Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë të hënë, ambasadori ukrainas në OKB Sergiy Kyslytsya lexoi me zë të lartë një letër nga një fëmijë ukrainas, dedikuar nënës së tij të vdekur.
Kyslytsya tha në Këshill se letra u bë publike në Ukrainë disa ditë më pare dhe ishte shkruar nga një djalë nëntë vjeçar pasi nëna e tij u vra nga ushtarët rusë. Kyslytsya, i cili foli në Këshillin e Sigurimit në anglisht, e lexoi letrën në të cilën thuhej:
“Mami, kjo letër është dhurata ime për ty në ditën e gruas më 8 mars. Faleminderit për nëntë vitet më të mira të jetës sime. Shumë faleminderit për fëmijërinë time. Ti je mamaja më e mirë në botë. Unë kurrë nuk do të harroj ty. Të uroj fat në qiell dhe shpresoj të jesh në parajsë. Do të përpiqem të sillem mire që të të arrijë edhe në parajsë.”
Kyslytsya tha se nëna e djalit u vra nga ushtarët rusë kur ata u përpoqën të arratiseshin me makinë nga qyteti i tyre i pushtuar nga rusët. Djali qëndroi në automjet derisa banorët vendas ishin në gjendje ta shpëtonin dhe ta çonin në një strehë.
“Letra të tilla nuk duhet të shkruhen. Nëse ato janë, do të thotë se diçka ka shkuar tmerrësisht keq, përfshirë edhe këtu në Kombet e Bashkuara”, tha Kyslytsya.
“Kjo do të thotë se mekanizmi i tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare nuk po funksionon siç duhet dhe duhet të rregullohet. Por a mund të rregullohen ato ndërkohë që Rusia lejohet të përdorë të drejtat e një anëtari të përhershëm? Nëse nuk jemi në gjendje të ndalojmë Kremlinin, gjithnjë e më shumë fëmijë do të mbeten jetimë. Gjithnjë e më shumë nëna do të humbasin fëmijët e tyre”, tha ambasadori.