Shumica e pagesave në vlerë të madhe, vitet e fundit në Shqipëri po bëhen në euro, dhe për këtë dëshmia më e pastër është tregu imobiliar, ku si qiratë ashtu edhe blerjet paguhen në monedhën evropiane.

E njëjta gjë po ndodh edhe me kreditë e marra nga qytetarë e biznesnet, apo me depozitat. Në një raport të fundit të Bankës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të de-euroizimit (procesi për uljen e përdorimit masive të valutës në Shqipëri), thuhet se pozitat e euros në tregun shqiptar janë rritur përkundrejt lekut.

Sipas raportit kreditë në valutë në fund të muajit qershor ishin sa 51.2% e totalit të kredive, ose 1.4% më shumë se një vit më parë. Nga këto 34.3% e kredive janë të pambrojtura nga luhatjet e kursit të këmbimit.

E njëjta situatë është edhe për depozitat. Në fund të gjashtëmujorit depozitat në valutë arritën në 53.2% të totalit të depozitave të klientëve, duke u rritur me 2.3% në raport me një vit më parë, dhe pjesa më e madhe ishin në euro.

Nga ana tjetër përkundrejt planit të deeuroizimit të miratuar nga Banka e Shqipërisë në vitin 2018, pjesa më e madhe e borxhit publik është në valutë, me 51.3% të totalit të borxhit publik, ku 70% të vlerës së borxhit është në euro.

“Për shkak të nivelit të lartë të borxhit në valutë, edhe transaksionet financiare të lidhura me nivelin e detyrimeve, ruajnë nxitjen për përdorimin e valutës në ekonomi, duke kontribuuar në drejtim të kundërt me masat e deeuroizimit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Prezenca e lartë e euros në ekonomi ka rreziqe, ku një ndër më kryesoret është luhatja e kursit të këmbimit, dhe në rast të një mbiçmimi të fortë të saj ndaj lekut shtrenjton borxhin e qeverisë, e njëjta gjë ndodh edhe me qytetarët dhe bizneset kur i kanë kreditë në valutë.