Letër e hapur kryeministrit: 
S’i trembem kancerit,
por ferrit të spitaleve

Letër e hapur kryeministrit: <br />S’i trembem kancerit,<br />por ferrit të spitaleve
Tetori është muaji për të sensibilizuar gratë dhe nënat të kryejnë kontrolle për parandalimin e kancerit të gjirit.

Mikesha të mia shpesh më nxisnin të shkruaja për sëmundjen e mamasë time, por  hezitoja.

Mendoja: Çfarë të tregoj?

Së bashku me mamin kishim shkuar të bënim një kontroll rutinë, por.. “tavani na ra në kokë”.

 Masa tumorale ishte përhapur dhe duhej në mënyrë urgjente të bëhej ndërhyrje kirurgjikale. Një vorbull e madhe frike me pikëpyetje dhe panjohuri.
Më pas përpjekjet për të gjetur me ndërmjetësim dhe para në dorë një krevat pak më të mirë, në një dhomë pak më të pastër.  Analizat e biopsisë nga spitali shteteror t’i dërgonim tek privati sepse shtetërori nëse do i bënte do të vononte me muaj, ndërkohë që mjekimi duhej te niste sa më shpejt.

Ecejaket për të mjekuar plagën, duke qëndruar me orë të tëra nëpër korridoret e spitalit për një vizitë që nuk zgjaste më shumë se 5 minuta.

Përplasjet e dyerve kur infermierja t’i mbyllte para fytyrës, pa pikën e turpit,  edukatës, dhe i hapte në momentin kur në xhep ndjente dorën e tjetrit që fuste kartëmonedhën 2 mijë apo 5 mijë lekëshe (të vjetra)
Çarçafët apo këllëfët e jastëkëve që merrnim me vete kur mamaja ime do të bënte kemio. Orët e gjata të pritjeve dhe mundimi për të gjetur një krevat, sepse nëse s’kishte, pacienti mund të bënte kemion ulur në karrige. (një i sëmurë apo një i afërm e di se çfarë mundimi është)

Pastaj radioterapia, e cila nuk u bë kurrë siç duhej. Aty ku mjeku seleksiononte pacientët si të ishte ndarja e mollëve, në cilësi të parë, të dytë apo të tretë. Në fakt ato ishin jetë njerëzish.
Në korridorin para se të hyje tek dhoma ku ndodhej aparatura e kobaltit, kishte njerëz të ardhur nga Kosova, Elbasani, Shkodra, Kukësi, e pasi kishin qëndruar në pritje për disa orë, mjeku dilte e u thoshte: “Ikni se u prish aparatura, apo, ikën dritat, hajdeni javën tjetër… “

Mundimi për të gjetur kselodat, të cilat në treg të zi kushtonin shumë, ndërkohë që me ligj siguroheshin nga spitali me një shumë shumë më të vogël.

Telefonatat dhe konsultat me mjekë të cilët nuk thonin kurrë të vërtetën, nuk të jepnin kurrë sqarimin e duhur, ndërsa për mbështetje psikologjike, (e domosdoshme për njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje) as që mund të bëhej fjalë.

Këto, e shumë të tjera, i kisha fshehur diku në thellësi të kujtesës sime, me shpresën se gjërat mund të kishin ndryshuar. Por kolegia ime, gazetarja Esmerlada Keta me një shkrim të botuar pak ditë më parë në Shqiptarja.com, ( me titull:  Muaji antikancer, Onkologjiku pa ilaçe, bllokohet radioterapia )  më riktheu në vëmendje vuajtjet e 7 viteve më parë.
 
UNË, KANCERI DHE QEVERIA IME

Unë jam një nga ato grate e nënat, të cilave u dedikohet ky tetor, Zoti Kryeministër Edi Rama, dhe  ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. 
E lindur nga dy prindër, të cilët sëmundja i mori shpejt, jam pjesë e asaj popullsie që ka më shumë risk për t’u sëmurë nga kanceri i gjirit.

Të them s’kam frikë… gënjej.

Kur u sëmur mami im, ajo e keqe që dikur më dukej aq larg (pas vdekjes së babait) erdh e ul pranë meje.

Nesër?... S’e di.

Por mua s’më tremb përballja me realitetin. Ma mësoi mamaja ime. S’më tremb dhe nuk i nënvlerësoj kontrollet një herë në vit apo paptestet.

Mua më tremb cilësia e shërbimit.
Më tremb kalvari i mundimeve e stërmundimeve pas diagnostifikimit të sëmundjes.

Kur je me kancer përveç pyetjeve dhe dyshimeve edhe sa vjet jetë ke, duhet të mendosh ku duhet të gjesh milionat për operacionin dhe më pas trajtimin mjekësor.

Më trembin bisedat falas, që do të bësh me mjekun në spital shtetëror, që  më pas kthehen në trajtim mijëra eurosh që ky mjek do të të bindë ta bësh te klinika e tij private.

Orët e tëra të pritjeve prapa dyerve dhe arrogancën e infermierëve me njerëzit që në sy kanë dritën e shpresës, ndonëse e dinë se prapa, si hije u fshihet vdekja.

Ky muaj është mesazh për mua e shumë shoqe të mia të parandalojmë të keqen përmes vizitave ekografikeve, konsultave të rregullta e pap-testeve.

Ky vit është dhe për ju Zoti kryeministër Edi Rama dhe ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj: Bëni të funksionojë sistemi shëndetësor. Bëni shëndetësinë për një Shqipëri të gjeneratës tjetër.
 
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Financim nga shteti për familjet që instalojnë sistemet e ngrohjes dhe ftohjes në banesa! Miratohen 4 skema për panelet, pompat, kaldajat e ngrohjen qendrore

Financim nga shteti për familjet që instalojnë sistemet e ngrohjes dhe ftohjes në banesa! Miratohen 4 skema për panelet, pompat, kaldajat e ngrohjen qendrore