Sa herë flitet për Përmetin, në mendje vetvetiu të pikturohet natyra e bukur, njerëzit punëtorë, rakia, trëndafilat, glikoja, folklori, vera, rilindësit, ushqimet organike dhe plot shije. Treva me një histori fisnikësh dhe atdhedashuri sublime njihet edhe si djepi i tolerancës.
Tranzicioni i stërzgjatur ka deformuar disi edhe realitetin standard të marrëdhënieve mes njerëzve dhe padyshim ky rreth nuk bën përjashtim nga problemet sociale kombëtare.
Arsyeja pse shkruajmë sot këtë artikull është projekti tjetër i Bashkisë së qytetit Përmet në bashkëpunim me UNDP-zyra e Shqipërisë, projekt që ka synim ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dhunës në familje dhe dhunën ndaj grave.
Pavarësisht rasteve jo të shumta të dhunës në familjen dhe shoqërinë përmetare, ky vend mbetet simboli i tolerancës dhe zgjidhjes së shpejt të konflikteve. Projekti ka si synim primar parandalimin e çdo lloj dhune pavarësisht kostos dhe reagimi i koordinuar i komunitetit mbetet një prej urave bazike ku mbështetet projekti dhe aktorët kryesorë.
Arjana Papapano, koordinatorja lokale e projektit pavarësisht risisë dhe punës paksa të lodhshme shprehet optimiste në këtë sipërmarrje.
Bashkia Përmet vazhdon të mbetet partner serioz i këtij projekti, flet zonja Papapano. Ka gati 3 vjet muaj që në ambientet e institucionit tonë është çelur Zyra për Barazinë Gjinore & kundër dhunës në familje.
Si juriste në profesion, eksperiencat e mia më kanë bërë ta njoh Përmetin dhe komunitetin në dy aspekte. Si përmetare e vjetër njoh nga afër hallet dhe shqetësimet e komunitetit dhe si specialiste njoh nga ana juridike edhe konfliktet e ndryshme. Të qëndruarit afër me familjet në nevojë dhe komunikimi i herë pas hershëm më ndihmojnë që qysh në embrion ti studioj konfliktet.
Bashkë me asistencën dhe ekspertizën e zyrës shqiptare të UNDP-së kemi konsoliduar tashmë strukturën e duhur dhe anën teknike të vijueshmërisë së projektit. Bordi i reagimit të koordinuar pranë bashkisë përbëhet nga një ekip profesionistësh të cilët bashkohen për të reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe me përgjegjësi të plotë ndaj një problemi të caktuar siç mund të jetë dhuna në familje.
Reagimi i koordinuar ka pasur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e Komisariatit të Policisë, gjykatën e rrethit gjyqësor Përmet, prokurorinë, drejtorinë e shëndetit publik, atë të zyrës arsimore si dhe zyrat përmbarimore dhe ajo e punës.
Falë intimitetit që ekziston mes individëve dhe familjeve, puna e lodhshme në para ose ndalimin e dhunës jep fryte të shpejta. Njëkohësisht Zyra e barazisë gjinore dhe kundër dhunës asiston fuqishëm edhe në ndihmë të viktimave të konflikteve me:
-strehim të përkohshëm për të abuzuarat,
-paketa me ndihma ushqimore,
-mbështetje dhe asistencë psikologjike falas,
-vendosje e dhunuesve në pozita përgjegjësie
-referim të menjëhershëm të rastit tek anëtarët e reagimit të koordinuar në varësi të nevojave të identifikuara si dhe marrjen e menjëhershme të Urdhrit të Mbrojtjes,
-trajtim me ndihmë ekonomike për viktimat e dhunës me urdhër të lëshuar mbrojtjeje nga gjykatat.
Pavarësisht klimës tolerante dhe të zbutur që mbizotëron në Përmet problemet sociale dhe zhvendosja e popullsisë ka evidentuar raste të ndryshme dhune të cilat sa më të ekspozuara që ky projekt i bën, aq më të lehta bëhen për tu kuruar.
“Ne do ta vazhdojmë punën dhe misionin me vendosmëri, tregon shefja lokale e projektit-dhe ndoshta një ditë do e kthejmë Përmetin në qytetin ku dhuna në familje do të mbetet e varur vetëm nëpër stenda muzeumesh. Fuqia jonë, asistenca permanente nga PNUD dhe mirëkuptimi komunitar janë sekreti i mbarëvajtjes së këtij projekti serioz”.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com