Letra e Dhimitër Beratit për Gurakuqin: 
Lajmet e zeza në Shqipërinë e 1920

Letra e Dhimitër Beratit për Gurakuqin: <br />Lajmet e zeza në Shqipërinë e 1920
Berati:Të nisë në Shqipëri një luftë parlamentare

I dashur mik, E mora me kohë letrën t’ënde më datën 9 të k.m. dhe të falem nderit. Lajmet që paske nga atdheu janë, me të vërtetë, shumë të zeza. Sa është për t’u çuditur aq edhe për t’u mahnitur që nuk u gjentkan midis nesh 4  a 5 njerëz që të punojnë bashkë dobisht një motmot.

Por rreziku nuk është vetëm aty. Qeveritë t’ona, guvernimin e shohin si një konqesì eskluzive. Shtetin  e  identififikojnë me vehten, pra miq e anmiq të veçantë u dashka të jenë  edhe të Shtetit : “l’Etat c’est moi”

Po ka edhe më tej. Shumë prej nesh besojnë se vetëm duke qênë anëtar=mis a kundërshtar i qeverisë duhet punuar. Dhe në këtë kuptim, veprimi ka, gjithmonë, karakter të prerë, tepër të caktuar, domethënë ja krejt pro ja krejt kundër.

Duke mos u munduar t’a gjejnë rrugën e mesit a duke mos dashur t’a gjejnë këtë rrugë, një vepërim – më mirë posibilitet vepërimi – shkon më kot. Kujtoj se një njeri mund të jetë për qeverinë, parimisht e atdhesisht, kur s’bën politikë rrëzimesh për gazin e rrëzimit; por mund të jetë edhe kundër për këtë vepër ose atë reformë, për këtë rregullim ose atë vendim. 

            Më shkonin ndër mênd këta mendime duke lexuar ç’shkruan Traglia mbi çështjen e partive në Shqipëri. Në këtë rend mendimesh më kujtohet edhe artikulli i Faik Konicës, botuar në “Popolo romano”. Më tha Kasneci se t’a ka për të dhânë.

            Me Kasnecin folëm shumë herë mbi nevojën që të fillohet sa mâ shpejt, mbrenda në Shqipëri, një luftë parlamentare, elektorale, urtësisht e metodikisht. Shumë mund të flitet e të vihet n’udhë nga kjo pikëpamje.
            Tani fjalë librash.

Më fajton se shkruaj shkurtër dhe unë kujtonja se, mbi këtë send, tepër e zgjata fjalën. Mund të të kisha dërguar Lecce-n e Blanku-n t’em hua, me rastin e udhëtimit të Kasnecit, por njëherë s’dinja në të duhen a jo tani dhe, pastaj, Kasnecin s’e poqa kur u nis. Do t’i kisha dhënë ndobare Blankun.

            Kam gjetur këtu përkthimin e Pietro Rocca-s, shtypur në Venedik më 1554. Nuk e kam blerë se më kërkon 85 lireta. Biemmin e bleva me 20 l., të ri e të lidhur punë e madhe. Shkruamë gjâ për Rocca-n në i a njeh vlerën si libër i rrallë.

Thua se nga librat që tregoj n’atë listë kam nga dy. Të kuptohemi. S’kam prej të gjithëve. Sarocchi-n s’e kam fare ; Blankun kam editën 1704, ajo e Parisit âsht 1691, edita e parë. T’imes i mungon një faqe, si edhe Barlecit. Ah, u kujtuash.... E di sa më kërkoi këtu një librar për Barlecin ?  ̶  1000l. E .... me t’ardhun keq se të tjerë librarë e paskan shitur 1400 !
Budin kam vetëm një editie të re. Kam gjetur këtu ca vogëlima të De Radës etj.
Me mall, Dhimitër Beratti (firma)            

Freng. : “Shteti jam un”


Mihal Grameno: Vendosëm shkëputjen e kishës tonë edhe nga Rusët

Në Paris
 
Gëzonj që të jini mirë si edhe unë. Tani ca dit u shkrojta edhe u çova “Diellin” ku shkrova për gjendjen e atjeshme, besonj që t’i kini marrë.
Unë sot shkonj për në Detroit Michigan ku ndodhet nëna e zonja time edhe si t’i marr do të kthehem prapë këtej ku do të botonj gazetën. Shpreh që me u lajmëruar për botimin do të më përkrahni me lajmet e atjeshme si edhe letrarisht, siç m’u zotuat.

