Sapo kam dorëzuar në gjykatën e Faktit në Tiranë një padi për një gazetë të përditshme që me qëllim ka shpifur ndaj personit tim, vetëm për faktin se kam qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë”.

Akuzat publike që më janë bërë nga 2-3 gazeta, shërbëtore të politikës se jam unë dhe gazeta "Koha Jonë" organizuesit kryesorë të ngjarjeve të dhimbshme të 1997-ës, kam pasur durimin me vite për t’i zgjidhur gjyqësisht. Gjykata ka dënuar botuesin e gazetës 55 Fahri Balliun me numër vendimi: 136 datë 16.1.2009, pikërisht për publikimin e të njëjtave akuza kundër meje.

Ndërsa vazhdojnë sulmet ndaj meje, mendoj se më lind e drejta t’i drejtoj disa pyetje ish botuesit të gazetës “Koha Jonë”, sot me detyrën e zv.ministrit të Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Z.Nikollë Lesi,
Përse heshtni, kur goditet në ndonjë media të shkruar, kolegia e Vlorës dhe gazeta “Koha Jonë”, që duke qenë botues i saj, dolët në dritë, u bëtë deputet e tani jeni qeveritar?

Kam rastin, pse për herë të parë, të bëj publike sjelljen dhe marrëdhënien tuaj, qëndrimin tuaj ndaj meje që kam punuar plot 10 vjet në gazetën “Koha Jonë”. Unë për vete ndihem krenare, pasi e kam ushtruar profesionin me dinjitet dhe si askush tjetër, deri në rrisk.
Si është e mundur që ju botuesi dekoroheni nga Presidenti i republikës, u bëtë deputet, tani jeni zv.ministër i qeverisë që dikur ngarkoje me faj, ndërsa unë gazetarja e Vlorës vazhdoj të përflitem edhe pas 15 vjetësh?
Përse dolët nga fjala zoti Lesi dhe nuk paguat asnjë qindarkë për dëmet që shkaktoi tritoli i vendosur në banesën time më 10 maj 1998, ndërsa premtuat gjatë vizitës në shtëpinë e shkatërruar se “të gjitha shpenzimet do t‘i heqë gazeta Koha Jonë”?
Përse nuk e përmendni Zenepe Lukën në bisedat që bëni kur evidentoni vlerat e misionin e gazetës “Koha Jonë” ndërsa nuk harroni të përmendni dhjetëra gazetarë, edhe pse kanë punuar vetëm nga 1 muaj aty. Dihet pse e bëni këtë veprim, thjesht për t’u mburrur se sot ata janë drejtues gazetash e televizionesh në vend. Dhe sipas jush, është merita e gazetës “Koha Jonë” dhe Nikollë Lesit që i bëri ata profesionistë.
Në këtë rast, u jap të drejtë vetëm në një pikë: Mua nuk më bëri gazetare “Koha Jonë”, jam ndër pesë vajzat e para që kam çelur degën e gazetarisë e jam diplomuar gazetare e mendoj se gazetës Koha Jonë i dhashë profesionalizmin tim, mesazhin se gazetari nuk duhet të tërhiqet për të informuar për të vërtetën, edhe kur rriskon.
Ju zoti Nikollë Lesi duhet të mbani përgjegjësi, duhet t’ju vrasë ndërgjegja për heshtjen, ashtu sikurse edhe botuesin Aleksandër Frangaj, pavarësisht nga interesat që keni nga politika.
Kjo tregon se unë gazetarja profesioniste dhe gazeta “Koha Jonë” kemi mbetur vetëm në misionin e përbashkët dhe kjo më bën krenare. Gjëja e fundit që dua t’ju them është se i fitova me gjyq 10 vitet e punës në gazetën “Koha Jonë” që më ishin mohuar, duke përfshirë edhe vitin 1997.
Shpresoj të të zgjohet ndërgjegjia dhe të kërkosh ndjesë zoti Lesi për heshtjen dhe qëndrimin ndaj gazetares Zenepe Luka. Me këtë letër publike, përçmoj ata artikujshkrues, që për t’i shërbyer politikës, godasin padrejtësisht një kolege që ka bërë me vërtetësi detyrën e gazetares në terren.
Shpresoj që edhe Unioni i Gazetarëve të merret seriozisht me këtë problem dhe jo të bëj rolin e sehirxhiut.

*Drejtuar z.Nikollë Lesi, ish- botues i Gazetës “Koha Jonë”
Për dijeni
Ambasadës së SHBA në Tiranë
Unionit të Gazetarëve Shqiptarë


(Letra e hapur u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(ne foto Zenepe Luka dhe kengetari italian Albano)

(sg/shqiptarja.com)