Letërkëmbimi mes Lasgush
Poradecit dhe Mitrush Kutelit

Letërkëmbimi mes Lasgush<br />Poradecit dhe Mitrush Kutelit

Nesër shënohet 50-vjetori i ndarjes nga jeta, i mjeshtrit të fjalës shqipe Mitrush Kuteli. Ndërsa dje një ngjarje e rrallë u shënua në Arkivin Qendror të Shtetit, ku dy vajzat e Lasgush Poradecit, Marie dhe Kostandina gusho dhuruan afro 25 mijë faqe dorëshkrime të Poradecit.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve që sjellin kaq pranë vëmendjes së publikut këto dy gjeni të letrave shqipe sjellim për lexuesit tanë një grup letrash të këmbyera mes tyre në periudhën prill – maj 1933. Janë letra të pazakonta, me zemeratë, keqardhje, keqkuptime, vëshirësi fizike e shpirtërore...Lasgushi i sëmurë rëndë në Vjenë, dhe Mitrushi i keqkuptuar në Bukuresht me dëshirën e pamasë për ta parë të botuar vëllimin poetik të mikut të tij..

Letrat janë shkëputur nga botimi i vitit 2010 “Korrespodencë, Lasgush Poradeci Mitrush Kuteli, vepra IV” , ku është botuar një pjesë e korrespodencës së Lasgush Poradecit nga 1928 e deri tek një pjesë ditari e 1967-ës. 

 

* * * 

Graz, Pashkë 1933. Lasgush Poradeci, pas një korespodence befasuese me Mitrush Kutelin, plot intimitete, ndjesi personale, e probleme të kohës, i shkruan mikut të tij pogradecar, me një stil të shkathët, e ndonjëherë me ton ironik për një çështje që sa ka nisur të agravojë mes të dyve. I sëmurë në Graz të Austrisë, Poradeci shkruan për librin e tij me poezi, që të dy prisnin me padurim të botohej: “...Vjershat gati që 1924. Pse si shtypa!?! Mos më “çkupto” merrmi vesh dhembjet (trupore), sepse shpirti i hekurt s’thyhet”.

Larg, në një botë dhe atmosferë tjetër, Mitrush Kuteli, i shtrënguar nga fjala që ju ka dhënë donatorëve, të cilët kanë mbështetur financiarisht botimin e vëllimit poetik të Lasgushit, e që pyesin pareshtur për botimin, e nguc mikun e tij të nxitojë...

Bukuresht, 22 prill 1933. Mitrush Kuteli, shkruan nga kryeqyteti rumun. “Ti ç’bëre pas  vite pune? Asgjë. Shkundu Llazar dhe vështro rrotull. Një njeri vlen sa  vepra e tij. Ku e ke veprën? Nuk dua manuskrite dhe projekte, dua volum. Dëgjon? Sgjohu nga letargjia e një koncepsioni oriental. Unë pres formën e parë të volumit t’ënt...”

Më tej? Kuteli shkruan sërish, e sërish e gjuha e tij në letra sa vjen e bëhet më e ashpër, më e drejtpërdrejtë. “1) Përse  gjer më sot nuk më jep asnjë indikacion përmi stagjin e shtypjes së volumit? 2) përse nuk më shënon në qoftë se do ose s’do, munt ose s’munt, të shkruash një artikull të vogël për broshurën e projektuar të Shoqërisë s’onë?  3) Përse nuk i konfirmove Shoqërisë marrjen e të hollave prej konsullatës së  Vjenës? 4) Ç’ke  nër mënt? – dua mendime të sinqerta,  reale, të kulluara (në lidhje me shtypjen e poezive)...”.

Asnjë përgjigje e firmosur prej Poradecit nuk vjen nga Graz-i. E Kuteli, i ndërgjegjshëm se është treguar i ashpër i shpjegon gjendjen e tij të rënduar shpirtërore: “Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von-pas disa ore më ardhi keq… Po të m’a dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin e fundit…”, shkruan Kuteli në letrën e  5 majit 1933 nga Bukureshti.

Çfarë po ndodh mes tyre? Në ç’hulli po hyn miqësia e dy mjeshtrave të fjalës? Korrespodenca e tyre është mbresëlënëse….

 

***

Këto fragmente letrash cituar këtu, të shtyjnë të kërkosh më thellë brenda mardhënies shpirtërore që patën ata të dy, gjuhën e papërsëritshme që përdornin në letërkëmbimin e tyre, qejfmbetjet brilante, përshkruar me tone të pazakonta ndjesore...

Ja se si ka mbërritur në duart tona, ky vëllim letrash që është në fakt jeta e Kutelit dhe Lasgushit nga viti 1928, që i korrespodon edhe letrës së parë (Lasgushi shkruan: O shok i dashur! Ardhi koha e nisjes së letërkëmbimit t’onë! Le të fillojmë pra një muzikë të re...) e deri tek një përjetim i vonë i Lasgushit, plot ndjenja turbulluese, në vitin  1967, kur miku i tij i shtrenjtë Mitrush Kuteli nuk jetonte më...

 

Një thesar brenda një dosje...

Maria Gusho, vajza e Lasgushit, shkruan në hyrje të këtij libri... “Emrin e Mitrush Kutelit e kisha lexuar ne librat e bibliotekës së babait tim, që kur isha fëmijë. Ato libra më kishin pëlqyer aq shumë, kishin zhvilluar fantazinë time e më kishin bërë të shëtisja në vende magjike, të njihja Mujin e HALILIN, Gjergj Elez Alinë, Tanushën e bukur e Ajkunën e dhembshur, trimin e ushtrisë së Skënderbeut, Xinxifillon etj. Për Mitrushin kisha dëgjuar të flitej edhe në biseda familjare, mes nënës e babait, mes miqve, që vinin e na vizitonin. Atëherë isha e vogël dhe mjaftohesha me gëzimin që më jepte ky autor me shkrimet e tij, aq më tepër që ishte mik i babait. Vetë nuk e kisha parë, nuk e njihja. Me kalimin e viteve, atëherë kur pata fatin e madh të rrëmoja në arkivin e babait tim, midis “çudirave” që pashë ishte dhe një dosje ku shkruhej “letra nga Mitrush Kuteli”. E hapa me kujdes të veçantë sikur në të ishte diçka e kristaltë, që do më thyhej. Të vendosura njëra pas tjetrës, të ruajtura me kujdes, të zverdhura nga koha, këto letra kishin rreth 70 vjet që rrinin aty. Prisnin. Prisnin që dikush t’i hapte e të kujdesej për to…”
 

Letrat e këmbyera mes Kutelit e Poradecit

 

D- lui Dimitrie Pasko

Cal Dorobantilor nr.9

Bukuresti Romania

 

Graz, pashkë 1933

 

Ke të drejtë. Pse mos më shahsh! Dashuria të lejon… po dhe të jep urdhër: mos më çkupto!! Më the të shpëtoj “aparencën”? Pse jo? E pranova këtë thikë? Trupi pikon gjak së brendi! “Aparenca” shkoj për lum. Vanë 4 vjet që ahere. Mjaft durim. Më dërgo tashi helm? A kujtime? “shikoj vetëm parpalitjet e shpirtit t’im??? Gabim i zi! Nuk ”shëkoj”!! Përkundër: mos përkujdesje mëkatare. Vjershat gati që 1924. pse si shtypa!?! Mos më “çkupto” merrmi vesh dhembjet (trupore), sepse shpirti i hekurt s’thyhet.

 

Qoft’ e ëmbël si 1 çupë,

Qoft’ e mbushur plot me gjak,

Do ta pi të shkretën kupë!

Siç e piu Sokrati plak. –

 

E në dhembjet ven’ e vinë,

Jam gati të vuaj më,

Kush m’a njojti varfërinë,

Ah! nuk njojti kurrëgjë.

 

Bukuresht 22 prill 1933

 

E mora k.p. Nuk të kuptoj. Nuk përpiqem të të kuptoj, nuk dua të të kuptoj përveç se ashtu si di dhe si dua unë. Përse kapërcen në mënyrë tangjenciale pyetjet e mija? Ç’është kjo inerci dhjetvjeçare për nxjerrjen e një volumi poezish? Përse rron vetëm më 1850 dhe jo më 1933? Përse nuk i përgjigjesh letrës së Shoqërisë s’onë – të paktën për formë? Përse nuk më thua kur do të vihet nënë shtyp volumi i poezive dhe kur do dalë? Kur s’ke besim në të tanishmen, qysh mund të kesh në të ardhmen? Nuk eksiston përveç se prezenti: të tjerta janë pralla dhe gënjeshtra. Më 33 vjet Krishti kish dhënë besën e re. Ti ç’bëre pas  vite pune? Asgjë. Shkundu Llazar dhe vështro rrotull. Një njeri vlen sa  vepra e tij. Ku e ke veprën? Nuk dua manuskrise dhe projekte, dua volum. Dëgjon? Sgjohu nga letargjia e një koncepsioni oriental. Unë pres formën e parë të volumit t’ënt.  Bëj abstrakcion për çdo tjatër cirkustancë. Ky është koncepsioni im kirurgjik. Vepërim, vepërim, vepërim,  thua ti. Unë të pyes: ku e ke vepërimin?... asnjë volum pas dhjetë vjet pune (ose pas njëzet vjet). Përse nuk e ve nënë shtyp kur ke edhe dorëshkrimin dhe të hollat?

 

Bukuresht 22 prill 1933

 

Përpara një ore të dërgova një k.p. si përgjigje. Me qënë se kam një gjëndje shpirtërore – në lidhje me shtypjen e poezive të tua – të cilën nuk mund të t’a tregoj në kartë, po të çjerr pak nga brengat dhe po t’i ve në kartë.

1) Përse  gjer më sot nuk më jep asnjë indikacion përmi stagjin e shtypjes së volumit?

2) përse nuk më shënon në qoftë se do ose s’do, munt ose s’munt, të shkruash një artikull të vogël për broshurën e projektuar të Shoqërisë s’onë?

3)  Përse nuk i konfirmove Shoqërisë marrjen e të hollave prej konsullatës së  Vjenës?

4) Ç’ke  nër mënt? – dua mendime të sinqerta,  reale, të kulluara (në lidhje me shtypjen e poezive).

5) Përse nuk konfirmon marrjen e dorëshkrimit? (ç’kuptim kish të mbaj unë dorëshkrimin këtu – Hiç me hiç).

Kaqe.

Më tepër nuk dua të di asgjë. Jam tepër i brengosuar, tepër i përvojtur, tepër i lodhur, që të dij të tjera. Po të vije pak shpirtin t’ënt në një mansardë bukureshtiane… dhe më shumë të tjera dhembje morale dhe lëndore…do të më përgjigjej me postën e parë.

Me ndjenja të turbullta Mitrushi

 

Buk.5 maj 1933

 

I dashur Llazar,

S’di qysh të filloj e qysh të shkruaj. Me dhembje, dyke shkelur brutalisht përmi shpirtin t’im, të pata shkruar përpara pak kohe,  në një ditë, një k.p. dhe një letrë. Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von-pas disa ore më ardhi keq… Po të m’a dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin e fundit…

I mora njera pas tjetrës të dy k.p. nuk i lëçita me gëzim. Ç’kisha në shpirt e ç’ish i pa thënë në to përplotësosheshin.

Dhe të them tashi si pat qënë puna që të shkrojta ashpër:

1) përgjegjësia morale ( dhe mbase më tepër) kundrejt një rrethi që s’më kupton e s’të kupton….pyetjet e dëndura: kur dalin poezitë e lasgushit, sa e sa insceptibilitete.

2) Dëshira e madhe q ëtë shoh të realizuar ëndërrën t’ime dhe t’ëndren, të shoh në dorë volumin e poezive.

3) Pritje e gjatë e një letre konfirmimi prej teje. Më dërgove dorëshkrimin pa asnjë shpjegim. Pas tij asnjë letrë përveçse passi e kishe vënë në postë. Të gjitha këto më prishnin mëntsh.

Po t’i lemë këto.

Është nje detyrë për ty dhe për mua që të dali volumi.  Me që ti nuk munt, dergo-ma këtë dorëshkrim së bashku me shënimet e tua të fundit. Nga të 900 Schilingat që ke marrë mbaj 200 ti për harxhet e tua dhe dërgo-më vetëm 700-. Mbesoj të më sosin. Në qoftë se nuk  do mjaftojnë do bëhem urë e gur e do t’i plotësoj. Korrekturat do t’i dërgoj aty. Ti të më tregosh formatin që të pëlqen. Të tjerat leri në kujdesin t’im. Passi të dali volumi do mundim të shesim mjaft numura. Fitimi do të jetë t’ëndi. Me këto të holla të përkujdesesh për shëndetin t’ënd. Përveç këture si të dali libra do mundim të kërkojmë ndo-një subvencion për ty prej M. Së Arësimit ose gjetkë. Është momenti psikologjik më i sgjedhur. Kam mik një gazetar dhe një poet gjerman M.Rosenkranz – i cili ka shtypur disa volume poezie – që do të të bëjë recenzione në gjuhën gjermane Unë do të shkruaj shqip dhe rumanisht. Gjithahstu do bëj një recenzion frëngjisht për revistën “Les Balkans” të Athinës. Do kësilloj me vepërim si thua ti, t’ja thyejmë gjunjët Djallit të shqipërisë…

Kjo është udhë më e mirë dhe më korekte. Mos rri në mendime sepse jam menduar dhe kam vrarë unë mëndjen mjaft. Sgjidh rrugën e mirë për dërgimin e të hollave dhe mos vono. Çdo vonim të sjell dëm moral dhe material. Nuk është çudi se shtypja e librës do të të sjellë një reaksion psikollogjik dhe do mund të ketë reperkusione për ty.

Unë jam në mbarim e sipër të thezës. Kam 44 faqe dorëshkrim. Gjithsej do bëhen përmbi 500. faqe shtypi do të jenë 300. Me sa vojtje e bëra vetëm unë e di. Asnjë tjetër. Mungesë materiale, mungesë morale... E si t’a mbaroj? Hiç. Perspektiva për shtypjen e kësaj proze nuk kam asnjë. Trokas derë më derë. Hiç.

Po ta levdonja Bankën e Shqipërisë do kisha “situatë”. Po shpirti është shpirt. Për pastërtinë e tij dhe për idealin e shqipes po hiqem zvarrë. S’ka gjësend. Si thua ti: Valoj me sulm e gas. U mbarua gazi? Digjet fitili dhe pa dritë nuk do mbetemi. Ç’thua ti? Nuk është kështu?

“Shqipëria e re nuk ka dalë prej shumë kohe. Me këtë numër do shikosh ndryshime. Sgjohemi, vepërojmë dhe godasim me ashk. Dhe do vazhdosh të  lëçitësh (daca nu se vinde magarul acela de proprietor). Pe mine ma doboara reumatismele. Afi plona Ah. Doamne.

Cancua nuk më shkruan asgjë. Ka frikë mos i presin kreditin nga banka sep[se unë qenkam jashtë ligjit. Me dashuri e dhembje Mitrushi

Me postën e parë pres dorëshkrimin dhe të tjerat.

 

Bukurest 28 Maj 1933

 

I dashur Llazar,

Të fundit k.p. së bashku me dorëshkrimin i mora. Pres të hollat – të paktën pjesërisht – që të mund t’i plotësoj dhe të vë nën shtyp volumin. Prestigji t’ënd dhe t’imi e urdhërojnë. Ndryshe bëhemi për të qeshur. (Unë fillova të ndahem të evitoj shumë njerës kundrejt të cilëve jam obliguar materialisht dhe moralisht). Mendo dhe kupto… Një gjë të cilën nuk kam mundur dhe nuk mund t’a kuptoj është kjo: Qysh në një kohë prej afër 4 muaj nuk gjete kohë të lirë(?) prej 5 ose 10 minutash t’i përgjigjesh Shoqërisë ose studentëve që i more të hollat.

Vras mendjen.

Cili është mendimi yt i sinqertë (pa asnjë reticencë) përmi këtë pikë. A lipset të mbesoj unë se e telendisëm shoqërinë – si i thonë shokët-?

... mendohem edhe unë, i shtrëngoj nervat se vetëm një herë kur desha të marr një iniciativë për vepërzën e një shokut t’im më dolli kllënjkë. E merr vesh? –kllënjkë- Dhe vuaj, vuaj, vuaj...

unë kam mjaft brenga dhe përmi nervat dhe përmi brengat e mija mu pat shtuar çështja e mosshtypjes së librës s’ënde. Ta dinje dhembjen e shpirtit t’im nuk do ta sgjatnje muaj me radhë punën... Më ke dhënë një kupë vreri... kur unë të shkruaj letër të gjatë me brenga, ti nuk më përgjigjesh përveç se me akullë. Përse? Edhe kundrejt meje akullë Llazar? Në qoftë se i shpenzove të hollat për shëndet shkruajmë. Është punë e kthjelltë. Dëshëroj ta mbyll çështjen dhe pot a varur. Dhe këtë sa më shpejt – jo javash-javash-

Përveç kësaj të bëj lutjen e fundit për çështjen e shkrimit të broshurës s’onë. Do, nuk do, kur? Brenda kësaj jave dua të kem përgjigje ose dorëshkrimin. Po të njihnje një pjesë të brengave të mija nuk do më zemërohesh për mënyrën e ashpër të shkrimit.

Të shkruan një zemër tepër-tepër e shtypur.

Mitrushi

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet