TIRANË- Ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu i është rrëzuar sërish kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i masakrës së Gërdecit. Kërkesa ishte bërë nga mbrojtja e Mediut në seancën e 24 shkurtit me argumentin se Gjoka ka qenë edhe gjyqtare e seancës paraprake dhe nuk mund të shqyrtojë edhe çështjen në themel. Kërkesa e Mediut u rrëzua sot nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj që argumentoi se kërkesa ishte në papajtueshmëri me afatet procedurale.

Ndërkohë, në seancën e sotme avokati Henrik Ligori kundërshtoi disa nga parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme.

"Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë: një pjesë politike dhe pjesa tjetër Shtabi i Përgjithshëm. Personat që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësitë e tyre. Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan në kalibër të madh dhe kalibër të vogël.

Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë. Nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat, pasi me këtë punë merret Shtabi i Përgjithshëm. Si mund t’i ngarkohet një ministri politik përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, sepse ka struktura që merren me faturat. Duket se akuza e ngritur nga prokuroria është e pambështetur", tha ai. 

Në nëntor 2025 ishte vetë gjyqtarja Gjoka që kërkoi të largohej nga gjykimi i kësaj çështje, me argumentin se nuk mund të ishte pjesë e gjykimit pasi ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë çështje dhe e mori gjykimin se i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. Por, kërkesa e saj u rrëzua nga GJKKO

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë