'Lënia e BP në cepin e Europës, dorëzim strategjik!'/ Ditmir Bushati intervistë për gazetën greke: Zgjerimi detar? Greqia ka ndryshuar politikën e jashtme

'Lënia e BP në cepin e Europës, dorëzim strategjik!'/ Ditmir Bushati intervistë për gazetën greke: Zgjerimi detar? Greqia ka ndryshuar politikën e jashtme

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë

Ish-ministri i Jashtëm i vendit, Ditmir Bushati, në një intervistë për gazetën greke 'To Vima' ka deklaruar se lënia e Ballkanit Perëndimor në një zonë të përhershme muzgu në cepin e Europës, do të ishte një dorëzim strategjik. Sakaq, Bushati ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE po shoqërohet me paqartësi dhe gjysmë angazhime. Bushati për këtë çështje thekson fillimi i bisedimeve të anëtarësimit të Shqiprisë në BE ka kaluar përtej çdo afati.

Sakaq, Bushati ka folur edhe për Greqinë, në lidhje me çështjen e zgjerimit në detin Jon me 12 milje. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë është shprehur se gjykata Ndërkombëtare e Hagës është më e 'pandjeshme' për të vendosur për mosmarrëveshjet greko-shqiptare për delimitimin e hapësirave detare. Ai thekson nevojën për një 'partneritet të vërtetë strategjik'shqiptaro-grek, ndërsa zbulon se qeveria shqiptare e ka ngritur 'çështjen çame' ndaj qeverive greke.

Ndërsa në përfundim të intervistës për gazetën greke, Bushati foli edhe për deklaratat e Ramës për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ku theksoi se Kosova është partner strategjik natyral i Shqipërisë dhe bashkëpunimi është themelor pasi synon të jetësojë rrugën europiane të shqiptarëve, të bashkuar brenda BE-së.

Intervista e Ditmir Bushatit për gazetën greke 'To Vima'

To Vima: A po largohet Shqipëria nga anëtarësimi në Bashkimin Europian? Nëse po, kush mendoni se është përgjegjës?

Ditmir Bushati: Procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE po shoqërohet me paqartësi dhe gjysmë angazhime. Kjo u provua qartësisht mbas krizës financiare të vitit 2008. Që nga ajo kohë, marrëdhëniet BE – Ballkan Perëndimor rrallë gjenden në trajektoren e konvergjencës ekonomike dhe europianizimit të shpejtë. Këto dy komponentë janë të ndërlidhur dhe të nevojshëm për transformimin real të vendeve të rajonit. Vendi i fundit që u bë anëtar i BE-së ishte Kroacia (2013). Që atëherë, duket se nuk ka “oreks” për zgjerim, për shkak të dinamikës së brendshme të BE-së, por edhe të sfidave komplekse të konsolidimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, të përforcuara nga agjendat konkurruese dhe mosmarrëveshjet dypalëshe.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbetet një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit social dhe ekonomik. Fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE për Shqipërinë tanimë ka kaluar përtej çdo afati. Në mënyrë metaforike, Shqipëria qëndron si kolateral i mosmarrëveshjes së fundit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Lënia e Ballkanit Perëndimor në një zonë të përhershme muzgu në cepin e Europës do të ishte një dorëzim strategjik. Në vitin 2003, në Selanik, udhëheqësit e BE-së morën vendimin largpamës për të ofruar një perspektivë europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani, 18 vjet më pas, në vend që të flitet për “perspektive euriopiane të rajonit tonë” është koha që BE-ja të përmbush angazhimin e saj, duke punuar ngushtë me SHBA-të, për të nxitur reformat dhe përparimin e nevojshëm në rajon.

To VIMA: Greqia zgjeroi ujërat territoriale në detin Jon në 12 milje detare. Si i komentoni përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së delimitimit të hapësiravedetare mes Athinës dhe Tiranës me një proces të mundshëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?

Ditmir Bushati: Vendimi i Greqisë për të shtrirë ujërat e saj territoriale në 12 milje përcjell një mesazh të qartë politik që pasqyron ndryshimet që kanë ndodhur në dy vitet e fundit. Ky është zgjerimi i parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe vjen menjëherë pas marrëveshjeve të delimitimit të hapësirave detare me Italinë dhe Egjiptin, rifillimin e bisedimeve eksploruese me Turqinë, si dhe angazhimin publik për ta zgjidhur çështjen e delimitimit të hapësirave detare me Shqipërinë përmes një gjykate ndërkombëtare. Jemi përballë një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila synonte të niste nga Egjeu zgjerimin e ujërave territoriale. Ndryshimi i qëndrimit kërkon të diferencojë trajtimin e çështjeve që lidhen me delimitimin e hapësirave detare me Turqinë, krahasuar me vendet e tjera, për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur nga precedentët që krijohen. Ndryshimi tjetër konfirmon një largim nga pozicioni tradicional grek për ndikim të plotë të ishujve në raport me tokën kontinentale, siç duket qartë nga marrëveshjet e lidhura me Italinë dhe Egjiptin.

Vendet tona janë përfshirë që nga viti 2008 në procesin e delimitimit të hapësirave detare, në përputhje me Konventën për të Drejtën e Detit. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, veçanërisht pasi Marrëveshja e vitit 2009 u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Përpjekja e dytë për ta zgjidhur, si pjesë e paketës më të gjerëtë çështjeve dypalëshe, nuk solli rezultatet e pritura. Së fundmi, vendet tona vendosën ta referojnë çështjen në një gjykatë ndërkombëtare. Në thelb, ky process përgatitet nga palët, ndërkohë qëvendimmarja është e gjykatës. Në negociatat dypalëshe, palët veprojnë mbi bazën e objektivave dhe ekzigjencave të tyre. Ato kontrollojnë produktine negociatave. Kur palët vendosin t’i drejtohen gjykatës, kjo e fundit është rojtare e precedentëve të vendosur nga e drejta ndërkombëtare. Rrjedhimisht e pandjeshme ndaj objektivave tëpalëve.

To Vima: Në vitin 2018, Athina dhe Tirana iu afruan zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura. Ku ishte konvergjenca dhe cilat dallime u tejkaluan?

Ditmir Bushati: Kur mu besua detyra e Ministrit tëPunëve të Jashtme në shtatorin e 2013-ës, marrëdhëniet dypalëshe ishin pothuajse të ngrira, mosbesimi ishte i madh, nuk kishte kontakte të nivelit të lartë. Më duhet ta pranoj se, marrëdhëniet me Greqinë zinin një vend të veçantë në punën time të përditshme si Ministër i Jashtëm. Me kalimin e viteve, ne zhvilluam “politikën e hapave të vegjël”,duke vënë në lëvizje procesin e trajtimit të çështjeve të pazgjidhura dypalëshe, e duke arritur rezultate të prekshme. Kësisoj, kaluam nga faza e identifikimit dhe prezantimit të çështjeve dypalëshe në përcaktimin e një kuadri dhe pakete për diskutimin e tyre. Kështu, filluam diskutimet eksploruese në nivel diplomatik dhe teknik. Ndërtuam hap pas hapi një proces të bazuar në besim dhe përshkruam rrugën dhe agjendën se si do të trajtoheshin të gjitha çështjet dypalëshe.

Nëpërmjet këtij procesi ne ramë dakord për: heqjen e rezervës për përdorimin e vulës Apostile nga Greqia; njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve; regjistrimin e fëmijëve të lindur në Greqi nga prindër shqiptarë pa leje qëndrimi të rregullt; përdorimin e toponimeve përkatëse në dokumentet e udhëtimit bazuar në standardet e OKB-së; zbatimin e marrëveshjes për zhvarrosjendhe rivarrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke të viteve 1940-1941; nisjen e komisionit të përbashkët përrishikimin e teksteve shkollore.

Edhe pse ende nuk janë zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet tona, ne mund të jemi të sigurt për një gjë: vendet tona janë të lidhura nga prania e komunitetit të madh shqiptar në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri. Trajtimi i të gjitha çështjeve dypalëshe do ta kthejë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve tona në një partneritet të vërtetë strategjik.

To Vima: A e ngriti pala shqiptare “çështjen e çamëve”? Nëse po, çfarë përgjigje morët nga Nikos Kotzias, në atë kohë ministër i Jashtëm grek?

Ditmir Bushati: Çështja çame është pjesë e dosjes sonë historike dypalëshe dhe është parashtruar nga qeveria shqiptare ndaj qeverie greke. Më lejoni të jem i qartë, Shqipëria nuk e konsideron “çështjen çame” të lidhur me ndonjë pretendim territorial, pasi ne respektojmë plotësisht Kartën e OKB-së, Aktin Final të Helsinkit, Protokollet e Firences dhe të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me paprekshmërinë e kufijve. Ne e konsiderojmë “çështjen çame”, si një çështje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, një çështje që lidhet me lirinë e lëvizjes, të drejtën e gëzimit të pronës, të drejtën e kujtesës dhe respektit për paraardhësit.

To Vima: Jam i sigurt që i keni ndjekur deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Cili është mendimi juaj?

Ditmir Bushati: Kosova është një partner strategjik natyral i Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë udhëhiqet nga interesi kombëtar për thellimin e ndërveprimit politik, ekonomik, social dhe kulturor, si dhe përpromovimin e procesit të anëtarësimit në BE, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Duke pasur parasysh këtë, bashkëpunimi strategjik me Kosovën është themelor dhe synon të jetësojë rrugën europiane të shqiptarëve, të bashkuar brenda BE-së.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet