Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq një punonjës të policisë, dy inspektorë të IMT-së dhe kryeinspektorin të akuzuar se kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë lejuar ndërtimet pa leje në fshatin Pistull dhe Paçram.
Anton Demaj është efektivi i policisë, Darmian Lleshi dhe Jonida Hupa inspektorët ndërsa Martin Luka kryeinspektori.
Sipas hetimeve të prokurorisë, këta persona kanë konsumuar veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ pasi kanë pasur dijeni për ndërtimet pa leje që po zhvilloheshin në fshatin Pistull dhe Paçram dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, por kanë favorizuar ndërtuesit në shkelje me ligjin.
Në dosje është i përfshirë dhe një person me iniciale B.D. i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Njoftimi i Prokurorisë Shkodër
Lejuan ndërtimet pa leje, Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq punonjësin e policisë, kryeinspektorin dhe dy inspektorët e IMT-së në Vaun e Dejës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq një punonjës të policisë të shtetit, kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe dy inspektorët për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ bazuar në nenet 248 dhe 300 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.457, të vitit 2025, bazuar në materialin e referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rezultoi se më datë 09.04.2025, në rrugë operative u dërguan të dhëna konkrete, se në disa raste, shtetas të ndryshëm në fshatin Pistull dhe Paçram të Njësisë Administrative Hajmel, Bashkia Vau i Dejës, po bëhen ndërtime pa leje dhe se këto shtetas janë favorizuar nga punonjësi i policisë në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe nga inspektorët e IMT-së. Në përfundim të hetimeve, rezultuan të provuara elementët e veprës penale të dyshuar dhe u morrën të pandehur, shtetasit:
- A.D., punonjës i policisë së shtetit, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Vau-Dejës; i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës "dh", "gj", "h", neni 50 i Kodit Penal, të "Moskallëzimi i krimit" sipas nenit 300 të Kodit Penal dhe për kryerjen e veprës penale të "Shpërdorim i detyrës", sipas nenit 248 i Kodit Penal, nën masën e sigurimit personal shtrënguese "Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore", sipas nenit 234 të K.Pr.Penale.
- M.L., me detyrë kryinspektor pranë IMT-sënë Bashkinë Vau-Dejës; i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës "dh", "gj", "h", neni 50 i Kodit Penal, të "Moskallëzimi i krimit" dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese "Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore";
- J.H., me detyrë inspektore pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës "dh", "gj", "h", neni 50 i Kodit Penal, të "Moskallëzimi i krimit" dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese "Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore";
- D.Ll., me detyrë inspektor pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale në rrethanat rënduese sipas gërmës "dh", "gj", "h", neni 50 i Kodit Penal, të "Moskallëzimi i krimit" dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 i Kodit Penal, nën masën sigurimit personal shtrënguese të "Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore"; dhe
- B.D.; i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" sipas parashikimeve të nenit 301 i Kodit Penal.
Komente