            Nënshkrime po mblidhen shumë pas kërkimit që bëtë nga të Krishterët e Toskërisë edhe për së shpejti do t’u dërgohen.
Siç u shkrojta Z.Gurakuqi  që Shqiptarët kanë një simpati edhe besim tek juve edhe kam kuvenduar me Z. Kryetar të Vatrës, Kolë Tromara, me Komisjonin  edhe me gjithë kombëtarët edhe që të gjithë kanë besim të plotë, po duan çpjegime mbi programin e qeverisë aqë për sot si edhe për pritjen, prandaj është detyra jote më shumë që t’ua dëftesh se më të shumët juve u njohin dhe u kanë dëgjuar. Sa për Partinë ajo është në të rënë dyke mos u udhëhequr mirë edhe nga gabimet.

            Mësoni që Noli i zgjedhur Piskop, nga mbledhjet kishtare Ruse edhe Shqipe dhe i dorëzuar nga Arqiepiskopi Rus, gjeti tani në fund pengime në të mbushurit të formës d.m.th. për t’i dorëzuar robat edhe shkopin Piskopal, duke thënë që Grekrit kanë bërë protestime edhe do të shtrojnë dokumenta zyrtare kundra Nolit.

            Kështu pra vendosëm çkëputjen të Kishës tonë edhe nga Rusët edhe pasnesër kleri kombëtar do t’i veshë robat Piskopale duke deklaruar Kishën Ortodokse shqipe autoqefale. Me këtë mënyrë shpëtojmë njëherë e mirë nga maskarallëqet e vjetra edhe nisim jetën e re të kohës së re. Monsignor Bumçit i puth dorën si edhe Patër Fishtës. Beratit e të gjithëvet të fala. Prit të falura nga të gjithë atdhetarët. U puth me mall e mbetem për jetë  juaji, Mihal Grameno (d. v.)

P.sh.  Nga Korça na vijnë shumë lajme gazmore për çështjen kombëtare. Dërgomë fotografinë tënde dhe të At Fishtës.     


Kruja: Luigj m’vjen keq që s’të gjeta në Shkodër

I dashun vëlla Luigj, Do t’a keshë marrë vesht se un qyshë më 6 të  muejit të kaluem gjindem në Shkodër (e në rrethet ku e ka lypë nevoja) me nji tok vullnetarësh krutanë për me mundun me i vleftë kësaj atdheje të mjerë edhe si ushtar.

Mund t’a kesh marrë me mênd se sa keq më ka ardhë kur nuk të kam gjetë ty këtu, e mos t’ishte nji arsye aq e fortë qi të ka shtrëngue me u damë prej Shkodre në këto kohna kaqë të vështira, do të kisha mallkue për jetë e nuk dij se ç’farë fuqie do të kishte mundë me më pajtue mâ me ty! E dij edhe qi kur ke lânë Shkodrën ti nuk kanë pasë ndodhë edhe ngatrresat e sodshme. Por me qênë qi ti bjerr nji minutë në vênd të huej mbas si të keshë krye atë punë të trupit t’ând për të cilën ke shkue, t’a dijsh se me mue e me Kelin e me kêdo mik tjetër qi të të ketë në zêmër si na (për në qoftë) ke me e pasë punën keq.

            Besa, Luigj, pa qeshë kishte me qênë nevoja qi ti t’u gjindshe këtu sa mâ para, por, e ditun, je edhe t’u vumë në rrezik shëndetën tânde. Sidomos un kisha me qênë tepër i lumë me pasë fatin e me u këthye ti këtu nja pak dit para se me u nisë un për Krue. Tash ti e din vetë. Prap kthehem e të them se në çdo nevojë tjetër, mbrênda shëndetën, e pa sigurue atê mos bân as nji hapë për këndej, se para të gjithash ajo na duhet. Të marr n’grykë e të puth me shumë mâll. Mustafa Kruja


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar