ndërtimeve është i dukshëm sidomos në zona me përqendrim urban, por mesa duket procesi i ndërtimit më shumë se me leje të rregullta për ndërtim shoqërohet/karakterizohet nga procedura të legalizimit ose ekzistencës në formë të parregullt si ndërtim pa leje. Ndërtimet pa leje mbeten të pahipotekuara deri në një proces legalizimi.
Në zërin “ndërtesa për aktivitet biznesi”, vlera më e lartë e regjistruar në lidhje me sipërfaqet e ndërtuara është 1 milionë e 90 mijë m2 dhe i përket vitit 1996, ndërsa vlera më e ulët është 86 mijë m2 dhe i përket vitit 2012. Për hotelet, vlera më e lartë e sipërfaqeve të ndërtuara është 97 mijë m2 dhe përkon me vitin 2003, kurse vlera më e ulët është 1 mijë m2 dhe përkon me vitin 2012. Në vitin 2012 janë regjistruar 635 mijë m2 sipërfaqe e ndërtuar, rreth 77% më pak sipërfaqe të ndërtuara sesa në vitin 2011.
Ndërtesat tregtare zënë peshën më të madhe në ndërtimet, duke regjistruar një shifër prej 37% të sipërfaqeve të ndërtuara në total. Pas tyre, regjistrohen ndërtesa të tjera me një peshë prej 34% dhe më pas ndërtesat industriale me një peshë prej 22%.
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)