ITALI, Cortina d'Ampezzo - Dy skiatoret e Shqipërisë, Lara Colturi dhe Semire Dauti mbyllën sot me sukses lëshimin e parë në garën e Skive Alpine në disiplinën e Slalomit Gjigant, e vlefshme për Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'. Dyshja kuqezi u kualifikua për në lëshimin e dytë i cili do fillojë në orën 13:30.
Lara Colturi pranë medaljes, e mbylli në vendin e 4-t
Italo-shqiptarja e cila është mësuar me podiumin në Kupën e Botës, e mbylli lëshimin e parë në vendin e katërt me 0.74 sekonda pas kryesueses Federica Brignone. Me kohën 1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat, Lara e mbylli në vendin e katërt dhe ka shanse të përmirësojë kohën në lëshimin e dytë, duke kërkuar kështu medaljen historike për Shqipërinë në Olimpiadën Dimërore.
Semire Dauti debuton me sukses
18-vjeçarja tjetër e Shqipërisë, Semire Dauti debutoi me sukses në një event kaq madhor. Me ngjyrat kuqezi, Dauti e mbylli garën në pozitën e 51-të me kohën 1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat, duke u kualifikuar për në lëshimin e dytë.
Në total garuan 76 skiatore, ndërsa në lëshmin e dytë u kualifikuan 61 prej tyre që ia dolën të mbyllnin lëshimin e parë. Ndërkohë skiatorja e Kosovës, Kiana Kryeziu, nuk mundi ta mbyllte sërish një garë në këto Lojëra.
Denni Xhepa
Dje skiatori i Shqipërisë, Denni Xhepa u rendit në vendin e 34-t në Slalomin Gjigant, teksa edhe në disiplinën e Super-G kishte zënë të njëjtin pozicion.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.
Kalendari i plotë i garave të sportistëve shqiptarë në 'Milano Cortina 2026':
Më 11 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në garën e Super Gjigantit që filloi në orën 11:30 në Bormio.
Më 14 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant që filloi në orën 10:00 në Bormio.
Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.
Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10:00 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Komente








