Leksione gazetarie nga shefat

Leksione gazetarie nga shefat
Përveç tragjedisë së madhe të humbjes së jetës së 13 vajzave e djemve në aksidentin fatal të Himarës, në median shqiptare, print dhe online, është hapur dy ditët e fundit debati më i madh për profesionalizmin e gazetarëve, ai i raportimit të reporterëve nga terreni. Kanë shkruar për këtë Lutfi Dervishi, Mero Baze, Mustafa Nano e të tjerë, duke atakuar mënyrën e raportimit të gazetarëve në terren, disa orë pas tragjedisë e mandej në dy ditët e transmetimeve live.

Debati për median është interesant. Ndodh gjithmonë sa herë që ka ngjarje të tilla të mëdha që kërkojnë një mbulim të shpejtë, efektiv, jo alarmues, informues, etik, korrekt, me të dhëna të sakta e shumë detaje gazetarie që i kemi studiuar në shkollë dhe në eksperiencën tonë kaq vjeçare si gazetarë.

Por a pati probleme? Sigurisht që po. A pati raportime skandaloze nga terreni? Sigurisht që po. A pati ekzgjarime? Sigurisht që po. A pati edhe të vërteta? Sigurisht që po.

Të ndalemi te roli i “shefave të redaksive”, ndërkohë që merremi me një armatë të tërë gazetarësh të terren, që merrnin urdhra të ndryshëm nga telefoni: “Shko në Vlorë”. “Jo jo, lëre Vlorën, nisu në Himarë”. “Shiko, në Himarë shko te autobuzi gjej një dëshmitar”. “Ose më mirë, lëre dëshmitarin, shko në qendrën spitalore”. “Dëgjo, lëre qendrën spitalore dhe nisu urgjent për në morgun e qytetit të Vlorës”. “Jo, jo, lëre Vlorën, se po shkon Jozi dhe Topi në spitalin ushtarak...”
“Çfarëëëëë?- Ulëret gazetari nga ana tjetër e telefonit. Po unë jam në Vlorë, si të shkoj në spitalin ushtarak”....
Ata gazetarë në terren, me saktësitë dhe pasaktësitë e tyre kanë qenë “heronjtë” e dy ditëve transmetim, pa gjumë, duke vuajtur ankthin e viktimave dhe të të aksidentuarve, por edhe familjarëve të tyre. Ta shohim drejt fenomenin. Gazetarët që ne kemi nuk janë perfekt. Por perfekt duhet të jenë redaktorët dhe shefat në redaksitë qendrore të televizioneve dhe gazetave, të cilët, më shumë sesa të orientonin drejt vartësit, u krijuan atyre një konfuzion të jashtëzakonshëm, duke u vështirësuar jo vetëm punën, por edhe raportimin. Mes ankthit që pse “filan TV” kishte një element më shumë sesa “ajo që ne kemi” dhe nën kërshërinë se “pula e komshiut” i bën vezët më të mëdha sesa “pula ime”, konfuzioni i raportimit, më së shumti erdhi nga vetë drejtuesit e medias.

Dhe kishte të drejtë kolegu Aristir Lumezi kur deklaronte në faqen e vet në facebook: Mirë do të ishte që në raste të tilla të një tragjedie, shefat të heqin kostumet firmato, t’u hipin makinave, dhe të raportojnë nga vendi i ngjarjes. Kështu, do të kishte më kuptim që të japin edhe leksione gazetarie.

Gjej rastin të përshëndes punën e palodhur të të gjithë gazetarëve në terren, që me guxim, raportuan në mënyrë urgjente, shkuan të parët në vendngjarje, e bënë shtetin të ngrihej në këmbë dhe të vihej në alarm për përmasat e tragjedisë. Me raportime të plota, gjysmë raportimesh, raportime mediokre, por si “ndjekës” të jashtëzakonshëm të punës së autoriteteve, arritën tia dalin për aq sa mundnin. Përgjegjësitë e tjera, i kemi ne...shefat.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit