Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, kundërshtoi në Komisionin e Ligjeve draftin e PS-së për pagat e magjistratëve, duke thënë se bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, formula e re e pagave është në fuqi prej 31 korrikut. Ai thotë se nuk pranojnë të negociojnë nën bazën e pagave që KLGJ ka miratuar, por vetëm për më shumë, duke theksuar se vendimi i Kushtetueses nuk negociohet.

Hoxha tha se janë të gatshëm për negociata edhe për mënyrën e shlyerjes së pagave të prapambetura.

“Po pritet një ligj i pakonsultuar, është në kundërshtim me vendimin e kushtetueses. Miratimi i tij do të sjellë një përplasje tjetër mes dy pushteteve, të drejtës dhe së zhdrejtës. Ne nuk kemi ekskluzivitetin e të drejtës, por ne po respektojmë vendimin e GJK. DO të sjellë rëndim të buxhetit të shtetit, sepse magjistratët do shkojnë në kushtetuese të kërkojnë zbatimin e atij vendimi të kushtetueses dhe gjasat janë që vendimi do të jetë i njëjtë. Ne do të kërkonim që pr.ligji i ri të jetë në respekt të formulës së re të parashikuar nga paragrafi 110 i vendimit të kushtetueses. Nuk ka piramidë pagash në sistemin gjyqësor. Thatë që do bëjmë reformë të pashembullt, këtyre magjistratëve do iu kufizojmë të drejtat e tyre dhe për të kompensuar këtë kufizim do t’iu japim një pagë, nuk na e dhatë në 2019 e fituam më gjyq, në 2022 e fituam me gjyq. Nuk duam të përsëritet kjo gjë, prandaj ligji ir i nuk duhet të miratohet kështu sic është, duhet ti nënshtrohet një konsultimi më të gjerë.

Ne jemi gati të negociojmë, por çfarë t2 negociojmë. Vendimi i Gjykatës Kushtuese nuk negociohet, kjo është pak por e sigurt. Pagat, për shkak të paaftësisë, neglizhencës apo me dashje tashmë janë në fuqi, formula e re është në fuqi që prej 31 korrikut 2026. Nëse do negociojmë formulën, kjo është baza, nuk shkon nën kësaj. Nëse doni të shtoni diçka më shumë hajde negociojmë. Neve na dhimbset buxheti i shtetit, jemi gati të negociojmë për pagat e prapambetura, se si të shpërndahen edhe pse na takon menjëherë sipas vendimit të GJK. Le ta zgjasim për 2-3 vite. Kjo që sillni ju shkel sërish Kushtetutën”, tha Hoxha.

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.


Lajmi kryesor:

Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD