Gjykata e Tiranës ditën e sotme ka rrëzuar masën e sigurimit të pezullimit nga detyra të kreut të IMT të Tiranës Rigers Sheqeri dhe juristit Erlion Papa.

Gazetarja Keti Banushi bën me dije se ty dyve u është caktuar detyrim paraqitje për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë edhe biznesmenit Pandeli Carapuli i akuzuar për ‘ndërtim të paligjshëm’ i është hequr masa e ndalimit e daljes jashtë vendit dhe i është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’.

Si nisën hetimet?

Hetimet për këtë çështje nisën pas kallëzimit të Admir Agos administrator i shoqërisë “AL OIL 2019”sh.p.k i cili pretendon se në pronën e kësaj shoqërie, janë kryer punime të paligjshme që kanë shkaktuar dëme.

Nga verifikimet rezultoi se kompania ndërtuese nuk ishte e pajisur me leje ndërtimi për objektin në Njësinë Administrative Farkë.

Edhe pse inspektorët e IMT-së konstatuan shkeljen dhe mbajtën procesverbal, kryeinspektori, i mbështetur edhe në relacionin e juristit, vendosi mbylljen e procedurës në kundërshtim me ligjin, pa vendosur asnjë masë administrative.

Ndërkohë sipas hetimeve rezultoi se Carapulit i ishte dhënë një leje për vendosjen e një barriere provizore në zonën e mbikalimit të Saukut, në Unazën e Re. Megjithatë, verifikimet në terren konstatuan ndërtimin e një muri betoni rreth 120 metra të gjatë dhe 4 metra të lartë, pa lejen përkatëse.

________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë