5 vjet më vonë, anëtarë të Partisë Demokratike si Tedi Kopliku që drejton departamentin e Brain Gain, e kanë fjetur mendjen që non-grata e Sali Berishës nuk do të hiqet.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Kopliku tha se PD nuk pret zgjidhjen e çështjes së non-gratës për të legjitjmuar opozitarizmin në Shqipëri. Duke komentuar edhe deklaratën e ish Sekretarit Amerikan të SHtetit Anthony Blinken për non-gratën e Berishës, ai pretendoi se ky dizenjim nuk ka vlerë juridike dhe akuzoi ish diplomatin se mbështet autokracinë.

“Do të isha i çuditur nëse Blinken do të jepte një përgjigje ndryshe. Ai dhe njerëz si ai mbështetin autokratë si Edi Rama. Anthony Blinken nuk është SHBA-ja dhe non-grata nuk ka asnjë vlerë juridike që të përcaktojë betejën e opozitës shqiptare. Ai përfaqëson një grupi njerëzish që e kanë fuqizuar vazhdimisht Edi Ramën. PD nuk pret zgjidhjen e çështjes së non-gratës për të legjitjmuar opozitarizmin në Shqipëri. Pret reagimin e shqiptarëve, bashkimin e shoqërisë në betejën e PD-së” tha Kopliku.

I pyetur mbi pritshmëritë e mëdha që Berisha dhe të tijët kishin për ndërmjetësimin e Chris La Civita-s dhe rolin e tij në fushatën e demokratëve në zgjedhjet e fundit parlamentare pas nënshkrimit të një kontrate të majme prej 6 milionë dollarësh, Kopliku me ton zhvlerësues u shpreh se “La Civita ishte një specialist fushatash dhe jo dikush që ishte marrë për t’i hequr non-gratën Berishës”  

Gjatë intervistës, Kopliku pranoi edhe se përdorimi I flamujve gjermanë në protestën e dhunshme të PD-së të mbajtur me 22 mars, kishte të bënte drejtpërsëdrejti me ‘ndjeshmërinë’ e Ambasadës Gjermane ndaj çështjes Balluku.

“Protestat janë një grumbullim i njerëzve të lirë. Flamuri gjerman ishte aty me një simbolikë sepse Gjermania është shumë e ndjeshme për çështjen Balluku dhe pengesave ndaj SPAK, të cilin Rama e futi në kafaz. Është e lidhur me qëndrimin e Ambasadës Gjermane dhe përfaqësuesve të tjerë që thonë se kjo çështje është test për drejtësinë shqiptare” tha ai.