TIRANË - Kërkuan lekë për të lejuar ndërtime pa leje, përfundojnë në gjykatë dy inspektorë të Policisë Bashkiake të Tiranës. Prokuroria e Tiranës, ka çuar sot në gjykatë dosjen në ngarkim të Shpëtim Azuni, 50 vjeç dhe Altin Lamit, 40 vjeç.
 
Këta të dy janë të akuzuar se kanë kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, i pandehuri Shpëtim Azuni rezulton se i ka kërkuar dhe marrë shumën e parave prej 50.000 lekësh shtetasit me inicialet R. M., me qëllim që ta lejonte atë të vazhdonte punimet për ndërtimin e një strehe mbi banesën e tij.
 
Ndërsa i pandehuri Altin Lami akuzohet se, ai i ka kërkuar shumën prej 2.500 euro dhe 50.000 lekë kallëzuesit me inicialet R. M., për ta rregulluar që ai të vazhdonte punimet të cilat i ishin ndërprerë nga punonjësit e policisë ndërtimore më parë.
 
Prokuroria ka zbuluar gjatë hetimit se, këto shuma parash i pandehuri i ka kërkuar gjatë takimit të zhvilluar në datën 23 korrik 2013.
 
Pas një hetimi një-mujor të Prokurorisë së Tiranës, gjykata lëshoi masën e “arrestit me burg” për dy punonjës të institucioneve në varësi të Bashkisë së Tiranës, të cilët janë arrestuar nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, të akuzuar për ““korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
 
Gjatë denoncimit të tij, kallëzuesi ka deklaruar se, dy zyrtarët, në takime të ndryshme me të, i janë shprehur që të ndërpresë punimet duke i thënë se do flisnin më pas, duke nënkuptuar se duhet të paguante një shumë parash tek ata për ta lejuar të vazhdonte punimet.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)