Letra e ish- shefit të shtabit për Enver Hoxhën: Beqir Balluku ka punuar në fshehtësi, ka pikëpamje të tjera të rrezikshme

Letra e ish- shefit të shtabit për Enver Hoxhën: Beqir Balluku ka punuar në fshehtësi, ka pikëpamje të tjera të rrezikshme

Memorie.al publikon dy letra të panjohura të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Petrit Dume, dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, që mbajnë datat 17 qershor dhe 16 tetor të vitit 1974, në të cilat bëhet fjalë mbi mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që Shefi i Shtatmadhorisë kishte me Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, lidhur me punën e tyre disa vjeçare në krye të Ushtrisë dhe konceptet e tyre mbi tezat e Këshillit të Mbrojtjes,  etj. Të gjitha akuzat e Dumes ndaj ministrit Ballluku, mendimet e dhëna nga ushtarakët e tjerë madhorë ndaj kontraditave të dy shefave të tyre, përgjigjia e Enverit ndaj letrës së Dumes, si dhe qëndrimi i Hysni Kapos e Mehmet Shehut ndaj letrës së Petrit Dumes, të cilën u’a dërgoi Enveri për t’u kërkuar mendimet e tyre?!

“Në këto materiale që mbrohen nga shoku Beqir, ka edhe pikëpamje të tjera të shtrembra e të rrezikshme, për të cilat si unë, ashtu dhe shoku Hito, e kemi ngritur vazhdimisht zërin para shokut Beqir, por nuk na ka dëgjuar dhe në këtë mënyrë ka influencuar që një numër i madh kuadrosh të njihen me këto pikëpamje. E rëndësishme është që në masën më të madhe të kuadrove materialet teorike që prekin konceptet tona, qoftë dhe në mënyrë të stërholluar, janë hedhur poshtë. Shumë herë e kam ngritur problemin para shokut Beqir se ne nuk kemi nevojë për teori të reja që s’shkojnë, se teoria jonë është e plotë, e qartë dhe e përshtatshme për kushtet tona, ashtu siç na porositi Partia dhe shoku Enver, puna dhe detyra jonë është që t’i vëmë ato në jetë. Ai në parim bie dakord, por vazhdon të ruaj në vetvete disa koncepte që s’puqen me tonat dhe që këto koncepte herë pas here i jep në kuadro dhe në grupe të ndryshme për t’i përpunuar”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër dërguar Enver Hoxhës, nga Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që mban datën 17 qershor të vitit 1974, ku ai mundohet të sqarojë Komandantin e Përgjithshëm, lidhur me mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që kishte me ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, të cilat kishin filluar prej vitesh. Letra në fjalë e ish-Shefit të Shtatmadhorisë, Petrit Dume, përkon me periudhën kur Enver Hoxha sapo kishte filluar goditjen ndaj ministrit Balluku, (që prej vitesh mbante edhe postin e zv/kryeministrit të pare në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu), goditje e cila filloi në aktivin e Ushtrisë që u mbajt në qershor të atij viti në ish-vilën e Zogut në qytetin e Durrësit, për ta përjashtuar më pas nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore në Pleniumin e Komitetit Qëndror të PPSH-së që u mbajt më 25 korrik, duke e akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”, gjëra të cilat i paraprinë arrestimit të tij më 7 dhjetor, kur ai ishte i internuar në Selenicë të Vlorës. Dhe në të gjithë këtë periudhë kohore të proçesit të goditjes së Ballukut në gjysmën e dytë të vitit 1974, në mënyrë paranojake, duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet dhe kontraditat që tre  krerët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes kishin në mes tyre, Enveri përdori dy zëvëndasët e tij, Petrit Dumen dhe Drejtorin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Hito Çakon, duke “i ndërsyer” ata fillimisht ndaj Ballukut dhe më pas do t’i akuzonte edhe ata si bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij! Në këtë kontekst, janë dhe dy letrat e Petrit Dumes dërguar Enver Hoxhës, të cilat mbajnë datat më 17 qershor dhe 16 tetor të vitit 1974, të cilat Memorie.al i publikon të plota duke filluar nga ky numër, së bashku dhe me korrespodencën e Enverit me Hysni Kapon e Mehmet Shehun, të cilëve ai “u kërkonte mendim”, për dënimin e Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos!

Letra për Enver Hoxhën, dërguar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume

Relacion mbi disa mendime të ndryshme që kam unë dhe shoku Beqir në çështjet e ushtrisë

Mbas kritikave që na bëri Byroja Politike mbi mungesat tona në punën e drejtimit të Ushtrisë, unë dhe shoku Beqir filluam një punë më të organizuar dhe unifikuam shumë mendime të rëndësishme për drejtimin e Ushtrisë, siç janë kërkesat mbi rregullat ushtarake, intensitetin e përgatitjes luftarake etj. Për këto probleme për të cilat kemi pasur mendime të ndryshme, para vitit 1970, sot kemi mendime të përbashkëta dhe puna na shkon më mirë se në të kaluarën.

Unë e shoh të nevojshme t’i raportoj Komitetit Qendror, Këshillit të Mbrojtjes dhe shokut Enver, se në kuptimin e problemeve të mbrojtjes në shumë drejtime unë dhe shoku Beqir kemi mendime të ndryshme që dëmtojnë patjetër unitetin dhe punën e udhëheqjes ushtarake në qendër. Në se konsistojnë këto mendime të ndryshme?

a) Në problemin e punës të zhvillimit të mëtejshëm të teorisë së luftës.

b) Në luftën dhe këmbënguljen tonë për zbërthimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe vënien e tyre në jetë. Për sa i përket problemit të zhvillimit të mëtejshëm të teorisë, unë nisem dhe nga orientimi i Partisë që në këtë drejtim të predominojnë kolegjialiteti, iniciativa dhe pikësynimi, pra mendoj se para çdo gjëje duhet të përcaktohen problemet që do të studiohen, të rrihen mendimet ndërmjet ne tre shokëve kryesorë dhe pastaj të aprovojmë tezat dhe ngarkojmë grupe pune ose aparate për të përpunuar problemet.

Gjithë puna e përpunimit të teorisë duhet të jetë e përqendruar në Shtabin e Përgjithshëm dhe mbasi të mbarojë studimi, prapë në mënyrë kolegjiale, ta studiojmë materialin ne tre shokët kryesorë dhe mbasi të rrafshojmë mendimet, ta hedhim materialin në diskutim.

Në qoftë se materiali i dhënë ka të bëjë me ndryshime të koncepteve ekzistuese, diskutimi i problemit duhet të bëhet vetëm me aprovimin e Këshillit të Mbrojtjes. Kjo rrugë mua më duket e drejtë dhe vetëm kështu mund të punohet vazhdimisht dhe zakonisht për problemet të rëndësishme në Shtabin e

Përgjithshëm, në drejtoritë dhe komandat e llojeve të armëve. Në këtë drejtim, shoku Beqir Balluku ka të meta serioze. Ai për shumë probleme të mendimit teorik nuk ndjek këtë rregull, nuk jep orientime të sakta, nuk i diskuton ato më parë me mua dhe shokun Hito dhe nuk vë Shtabin e Përgjithshëm në drejtim të këtij përpunimi. Shoku Beqir, shumë studime i ka bërë me dyer të mbyllura, duke mbajtur lidhje të drejtpërdrejtë vetëm me përpunuesit dhe duke i porositur ata që të mos vënë në dijeni as shefat e drejtpërdrejtë dhe as mua. Përpunimet bëhen në vende jo të përshtatshme, duke përdorur materiale dhe dokumente shumë sekrete, jashtë çdo rregulli dhe kontrolli dhe nëpër lokale të pasigurta.

Në këtë mënyrë shoku Beqir ka udhëhequr përpunimin e shumë materialeve teorike për të cilat ne kemi pasur dijeni dhe kur kemi sinjalizuar se këto veprime nuk janë të drejta, ai nuk ka reaguar drejt dhe ka vazhduar të gabojë në këtë drejtim. Kështu veproi ai kur tentoi të përgatisë një material teorik në vitin 1966, kështu përgatiti materialin teorik në vitin 1971, 1972 dhe në vitin 1973. Të tre këto studime u përgatitën pa dijeninë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike, duke përdorur oficerë të aparateve tona, por të porositur që neve të mos na mbajnë në korent.

Kur i është thënë shokut Beqir se këto gjëra janë të padrejta dhe unë duhet të di se ç’bëhet dhe ç’po për punohet, më është përgjigjur se ‘ti materialet do t’i shikosh kur të mbarojnë’.

Për vënien në jetë të tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe për zbërthimin e tyre, shoku Beqir në shumë raste nuk ka bërë një punë të organizuar dhe këmbëngulëse, ka lënë përshtypje lëkundjeje duke thënë se Tezat janë shumë të gjera, përmbajnë shumë hollësira dhe se duhen shkurtuar dhe shtrydhur në mënyrë të theksuar.

Më e keqja është se disa materiale të përpunuara nën drejtimin e drejtpërdrejtë të shokut Beqir, goditën përmbajtjen e Tezave në një mënyrë ose në tjetër, krijojnë konfuzione teorike dhe çoroditen veprimet praktike të trupave në luftë. Këto materiale që sipas momenteve herë janë bllokuar dhe herë janë dukur, jo çdo gjë e trajtojnë shtrembër, ndër to ka shumë probleme që ngrihen drejt, por në thelb të tyre ka pikëpamje të rrezikshme për strategjinë tonë. Për shembull në dy tre materiale teorike shtrohet problemi për të përvetësuar një mbrojtje mobile dhe për të zhvleftësuar mbrojtjen pozicionale aktive, hidhen pikëpamjet se trupat tona në mbrojtje duhet të sulmojnë dhe jo të kundërsulmojnë, të goditin dhe jo të kundërgoditen. Mirëpo këto shfaqje janë në kundërshtim flagrant me konceptet e strategjisë sonë, ato e kthejnë ushtrinë tonë që në ditët e para të Luftës nga një ushtri të rregullt, në një ushtri partizane!

Në këto materiale që mbrohen nga shoku Beqir, ka edhe pikëpamje të tjera të shtrembra e të rrezikshme, për të cilat si unë, ashtu dhe shoku Hito, e kemi ngritur vazhdimisht zërin para shokut Beqir, por nuk na ka dëgjuar dhe në këtë mënyrë ka influencuar që një numër i madh kuadrosh të njihen me këto pikëpamje. E rëndësishme është që në masën më të madhe të kuadrove materialet teorike që prekin konceptet tona, qoftë dhe në mënyrë të stërholluar, janë hedhur poshtë.

Shumë herë e kam ngritur problemin para shokut Beqir se ne nuk kemi nevojë për teori të reja që s’shkojnë, se teoria jonë është e plotë, e qartë dhe e përshtatshme për kushtet tona, ashtu siç na porositi Partia dhe shoku Enver, puna dhe detyra jonë është që t’i vëmë ato në jetë. Ai në parim bie dakord, por vazhdon të ruaj në vetvete disa koncepte që s’puqen me tonat dhe që këto koncepte herë pas here i jep në kuadro dhe në grupe të ndryshme për t’i përpunuar.

Sot në Ministrinë e Mbrojtjes ka shumë përpunime të tilla për të cilat janë harxhuar kohë dhe njerëz shumë, por e keqja është se këto materiale rrihen me kujdes nga shoku Beqir dhe nuk pranon që të kritikojë ashpër përpunuesit, të cilët i ruajnë ato mendime dhe mund t’i shfaqin, kur të gjejnë rastin. Problemet që ngrita në këtë relacion janë të dokumentuara në material shumë voluminoze, por unë u mundova që sipas porosisë së shokut Hysni, të ngre vetëm disa çështje kryesore për të kuptuar ndryshimin e mendimeve tona në punët e mbrojtjes.

Jam i bindur se këto koncepte jo të drejta nuk kanë shkuar poshtë, ato janë në kokë të shumë pak njerëzve këtu në qendër, sidomos te shoku Beqir, shoku Rrahman dhe Spiro Shalësi. Ato nuk kanë dëmtuar gjer tani punën dhe masat praktike për fuqizimin e mbrojtjes dhe zbërthimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Në punën time kam pasur dhe kam plot të meta e mungesa, me të cilat kam luftuar dhe do të luftoj, por në drejtim të unifikimit të mendimeve me shokun Beqir dhe luftën për vënien në jetë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, jam i ndërgjegjshëm që kam bërë atë që mund të bëja. Partia dhe shoku Enver të gjykojnë punën time dhe nëse kam gabuar, të marrin masat më të rënda për mua.

Tiranë, më 17 qershor 1974

P.S. Për të pasur një ide më të qartë mbi rrezikshmërinë e materialeve teorike të paraqitura në vitin 1973, si dhe vlerësimet që i bënë kuadrot kryesorë këtij materiali, po i’a paraqes vetëm shokut Enver kritikat kryesore.

Petrit Dume

Kritikat parimore që i bëheshin materialit teorik nga disa shokë

Shoku Hito Çako

Nga të gjitha problemet që trajtojnë në këtë material, më shumë i pagoditur dhe me të meta serioze, që bien në kundërshtim me parimet e tezave, që ndonjë nga këto parime nuk e zhvillojnë, por frontalisht e korrigjojnë, është kapitulli ku ju flisni për mbrojtjen. Në këtë kapitull, sipas meje, jo një, por gjithë esenca e parimeve të tezave për mbrojtjen pozicionale dhe aktive në rajonet e fortifikuara dhe tepër të fortifikuara, konsiderohen si të vjetruara, si parime që eksperienca jonë e deritanishme e grumbulluar bën të domosdoshëm kalimin nga këto parime të tezave për mbrojtjen pozicionale aktive në parimin e mbrojtjes së manovruar “mobile”.

Shoku Bako Dervishi

Materiali i paraqitur është krejtësisht në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, ky material nuk i pasqyron tezat. Idetë e paraqitura nga shoku Enver Hoxha për problemet e ushtrisë në materialet e paraqitura nuk janë interpretuar drejt; diku merren dhe diku kundërvihen. Konceptet mbi operacionet e mbrojtjes kërkojnë tërësisht rishikim, zgjidhja e të cilave varet më shumë edhe për konceptet e llojeve të tjera të luftimeve. Materiali i shpërndarë në një masë të madhe dhe njësive për studim, krijoi çoroditje, ngjall mosbesim në zbatimin e koncepteve të tezave të artit ushtarak tonin që zbatojmë sot.

Shoku Muhamet Prodani

Unë mendoj që ne jemi akoma në aplikimin e këtyre tezave dhe kanë dalë dhe po dalin vazhdimisht gjëra që kërkojnë përcaktim dhe riformulime. Ne gjithnjë i kemi parë me sy kritik, duke studiuar gjithnjë gjendjen në realitetin gjatë aplikimit të kërkesave të tezave, dhe s’është aspak e vërtetë dhe e arsyeshme, kritika që bëhet nga shokët në faqen 4, në adresë të kuadrove të shokëve të Ushtrisë, sepse, mendoj unë, ne nuk kemi asnjë bazë për të bërë përmbysje në tezat, qoftë dhe në format dhe metodat e luftimit. Është me gjithë mend e çuditshme kur argumentohen sulmi dhe goditja. Ato injorojnë mbrojtjen, dalin në veprime të lira, partizane, heq dorë nga fronti dhe jo vetëm që nuk ka qëllim vendimtar, por siç thashë, nuk ka një influencë në front, ato çojnë në luftën partizane pa front që në fillim. Materiali nuk përmban ndryshime të formave të luftimit në raport me tezat, por është absolutisht i kundërti i tezave, në esencë.

Shoku Abaz Fejzo

Materiali është shumë i gjerë dhe mundohet të japë parime, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse dublojnë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Do të ishte mirë që shkurtazi në material të theksohej se me cilat çështje të Këshillit të Mbrojtjes, autorët nuk janë dakord. Shoku Enver thekson se Këshilli i Mbrojtjes ka dhënë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, të cilat në përgjithësi janë të drejta, dmth., janë baza e parimeve të artit tonë ushtarak popullor.

Shoku Sulo Kozeli

Materiali ka vlerë shkencore studimore, pavarësisht nga të metat. Materiali është i përhapur dhe nuk ka kufi, dmth. se cilat pjesë të tezave trajton, prej ku e deri ku, gjë që e ka bërë atë konfuz dhe në shumë raste të ketë përsëritje, të ngatërrohen. Del pyetja: A duhet të bëjmë një material tjetër dhe pastaj me anë të një diskutimi të kthejmë në një lloj tjetër tezash, qoftë edhe për disa çështje të veçanta, apo të mbajmë për bazë tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe çështje të veçanta të tyre t’i diskutojmë. Do të ishte më mirë që të diskutojmë çështje të veçanta. Mënyra tjetër që ta kthejmë zyrtarisht, apo jo zyrtarisht materialin në teza të reja, sjell vetëm dëm.

Shoku Andon Sheti

Tërheq vëmendjen tonë fakti se në material forma më e lartë e aktivitetit janë konsideruar sulmet dhe goditjet e rrufeshme dhe të befasishme dhe jo k/sulmet dhe k/goditjet. Këtu kemi të bëjmë me një koncepsion të ri, që sjell ndryshime të tjera për të cilat jepen shpjegime teorike në materialin. Veç kësaj, thuhet në material, se k/sulmet dhe k/goditjet të jepen jo me qëllime vendimtare, por me qëllime të kufizuara.

Shoku Vehip Alikaj

Veprimet goditëse edhe sulmi si dhe kundërsulmi dhe kundërgoditjet mendojmë se siç janë trajtuar në material, bëjnë zëvendësimin e njëra-tjetrës, nuk janë të qarta se si bëhet njëra dhe se si bëhet goditja dhe se si bëhet kundërgoditja, e cila zhvillohet më parë dhe cila më pas, cila janë forcat e mjetet në njërës dhe tjetrës dhe detyrat e tyre.

Shoku Tefik Ruci

Në material, (fq. 25-26), thuhet se qëllimi kryesor i mbrojtjes nuk duhet të jetë mbajtja me këmbëngulje e rajonit (brezit-terrenit), të zënë për konsumimin e dëmtimit të armikut, por aktiviteti (manovra), për pasojë dhe forcat dhe mjetet kryesore duhet të përdoren, jo për mbajtjen e rajoneve mbrojtëse, por për zhvillimin e aktivitetit, (manovrës). Kjo thënie, (përcaktim) në radhë të parë bie në kundërshtim me kërkesat e tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Vendi ynë është i vogël, ku të vemi po nuk mbajtëm me çdo kusht çdo pëllëmbë tokë? Bien në kundërshtim me mësimet e shokut Enver Hoxha në Plenumin e 12 të K.Q. të PPSH-së të qershorit 1971, i cili thotë: “Që të zbatojmë taktikat dhe strategjinë e tij, armikut i duhen hapësira. Për këtë ai do të përpiqet të zërë këmbë, t’i përqendrojë forcat e tij për sulm…”.

Si mund të kuptojmë aktivitetet pa taban, ose me taban të dobët?

Shoku Petrit Dume

Keni punuar keq, kot, keni humbur dy vjet kohë, keni angazhuar forcat më të afta të institucionit dhe na keni dhënë një material konfuz, që s’na shkon fare dhe që u kundërvihet tezave. Ky material po kthehet nga unë për herë të tretë, duke qenë gjithmonë i njëjti, bile ka luajtur shumë nga materiali teorik i paraqitur në Durrës, para se të dilnin tezat dhe që u hodhën poshtë. Është mjaft që të lexosh nga faqja 3 deri në 7 për të parë gjithë të këqijat e këtij materiali.

Kini kërkuar të bëni ato që s’mund të bëni dhe që s’ka nevojë, se është bile shumë më mirë. Të zbërthejmë tezat, t’i konkretizojmë dhe t’i pasurojmë, por jo t’i përmbysim, kjo e fundit po të jetë nevoja bëhet kur të marrim orientim për t’i bërë. Në material çka është mirë dhe drejtë është marrë nga tezat, çka ka dalë nga kokat e autorëve, është e keqe.

Nuk duhet të bindim të tjerët me ëndrra e fantazira.

Lexoni mirë shokun Enver në Plenumin e 12 në buletinin Nr.3, në fjalimet e fundit, në takimin me delegacionin kinez, në udhëzimet për stërvitjen “Drini”, për protokollet e tjera të K.M. dhe do të shikoni se ai thotë që t’i pasurojmë tezat, të zbërthejmë, etj. Materiali s’ka vlerë, është i rrezikshëm dhe autorët duhen kritikuar rëndë dhe ndjekur në punën e tyre që të mos na futin në të tilla shtrembërime në artin tonë.

Shoku Beqir

Meqenëse jemi para një mbledhjeje shumë të rëndësishme dhe që organizohet me udhëzimet e Komitetit Qendror dhe Këshillit të Mbrojtjes, do të ishte e nevojshme që përveç problemeve që ngrihen në raport, të bëhet një theksim më i fuqishëm në drejtim të përvetësimit, vënien në jetë dhe zhvillimit të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes.

Të kritikohen konceptet e disa shokëve që me këmbënguljen dhe pa marrë parasysh vërejtjen dhe orientimet tona, përpunojnë koncepte dhe metoda që direkt ose indirekt vënë nën goditje strategjinë dhe taktikën, që paraqitet në tezat dhe që jeta po i aprovon dhe po i përcakton çdo ditë.

Është momenti që kjo kritikë të bëhet për arsye se tani kjo punë po zien në kuadrot kryesorë, të cilët jashtë dijenisë dhe aprovimit tuaj dhe timin, kanë marrë materialin. Veç kësaj, pavarësisht se materiali nuk pranohet, këto koncepte janë në kokën e këtyre shokëve që lozin një rol shumë të rëndësishëm në përpunimin e teorisë dhe praktikës të artit tonë ushtarak dhe në qoftë se neve do të bëjmë lëshime dhe nuk do t’i frenojmë, do të krijohet konfuzion dhe dyshim në strategjinë e mbrojtjes së vendit.

*Shënim: Këto janë mendimet e disa kuadrove kryesorë lidhur me materialin e zi të Beqir Ballukut./Memorie.al

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër