Letra e Arbnorit nga Burgu Burrelit për Ramiz Alinë në 1986-ën: Ja si e lanë të vdiste shokun tonë që kishte bërë 20 vjet dhe priste të lirohej

Letra e Arbnorit nga Burgu Burrelit për Ramiz Alinë në 1986-ën: Ja si e lanë të vdiste shokun tonë që kishte bërë 20 vjet dhe priste të lirohej

Memorie.al publikon disa pjesë të panjohura nga dosja hetimore dhe gjyqësore e ridënimit të Pjetër Arbnorit gjatë periudhës që ai vuante dënimin në Burgun e Burrelit në vitin 1979, ku prokurori i rrethit të Matit, Rexh Meta, në bazë të deponimeve të disa bashkëvuajtësve të Arbnorit, si dhe marrjen në pyetje të tij nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendëshme të atij rrethi, Jani Kolezi, si dhe akt-ekspertizën e hetuesit Sofokli Afezolli ndaj librave në dorshkrim që Pjetër Arbnori shkruante fshehurazi në qelitë e atij burgu, ka paraqitur dosjen në gjykatën e Burrelit. Të gjitha deponimet dhe akuzat e bashkëvuajtësve të Arbnorit, si J.Z., B.Ç., M.K., Gj.L., etj., lidhur me debatet dhe bisedat që ata kishin bërë me të gjatë vuajtjes së dënimit, ku ai u kishte folur për: Revolucionin e Tetorit, Revolucionin Kultural-Proletar në Kinë, marksizëm-leninizmin, socializmin, Amerikën, Francën, Anglinë, Leninin, Stalinin, udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe Enver Hoxhën, përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri etj.

“Ndërsa dëshmitarit B.Ç., duke i folur për pushtetin tonë popullor i është shprehur se: ‘Këto gënjejnë në shtypin e gazetat e tyre’. Por armiqësia e tërbuar e këtij të pandehuri me pushtetin tonë popullor shprehet hapur në dëshirën e tij për përmbysjen e pushtetit tonë popullor, duke i thënë dëshmitarit J. Z., që: ‘Ti bashkë me xhaxhanë tënd do të japësh llogari para nesh, pikërisht për këtë gjë ti e mbron këtë system’, apo kur këshillon dëshimtarin M. K., që ‘Të mos i përkulesh këtyre, ne na takon e ardhmja, prandaj duhet të përgatiteni e tjerë’. Nga provat e grumbulluara në dosjen hetimore dalin edhe shumë biseda të tjera armiqësore të zhvilluara nga i pandehuri, apo ide e pikpamje të tij, por që bashkë me materialin tjetër të mbledhur në dosjen hetimore, me qëndrimin e tij prej armiku në hetuesi, provojnë plotësisht jo vetëm akuzën në drejtim të pandehurit Pjetër Arbnori, por qënien e tij si armik i betuar deri në fund i këtij pushteti popullor”.

Kështu thuhet në në mes të tjerash në një nga relacionet e prokurorit të rrethit të Matit, Rexh Meta, të datës 30 prill 1979, ku ai raporton mbi hetimet që ka bërë hetuesia e atij rrethi ndaj të burgosurit Pjetër Arbnori, i cili në atë kohë ndodhej në burgun e Burrelit, ku vuante dënimin prej 25 vjetësh që i ishte dhënë në vitin 1962, i akuzuar se kishte dashur të formonte një parti social-demokrate. Po çfarë thuhet tjetër në akuzat që i’u bënë Pjetër Arbnorit në atë kohë në burgun e Burrelit dhe kush ishin të burgosurit që pranuan të dëshmonin kundër tij? Çfarë kishte shkruar Arbnori në romanin e tij “Shtëpia e mbetur përgjysëm” dhe si u komentuan pjesët e atij libri nga hetuesi Sofokli Afezolli në akt-ekspertizën e bërë prej tij e cila e ridënoi edhe dhjetë vjet të tjera atë? Si u mbrojt i burgosuri Pjetër Arbnori nga akuzat që i bëheshin në atë kohë dhe çfarë i shkruante ai në letrat që i dërgonte nga burgu Prokurorit të Përgjithshëm, Kryeministrit Mehmet Shehu, dhe në vitin 1986, edhe Ramiz Alisë? Me të gjitha këto dokumente arkivore që Memorie.al i publikon për herë të parë, u njohëm në numrat e kaluar, ku në një intervistë që kemi zhvilluar në atë kohë me z. Pjetër Arbnori, ai tregonte lidhur me përkthimet që bënin të dënuarit politik në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ndërsa në numrin e sotëm po publikojmë, letrën që Pjetër Arbnori i’a dërgonte Ramiz Alisë, në vitin 1986.

Letra e të burgosurit politik, Pjetër Arbnori, për Ramiz Alinë

Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës

                                             Tiranë

Për dijeni të

Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor

                     Ramiz Alia

Duke shkelur në mënyrë sistematike ligjshmërinë dhe rregulloren e brëndshme të burgut të Burrelit, komanda më detyroi të filloj grevën e urisë prej 7 ditësh, e s’dihet kur do përfundojë.

Zëvëndës Drejtori i Kampeve dhe Burgjeve, Mithat Bare, në prani të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të rrethit Mat, dhe komandantit Ismail Musta, na lexoi vendimin e 28 majit 1983 “Mbi heqjen e gatimit personal (na ndalohet të ziejmë dhe një çaj me gazeta, kur jemi me grip) dhe kufizimin e ushqimeve (1-2 kg) dhe frutave e zarzavateve (3 kg) në muaj.

Na u lexua se kjo bëhej për të lehtësuar familjet tona. Ai lexoi shprehimisht, “I burgosuri lejohet të marri nga familja vetëm 2 kg. sheqer, gjalpë, ose marmalatë, në muaj. Ndërsa pranë burgut, do hapet një dyqan ku do ketë konsum ditor me byrekë, sallamra, konserva, kafe, etj. Pas pak ditësh, komandanti na afishoi dhe lexoi një rregullore të re, që përmbyste tërësisht, rregulloren e mëparshme. Kjo rregullore e re, thoshte që të burgosurit do të marrin ushqimin në masën e caktuar nga familja, si dhe do të konsumojnë produktet tek dyqani i burgut, kur të kishte mundësi.

Pra u hoq fjala “e tjerë” dhe u shtua fjala magjike “kur ka mundësi”. Që për komandantin do të thoshte “kur të dua unë”. Veç kësaj doli një klauzolë tjetër nga Mithat Bare, e cila thoshte se: në dyqan mund të blesh vetëm 3 kg. fruta dhe zarzavate në muaj, po të mos i kishim marrë nga familja. Kjo nuk kishte të bënte fare me lehtësimin e familjes dhe për javë të tëra dyqani mbeti me bisktota, kafe, dhe reçel.

Një herë në dy javë, na ndanin nja 100 gram sallam që zhdukej përsëri. Nga dy kilogramshi i lejuar, shitej vetëm sheqeri, të tjerat thonin nuk ka. Unë e kuptoj që ka mungesa në treg, por si qëlloi që në listën tonë të vihen artikujt e munguar?! Kërkuam që këto artikuj, të na i zëvëndësonin me gjizë, vaj, apo djath, që t’ja hidhnim supës së kazanit. Por komandanti thoshte: “S’kini për të ngrënë kurrë gjëra të tilla”.

Rojet qeshnin me ne dhe thoshin: “hani reçel, biskota, e pini kafe”. Po a jeton njeriu vetëm me biskota e reçel?! Sa herë e kam lexuar shprehjen e Maria Antontetës në Francën e vitit 1789. Kur i thanë që populli s’ka bukë të hajë, ajo u shpreh që të hajnë më mirë biskota. Për mua sistemi i furnizimit që ka vendosur komandanti është, një grabitje e të ardhurave tona të cilat këmbeheshin me artikujt në tregun e zi.

Rregullorja lejonte konservat, ndërsa komandanti lejonte vetëm reçel e speca turshi. Kombinati “Ali Kelmendi” prodhonte mbi 100 lloje konservash dhe nëse nuk mund të vijnë të gjitha, po ullinj, gjizë, groshë, sardele, mish, dhe fërgesë nuk vijnë dot?! Në këto kushte familja më dërgoi pako, po kështu dhe të tjerëve. Mua më dërguan qepe, djath, dhe qumësht pluhur.

Po na çoni drejt vdekjes!

Pakoja mu kthye mbrapsht ashtu si shumë të tjerëve. Sikur produktet në të, të ishin lëndë radioaktive?! Si ka mundësi që qumshi pluhur që gjëndet në dyqane, të mos lejohet nga familja? Në takim na ka ardhur dhe një shalqi që na u nda përgjysëm dhe j’u dha familjes. Lëkura futej në pjesën e tre kilëshit. Njërit i solli e shoqja 3 kg. ullinj, por ja kthyen mbrapsht, duke i thënë se ishte e ndaluar! Çfarë e konsideron komanda ullirin, mineral që nxirret nga nëntoka apo prodhim deti, që se lejon që të futet në burg?! Mua më kthyen qoftet dhe vezët e ziera që m’i kishin sjellë në takim!

Prej 23 vjetësh që jam i burgosur, në bazë të normës kemi pasur një ditë supër orizi, një ditë supë makaronash, dhe një ditë fasule. Prej një viti komanda na ka prerë fasulet edhe pse në magazinë ka pasur gjithmonë të tilla. Nuk është e drejtë që racionin tonë, ta hajnë policët. Ku do t’i siguroj unë si i burgosur, proteinat minimale që më lejon ligji. Sistematikisht na janë ngrënë dy orët e trajtimit që na i lejon rregullorja e burgut.

Cilido roje, kur t’i teket ha 20 minuta, dhe po t’i ankohesh të kërcënojnë. Ora qëndron e fshehur në zyrë, po neve na i tregon atopalanti, minutat e humbura. Një merementim i vogël, një dalje në spital, një takim, një thirrje në komandë, të gjitha këto presin ajrimin tonë jetik. Jetojmë në një dhomë 8 me 5, 25 burra që ndriçohemi nga një llampë 40 vatëshe, njësoj si ato të nevojtoreve.

Nuk po përmend këtu rastet kur komanda refuzon që të na nxjerri në ajrim. Edhe kur bëjmë ajrimin, 60 minuta kalon shpejt, ku me pastrimin e dhomës, ku me daljen në banjo, ku më shkuarjen tek berberi, etj. Kështu që ajrimi shkon 30 minuta. Kurrë nuk gjen më shumë se 10 veta në oborr. Banjo na lejohet 2 herë në 24 orë, nga 20 minuta. Ka katër të ndara në dy çezma, 20-25 pjesëtarët e dhomës detyrohen të mbyllen të gjithë brenda.

Po të nxjerrësh kokën ose trupin jashtë radhës, je nën kërcënimin e birucës dhe prerjes së korrespondencës për tre muaj, kërcënim që ka ndodhur shpesh herë. Çdo njeri ka 5 minuta çezëm dhe nevojtore. A mund t’i kryejë njeriu, nevojat personale brënda këtyre minutave?! Komanda ka kohë të tepërt në darkë nga ora 6 deri në 9, por refuzon të shtojë minutat. Të burgosurit, detyrohen të kthehen me duar të palara dhe me sëmundje barku.

Në dhomë, shumica përdorim pagure urine dhe qese plasmasi, kur na vijnë nevojat. Shpesh daljen në banjo, na e refuzojnë ditën, duke na detyruar që t’i kryejmë ato në qeli. Në rregullore kemi banjon një herë në dhjetë ditë por faktikisht, ajo edhe kur ndizet, më shumë nuk punon dhe detyrohemi që të lahemi 25 veta në 60 minuta. Komanda mund të gjejë kohë që t’i kryejë këto punë, por nuk do.

