Pardje takova dy kolegë zv/ ministra të një ministrije që është afër Bashkisë së Tiranës. Ndër të tjera më thanë se u kishte bërë shumë përshtypje negative intervista e Kryetares së Kuvendit zonjës Jozefina Topalli në një televizion, ku ndër të tjera e pyetur për nivelin e korrupsionit në Shqipëri ajo ishte shprehur se ka korrupsion, porse niveli më i lartë i hierarkisë së korrupsionit është zv/ministri! Nuk e besova dhe për kuriozitet pyeta se kur ritransmetohet emisioni televiziv. E ndoqa dhe kolegët kishin të drejtë; pra, sipas zonjës Topalli, maja e nivelit të korrupsionit në vend është deri tek zv/ministri!

Më duhet të sqaroj për ata që nuk e njohin mirë administratën shtetërore, porse e shikojnë Shtetin si një ndërtesë ku ka lekë me thasë e ku të gjithë vjedhin, kush e kush më shumë. Natyrisht që disa duar fusin duart në thesin e Shtetit, e natyrisht duhet që drejtësia ti penalizojë, bile vonon në shumicën e rasteve. Por në rastin konkret ndjehem edhe unë i fyer si shumica e kolegëve me të cilët takova e fola në telefon këto dy ditë. Më duhet të sqaroj se nëse një zv/ministër vjedh apo shkel ligjin për korrupsion ajo nuk mund të ndodhë kurrsesi pa lejen apo bashkëpunimin me ministrin përkatës. Në mënyrë kategorike e them që nuk mundet pa bashkëpunim, pasi u bënë tre vjet, pa pak ditë, që jam zv/ministër dhe besoj se e njoh mirë si funksionon Shteti në gjithë piramidën e tij. Mund të ndodhë, siç edhe ndodh, që vetë ministri, edhe pa zv/ministrin ti bëjë punët siç do, edhe në sensin e korrupsionit, porse kurrë nuk ndodh e kundërta që zv/ministri të bëjë një veprim pa lejen apo firmën e ministrit. Në çdo dikaster. Kështu ka qenë edhe në vitet e qeverisjes së PS-së, por edhe sot. Pra të kthehemi tek thënia e zonjës Topalli, për të cilën, personalisht, ruaj respektin e një njeriu politik që të paktën në linjën e akuzave për korrupsion nuk është ngatërruar personalisht. Unë nuk jam Jozi që të them me 100 për 100 qind; ajo mund të ketë gabime të tjera, si dhe ky nxitim që ka thënë në televizion. E nuk e them këtë se ruaj postin e zv/ministrit, pasi siç kam pohuar publikisht le ta marrin karriken e zv/ministrit kur të duan! E që ta vazhdojmë në linjën e fillimit thënia e kryetares së Kuvendit është krejtësisht jashtë realitetit për zv/ministrat. Ajo nëse pohon se ka fakte se ka zv/ministra të korruptuar duhet të thotë edhe emrin e ministrit përkatës, ndryshe është një spekulim politik për të thënë se "ministrat janë të ndershëm e zv/ministrat, edhe hajdutë!". E për ta konkretizuar më saktë për publikun po e marr edhe më afër vetes akuzën e saj të thënë në përgjithësi; nëse unë jam i korruptuar si zv/ministër atëherë pa asnjë dyshim është edhe ministri Aldo Bumçi! Asnjë vendim, shkresë apo çfarëdo tjetër që ka lidhje me lekun apo me hamendjet për korrupsion nuk mund të kalojë apo të quhet e ligjshme pa firmën e ministrit. Në mënyrë kategorike jo! Kështu është ligji dhe kështu do të vazhdojë, kushdo që të jetë në pushtet.

Pra ose te dy janë kokë e këmbë të përzier, nëse është zv/ministri i përlyer ose në rastin, siç ka ndodhur përditë që ministri kryen çdo veprim dhe zv/ministri është në "autobuz', pasi nuk e pyet njeri për këto veprime e firma që hidhen përditë. Eshtë ndryshe të japësh mendime apo sugjerime, e ndryshe të keni të drejtën për firmë e vulë. Ne si zv/ministra japim mendime! Meqënëse u hap kjo loja e zv/ministrave mund të them pa droje se është gabim kjo politike e mbushjes së ministrive me turre zv/ministrash. E mira e punës e do që në një ministri, përjashtuar ndoshta ministrinë e Brendshme që është sa për dy ministri sëbashku, të mos ketë më shumë se dy zv/ministra. Asnjë dobi apo punë me të efektshme nuk jep kjo mënyrë e mbingarkimit të ministrive me plot zv/ministra. Përkundrazi! Unë e kuptoj se ka raporte delikate me partitë aleate, por më mirë e më shumë kompetenca ka një drejtor i përgjithshëm se sa një zv/ministër. Bile edhe për çështje zyrash për punonjesit e ministrive apo edhe për efektivitet pune nuk është se nxjerr më shumë prodhimtari një ministri nëse ka me shumicë zv/ministra.

E them me bindje këtë edhe për ministrinë ku unë bëj pjesë. Kryeministri më mirë të lërë një ose dy dhe puna do të ecë më mirë. Le të më largojë dhe mua e asnjë merak nuk kam, se jeta është plot rrugë, por flas sinqerisht e me shpirt, pasi nëpër ministri më shumë kohë iu shkon specialistëve të administratës duke hyrë e dalë nëpër zyra zv/ministrash, të cilët shumëherë dublojnë njëri-tjetrin. Bile edhe për efektivitetin e ministrit është më mirë një ose dy zv/ministra. E nuk flas vetëm për ministrinë ku jam ende edhe disa kohë, por flas edhe për ministritë e tjera.

Prapë po rikthehem tek shprehja apo bindja e zonjës Topalli. Nëse është lapsus ajo të kërkojë falje publike, nëse është bindje është edhe më keq për të e për subjektin e saj politik. E përsëris me një zemerim të ligjshëm se është një akuzë e pakuptimtë dhe fyese. Edhe nëse ka dashur të mbrojë qeverinë prapë ka gabuar se gjoja ministrat janë të drejtë e të pakorruptuar! Po ne, zv/ministrat, a nuk jemi pjesë e Qeverisë?! Pa diskutim që jemi se jemi propozim direkt i Kryeministrit. Bile mund të ndodhë që një ministër, siç ka ndodhur në këto 22 vite demokraci, të firmos një akt apo të kryejë një korrupsion, dhe bëhet juridikisht, e Kryeministri të mos dijë gjë. Nuk po ruaj kryeministrin apo kryeministrat e këtyre viteve, porse e përdora si shembull që më jep të drejtë në reagimin tim, se ministri operon pa firmën e kryeministrit, kurse zv/ministri nuk mundet kurrsesi pa autorizimin me shkrim të ministrit. E kam fjalën për firma që sjellin lekë apo edhe euro korruppsioni!

*Zv/ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Letra e hapur u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com, 29 shtator 2012
(sg/shqiptarja.com)