Sali Berisha nuk ka lënë të shuhet jehona e “Babales” dhe ka postuar sërish sot një foto-montazh të Taulant Ballës.
Këtë radhë ka zgjedhur një foto të një plaku me një person që Berisha thotë se është i dënuar dhe i ka vënë para në mënyrë të shëmtuar amatoreske një foto të Taulant Ballës, imazhin e së cilës e ka prerë nga një foto e tij në facebook nga një vizitë e Edi Ramës në Qarkun e Elbasanit.
Foto-montazhi pason një kërkesë të PD, që Taulant Balla të mos kryesojë delegacionin parlamentar në Parlamentin Evropian, bazuar tek akuza se ai shoqërohet me trafikant dhe përdhunues.
Në të dy rastet bëhet fjalë për dy falsifikime. Kjo që sapo ka botuar Berisha është tërësisht amatore, ndërsa çështja e Xhisielës në Fushë-Krujë jo vetëm që nuk ka ndodhur por mund të prodhojë dhe përgjegjësi ligjore për ata që e kanë shpikur.
Tani le ta lëmë mënjanë inatin e tërbuar që ka Lulzim Basha e Berisha me Taulant Ballën, për shkak se ai ka një jetë që merret me Argitën, Shkëlzenin dhe Kunatin e Lulit dhe të shikojmë seriozitetin e PD.
Kur i drejtohesh Parlamentit Evropian për një person në emër të një kauze të cilën shpreson ta bësh “kalë beteje”, minimum duhet të bësh kujdes të kesh dhe ndonjë fakt të vërtetë.
Tani nuk është puna se të dyja faktet i ka të gënjeshtra, por dhe fillimi i procedimit penal për dosjen “Babale”, krijon dhe një kontekst të fortë pabesueshmëria për opozitën, pasi është fillimi i ç’montimit të një “fabrike” të madhe lajmesh të rreme për qëllime politike.
Ndaj PD do të ishte mirë që betejën dhe urrejtjen personale të dy bashkryetarëve të PD, ndaj Ballës, të gjente ndonjë mënyrë tjetër për ta shprehur, jo duke heroizuar Ballën dhe duke shpikur çdo javë nga një skandal, që është thjesht gënjeshtër.
Kjo po i krijon atj një imunitet në opinionin publik dhe PD po shfaqet përditë e më shumë si një parti që bën “gjueti shtrigash” mbështetur në hallet familjare të bashkëkryetarëve të saj. Pasi do t’u ndodhë si me atë përallën e ujkut që dhe nëse Taulant Balla bën vërtet ndonjë gjë të rëndë, nuk ka për ta besuar njeri, duke e thënë PD.
Por sidoqoftë lëreni Taulantin të bëjë ndonjë gabim, ta kapni vërtet në një aferë, që mund ta inkriminoni dhe t’ua tregoni shqiptarëve.
Se kështu vetëm sa ia rrisni vigjilencën dhe e bëni dhe më të besueshëm jo vetëm në PS por dhe në Bruksel./ TEMA