Një tërmet i fortë me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter ndodhi pak pas orës 6 të mëngjesit, 23 kilometra në jugperëndim të Lassithit.

Tërmeti ndodhi në orën 6:18 të mëngjesit dhe, sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tij ndodhet në zonën detare, 23 kilometra në jug-jugperëndim të Goudourasit, në Lassithi, ndërsa thellësia është 9.7 km.

Deri tani nuk janë raportuar dëme, ndërsa tërmeti është ndjerë në të gjithë ishullin e Kretës.

Sipas kryetarit të bashkisë së Sitias, Giorgos Zervakis, tha se “tërmeti ishte i fortë dhe zgjati mjaft. Kjo krijoi shqetësim te banorët, të cilët ende ndjejnë lëkundje, pasi ka të ngjarë që po regjistrohen paslëkundje.”

Si kryetari i bashkisë së Sitias, ashtu edhe ai i Ierapetrës, Manolis Fragoulis, të cilët kanë komunikuar, siç theksuan, që herët këtë mëngjes me të gjitha institucionet, u rekomandojnë qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se fenomeni po monitorohet. Nga kontrollet e kryera deri tani nga shërbimi zjarrfikës, nuk ka raportime për dëme.

Megjithatë, deri në këtë moment, në të njëjtën zonë, pas tërmetit të parë, janë regjistruar edhe pesë tërmete të tjera me magnitudë nga 3.5 deri në 3.8.

Nënkryetari i qarkut të Lassithit, Yiannis Androulakis, pak pas tërmetit të fortë, deklaroi për ERT: “Tërmeti u ndje në të gjithë Kretën lindore. Ne kemi kontaktuar tashmë me Bashkinë e Ierapetrës, pasi epiqendra ishte në jug të saj.

“Po presim të shohim nëse ka probleme. Kemi vënë tashmë në gatishmëri mbrojtjen civile të njësisë rajonale, kështu që presim zhvillimet. Ishte i gjatë; jemi mësuar me tërmetet në përgjithësi dhe kemi besim te të gjitha rregullat e ndërtimit që ekzistojnë. Megjithatë, ka edhe zona me shtëpi më të vjetra, ku në bashkëpunim me bashkitë do të shohim nëse ka ndonjë problem. Nuk kishte thellësi të madhe dhe për këtë arsye u ndje në të gjithë Kretën Lindore. Raportet që kam janë nga Sitia deri në Heraklion.”/Kathimerini