Marifetet e doktorit të burgut!

I kemi kërkuar që në korrik komandantit, dezifektimin për insektet. Do të ketë, na tha, por vetëm në tetor kur ra tifoja në një qeli, u bë dezifektimi i kësaj dhome. Zyrtarisht kemi 3 infermieri, por ato janë kot. Një herë në vit ose në dy vjet, shtrohet nga një i sëmurë dhe atij i vihet një shoqërues “fati i fukarait”. Por dhe këto, rrijnë 10 ditë dhe më pas pluhurosen aty.

Tek ne ka shumë të sëmurë. Një herë në vit na vijnë nga Komisioni i Shëndetësisë dhe nga Ministria e Punëve të Brendëshme për inspektim. Mjekët vetëm sa fusin kokat dhe bëjnë një proçes-verbal sikur çdo gjë është në rregull. Rrallë bëjmë një radioskopi dhe të gjithë dalim shëndoshë. Një herë na doli shëndoshë dhe Skënder Alia, që kishte qëndruar shumë kohë në sanatorium.

I kam shkruar për këto komandës, por kam marrë përgjigje negative! Në këto kushte u detyrova që të shpall grevën e urisë, për respektimin e rregullores. Që në ditën e parë sollën gjalpë tek burgu, që më parë ishte refuzuar. Më thirrën dhe më thanë që: pse se prish grevën, se gjalpin ta sollëm?! Unë u thashë që: s’jam zotëri që të rroj me gjalpë dhe biskota. Unë bëj grevë për zbatimin e rregullores. Ditën e dytë erdhën konservat e peshkut, dhe të tretën erdhi djathi dhe sallami.

Megjithëse komandanti, na pati thënë që s’keni për t’i ngrënë kurrë ato. Si ka mundësi që ato erdhën për tri ditë?! Infermieri i repartit, nënoficeri Kamber Lybeshari, nuk të përgjigjet dhe as të viziton po nuk e thirre zoti doktor. Dy herë më ka shtruar në infermieri kur kisha bronko-pleumoni dhe krizë zemre. Të dyja herët më ka lënë me supën e kazanit për dy javë. Më kanë futur dhe provokatorin  M. K., i cili të gjithë fjalët që thoshte vetë, i regjistroi në emërin tim. Dhe pas 10 vjetësh në 1979, u ridënova me 12 vjet.

E kam parasysh si sot fshatarin e gjorë Hilmi Gocaj që kishte bërë afro 20 vjet burg dhe i ngeleshin pak ditë për t’u liruar. E kishte zënë një bark dhe i thoshte Lybesharit, aman o zoti doktor bëmë derman. “Do qumësht t’i, prandaj bën ashtu”, i’u përgjigj me cinizëm Lybeshari! Pas natës, ai u bë keq dhe të nesërmen vdiq. Erdhi Kamberi me infermierin dhe pastruesin. E morën dhe e çuan në infermieri, ku i bënë një proçes-verbal të saktë, ku thuhej se “vdiq nën kujdesin e mjekëve”. Erdhi karrocieri i Komunales për t’a marrë dhe çdo gjë u mbyll “mirë e bukur”.

Pjetër Arbnori

                                           Burrel, Reparti 321

22.9.1983

(Shënim i Pjetër Arbnorit, greva zgjati afro 20 ditë dhe në të morën pjesë shumë të burgosur. Por unë letrën e shkruajta i vetëm sepse protesta kolektive, ishte e ndaluar)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Anketa: Biznesi në vend kërkon më shumë se 5.700 punonjës! Ja profesionet që kërkohen

Anketa: Biznesi në vend kërkon më shumë se 5.700 punonjës! Ja profesionet që kërkohen