Makina e ministrit të Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu është goditur me vezë dhe ngjyrë të kuqe nga serbët e grumbulluar para ndërtesës së Komunës së Leposaviçit. 

Mediat serbe shkruajnë se ngjarja është shënuar në mëngjes kur ministri i Infrastrukturës, ka qenë duke dalë nga ndërtesa e Komunës së Leposaviçit.

Sipas mediave serbe, Aliu ka shfrytëzuar momentin kur një numër i vogël njerëzish janë mbledhur para komunës dhe ka hyrë për ta vizituar kryetarin e sapoemëruar Lulzim Hetemi, i cili prej 16 ditësh nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës.

Më momentin kur ka dalë serbët e grumbulluar kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe vezë në drejtim të makinës së ministrit, i cili më pas është përcjellë në drejtim të stacionit të policisë.