ELBASAN- Tentativa për të shpëtuar një person që ishte në kërkim, u ka kushtuar shumë 2 oficerëve të Kufirit në Kapshticë. Report Tv mëson se N/Komisar B.D.,52 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni dhe Inspektor Ç.LL, 23 vjeç, me detyrë Specialist Ndihmës Kontrollor janë arrestuar nga SHÇBA.
Kjo sepse të dy kanë lejuar që të kalojë kufirin një person me inicialet A.Q., ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Ndaj oficerëve rëndon akuza për shpërdorim detyre.
"SHÇBA ndalon 2 oficerë të Kufirit në Kapshticë, lejuan të kalonte në PKK një shtetas në kërkim. Drejtoria Rajonale SHÇBA Elbasan-Korçë ekzekutoi vendimin penal të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendim datë 21.12.2021 ka vendosur të caktojë masën “Arrest me burg“ ndaj personave në hetim:
- N/Komisar B.D.,52 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
- Inspektor Ç.LL, 23 vjeç, me detyrë Specialist Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.Në kuadër të procedimit penal nr. 1817 viti 2021, regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në datë 31.08.2021, këta punonjës policie në kundërshtim me detyrën kanë lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të shtetasit A.Q., ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, duke dëmtuar interesat e hetimit penal ndaj tij. Procesverbalet e ekzekutimit së bashku me aktet e procedimit penal i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90", njofton SHCBA.