Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka cilësuar si një “trend shumë të rrezikshëm” operacionin ukrainas kundër një anijeje ushtarake ruse në brigjet e Libisë, si dhe sulmet e Kievit ndaj anijeve tregtare ruse në Detin Baltik.

Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Peskov komentoi deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili njoftoi se forcat ukrainase kishin fundosur korvetën ruse Merkury në brigjet libiane. Ai tha se Kremlini e kishte marrë në konsideratë këtë deklaratë, ndërsa sqaroi se çështja po trajtohej nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes po merret me këtë çështje dhe informacioni do të ofrohet edhe përmes Ministrisë së Mbrojtjes nëse konsiderohet e përshtatshme”, deklaroi Peskov.

Ai theksoi se Rusia do të vijojë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë, duke paralajmëruar pasoja për Kievin.

“Personeli ynë ushtarak vazhdon të kryejë sulme në shkallë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse ndaj infrastrukturës ushtarake në Ukrainë çdo ditë. Kjo praktikë ka pasoja shumë të dhimbshme për regjimin e Kievit”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit.

Peskov shtoi se Moska do të vazhdojë këtë kurs, në përputhje me deklaratat e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin.


Lajmi kryesor:

Goditja e anijes ushtarake ruse në Libi, Zelensky merr përsipër sulmin: E sulmuam me 7 dronë detarë