Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Vlorë ku ka inspektuar punimet që po bëhen në këtë qytet, por ajo që ka rënë në sy është se ka shmangur takimet e tij me kryebashkiakun Dritan Leli. Rama ka qenë i shoqëruar gjatë inspektimeve nga nënkryetari i bashkisë, Afrim Qëndro. Po përtej shmangies së kontaktit me Lelin, Rama ka injoruar edhe vendim e tij në lidhje me mos hapjen e teatrit ‘Petro Marko’ për takimin me PS.

Burime për Report Tv thonë se Rama do të hap dyert e teatrit ‘Petro Marko’, ditën e nesërme ku do të zhvillojë mbledhjen me strukturat e PS. Kujtojmë se prej javësh teatri ‘Petro Marko’ është kthyer në një pikë debati mes kryebashkiakut Leli dhe këshillit bashkiak të Vlorës, pasi këto të fundit kërkojnë të organizojnë mbledhje fizike aty, ndërsa Leli nuk e lejon këtë gjë me arsyetimin se nuk mund të bëhet për shkak të rregullave të vendosura për pandeminë.  

Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nuk janë aspak të mira, pasi ky i fundit nuk pranoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Në këtë mbledhje të PS në Vlorë duket si një “gjyq” për Dritan Lelin, i cili tashmë është i padëshiruar në PS, pasi ka kundër të gjithë deputetët e qarkut por edhe Këshillin Bashkiak.  

Kujtojmë se “krisjet” në marrëdhënien e Ramës dhe Lelit nisën para zgjedhjeve, e konfirmuar edhe nga kreu i qeverisë, i cili pohoi se i kishte bërë ftesën Lelit për të kandiduar si deputet dhe se ky i fundit nuk e kishte pranuar, e megjithatë, shtoi se “me apo pa të, objektivi do të arrihet” dhe ashtu ndodhi. Në Vlorë, PS-ja mori 8 mandate, që ishte dhe objektivi maksimal, kjo e reflektuar edhe në përpilimin e listës së kandidatëve për deputet, ku Rama renditej i 8-ti.